Tahiri blen medikamente… në argjendari?!

185

154,500 lekë ka qenë fatura e blerjeve të Ministrit të Brendshëm, Sajmir Tahiri në argjendarinë “Pirro”. Falë projektit të Open Data Albania, duke rrëmuar në transaksionet e bëra në Thesar mund të gjesh edhe “çudira” alla shqiptarçe. 82,500 lekë kushton fatura e fundit e Tahirit te argjendaria “Pirro”, e ekzekutuar në datë 21.10.2014. Por ajo çka duket e çuditshme dhe tingëllon si shumë qesharake është përshkrimi i faturës, ku thuhet: “Aparati Min.Brend. pagesë blerje medikamente…”.

Të ketë blerë ministri Tahiri medikamente në argjendari?! Tingëllon qesharake, por i tillë është përshkrimi i faturës. Lapsus?! Apo papërgjegjshmëri e njerëzve që shpenzojnë paratë publike dhe s’kanë frikë se mund të gjykohen nga dikush?!
Duke qenë se kategoria e shpenzimeve është “Shpenzime për pritje e përcjellje”, mos Tahiri, ka gostitur miqtë me disa medikamente…?! gjithsesi, dhurata për miqtë e ardhur në 29 shtator, nuk paska qenë shumë e lirë, plot 82,500 lekë të rinj…
Ndërsa 2 faturat e tjera po të së njëjtës kategori, paguar të njëjtit subjekt janë respektivisht: 67,000 lekë të rinj me datë ekzekutimi 24.7 2014, me përshkrim fature “Aparati Min.Brend. pagesë blerje dhurata…”; dhe 5,000 lekë të rinj, “e papërcaktuar” si kategori, me datë ekzekutimi 28.1.2014 dhe me përshkrim fature: “Aparati Min.Brend. blerje dhurate për emergj….”.