Shqipëria u çlirua në 29 nëntor, në 28 i’a mbathën tradhtarët

324

Nesër është data 29 nëntor. Përkujtohet përvjetori i 70-të i çlirimit të Shqipërisë. Ata që bënë luftën, prej 7 dekadash e përkujtojnë dhe e vlerësojnë këtë datë të shenjtë, si simbol të fitores historike mbi pushtuesit e tradhtarët, duke qenë pjesë aktive e sakrificës dhe luftës së madhe të koalicionit botëror kundër fashizmit e nazizmit. Në këtë përvjetor, ka një koincidencë në numër: 70 vjet çlirim dhe 70 mijë bijë e bija të Shqipërisë, që përbënin ushtrinë nacional-çlirimtare shqiptare, 28 mijë prej të cilëve derdhën gjakun në luftën për këtë ditë çlirimi e fitoreje të madhe. Nesër, nuk do të jenë në përkujtim ata që nuk nderojnë 29 nëntorin si datë çlirimi, por 28 nëntorin e shpurë prej tyre si alibi e qëllim djallëzor për të përdhosur këtë luftë. Lidhur me ditën e çlirimit 29 nëntorin dhe me këtë pozicion të asaj “turme” individësh e forcash politike që nuk e njohin dhe nuk e respektojnë këtë datë, ne zhvilluam një bisedë me ish-ushtarakun veteran, Sali Myftari.

 Nesër është 29 nëntor, viti i 70-të që përkujtohet çlirimi i Shqipërisë…

 Shqiptarët, si ata që kanë luftuar, që jetojnë e nuk jetojnë më edhe brezat e sotëm, janë pjesë nderimi e përkujtimi e kësaj date të madhe të vendit e të kombit tonë. Në 29 nëntor 1944, pas një lufte heroike prej 5 vitesh e gjysmë nën pushtim fashist e nazist, u çliruam. Ne do ta festojmë me nderim këtë datë, mbasi kemi detyrimin historik ta bëjmë këtë nderim jo si kalendar, por në vlerësim të gjakut të derdhur prej 28 mijë bijve e bijave që dhanë jetën për çlirim. Ky gjak ka një vlerë të madhe: Çlirimin e vendit!

 Por ka disa forca politike e individë në Shqipëri, që nuk e përkujtojnë 29 nëntorin si ditën e çlirimit…

 E dinë gjithë shqiptarët, se ata të cilët nuk njohin 29 nëntorin si datën e çlirimit të vendit, janë individë e forca që e urrejnë këtë luftë të madhe, këtë fitore historike, madje aq më tepër, që e mohojnë jo thjeshtë si fakt historik, por si “langoj” të ushqyer prej interesash e misionesh anti-shqiptare. Misioni i tyre është të hedhin baltë mbi luftën çlirimtare shqiptare, për të zbehur vlerat e kësaj epopeje popullore. Këta nuk e njohin 29 nëntorin, sepse faktikisht nuk kanë asnjë lidhje me këtë datë të madhe e të lavdishme historike. Ta kanë qenë brenda kësaj lufte, por si pjesë e humbësve jo e fituesve…

 Në çfarë aspekti, nuk kanë lidhje me 29 nëntorin 1944?

 Nuk kanë asnjë lidhje me 29 nëntorin, për faktin se ata mos njohës, mohues e denigrues të kësaj lufte që kanë mbetur ende gjallë dhe trashëgimtarët e tyre po kaq cinikë e mohues, nuk janë kontribuues në këtë luftë të madhe çlirimtare. Nuk janë as luftëtarë, as heronj e dëshmorë të kësaj lufte. Nuk kanë asnjë lidhje me fitoren mbi fashizmin e nazizmin. Këta janë Balli Kombëtar, që u pjesë aktive dhe e turpshme e pushtuesve italianë e gjermanë dhe Legaliteti, kreu i të cilëve Ahmet Zogolli bëri pazare të ndyra anti-shqiptare me fashizmin për pushtimin e Shqipërisë, mbushi valixhet me thesarin e shtetit dhe i a mbathi hajdutçe si “lepur” nëpër botë me gjithë sojin e sorrollopin e tij, ku edhe la kockat si tradhtar i kombit. Ata, jo nuk mund ta nderojnë, por as nuk mund ta durojnë dot festimin e 29 nëntorit, kësaj date të madhe historike e të lavdishme, që ka lidhje me çlirimin e vendit dhe me damkën e turpit të tyre, si anti-shqiptar e tradhtarë e pro nazi-fashistë. Keqardhja ime për këtë mos njohje të datës 29 nëntor, ka lidhje me brezin e ri pasardhës, të atyre që bashkëpunuan me pushtuesin, të cilët përpiqen me sforco e me banalitete deri komike, të “lajnë” turpin e paraardhësve të tyre tradhtar të kohës së luftës, të cilët në vend të ngrinin armët kundër pushtuesit, i ngritën kundër shqiptarëve që luftonin pushtuesin! Madje, mund të them se ka shumë bijë e bija të rëna në këtë luftë që janë vrarë prej ballistëve e legalistëve. Vetëm një fakt. Nuk kishte asnjë partizan, apo komunist që të punonte as ministër, as kuestor, as zyrtar i qeverive dhe administratës e policisë së fashizmit e nazizmit, por kishte vetëm krerë të lartë të Ballit e Legalitetit. Këta ishin bashkëpunëtorë aktiv të fashizmit e nazizmit, që kanë mbetur në histori si tradhtarë të kombit e të atdheut dhe si armiq të betuar të çlirimit të vendit, damkë e cila nuk do t’u hiqet përjetësisht. Sa për forcat politike jo balliste e jo legaliste, si PD dhe “askarditët” e saj, mund të them se janë thjeshtë dhe vetëm shërbëtorë të interesave të atyre që mohojnë këtë luftë çlirimtare.

 Ata përkujtojnë si datë çlirimi 28 nëntorin…

 Ballistët dhe legalistët e sotëm, të cilët prej 22 vjetësh hiqen si “patriotë e nacionalistë”, të rreshtuar nën himnin anti-kombëtar “salist”, kanë liri të plotë të bëjnë gjithçka, madje të festojnë si datë çlirimi edhe datat e lindjes, martesës e vdekjes së gjyshërve e etërve të tyre tradhtarë në ekzil. Por nuk guxojnë të festojnë datën 29 nëntor. Ata  kanë shpallur si datë çlirimi 28 nëntorin. Le të bëjnë çfarë të duan, vetë flasin, vetë dëgjojnë, por nuk zënë në gojë luftën, përkundrazi edhe përkujtojnë datë çlirimi edhe shajnë çlirimtarët! Edhe nuk e njohin luftën e popullit dhe të komunistëve edhe shkojnë vendosin lule në varrezat e dëshmorëve të kombit! Një gjë nuk duhet të harrojnë, ata që “festojnë” çlirimin në datën 28: Shqipëria u çlirua në datën 29 nëntor 1994. Në datën 28 nëntor i a mbathën tradhtarët dhe shërbëtorët e nazizmit.

Simboli i ballistëve janë koteci, pulat dhe shishja e rakisë

 Në datën 29 nëntor, festa e çlirimit ka këtë logo: “70 vjet fitore mbi pushtuesit, 70 vjet nderim për luftën dhe të rënët e saj për çlirimin e atdheut”. Në datën 29, ballistët që e quajnë si ditë çlirimi, nuk kanë asnjë logo çlirimi. Ata shkojnë në varrezat e dëshmorëve të kombit që ranë në luftë edhe kundër tyre si pjesë e pushtuesit, por atje ku nuk kanë asnjë hero, apo dëshmorë të tyre që të jetë vrarë në luftën kundër pushtuesit, që te ketë lidhje me çlirimin. E vetmja logo e ballistëve që kanë njohur e njohin shqiptarët sepse e kanë lënë vetë si “simbol” historik të tyre janë koteci, pulat dhe shishja e rakisë. Ky simbol, nuk u hiqet nga “balli” sa të jetë jeta.

Përparim HALILI