Histori të shkruara nga Ismail Qemali

1241
Sigal

Si mund të mos duash një vend që ke dëgjuar shpesh të flitet në shtëpi, që në fëmijëri? Si mund të harrohen të afërmit, edhe pse asnjëherë nuk të jepet shansi për t’i parë shikimet e tyre e t’i ruash në vitet që rrjedhin? Kujtimi i gjyshit, Nedim Mahmudi, ka ngelur i gjallë nëpërmjet kujtimeve të vendeve që ai ka jetuar: burgu, liria më në fund e arritur, qëndrimi në Francë. Mbi bufe është mbështetur edhe kutia e duhanit e argjendtë, ndërsa në sirtar është vendosur pagurja e vogël, e mbështjellë në kashtë, që ai e përdorte në rrugët e gjata me kalë ose me karrocë, duke menduar se pija e lehtësonte nga sëmundja. Një fotografi e zverdhur është e mjaftueshme për të risjellë në jetë atë që nuk ka qenë e mundur dhe kështu të duket se e ndien atë përqafim që nuk e ka provuar kurrë, jo për mungesë dashurie, por sepse historia e ka privuar atë njeri që në moshë të re, shumë më përpara se të lindte nipi.

Si mund të harrosh ngjarjet shumë shpesh të treguara rreth mangallit? Si mund të harrosh gjyshen, kur tregonte kujtimet e saj, e kënaqur ndërsa i valëzoheshin flokët e gjatë biondë, aq sa asnjë libër i historisë nuk ka mundur t’i përcjellë, sa sekrete kishin thënë në dhoma sulltani dhe i vjehrri, i sigurt për fuqinë e tij sulltani, i vendosur me krenari i dyti. Dhe fantazia e një fëmije nuk mund të mos imagjinonte veshjet madhështore, kolltukët dhe tapetet, dyert që hapeshin si me magji… kokat e prera të armiqve të ekspozuara në hajet që të shpinin në Portën e Lartë.

Ajo e kaluar që kthehej me periudha, në fjalët e të mëdhenjve, ka ngelur e paharrueshme dhe ka mbajtur gjallë prej vitesh dëshirën për t’iu kthyer atyre dokumenteve të pluhurosura, disa të grisura, por ende të lexueshme, që ndërtonin historinë si: fjalimet e shumta të mbajtura në raste të ndryshme politike, faktet, vendet, personazhet e mbarë botës, të krijuar në shënimet e shpeshta, të shkruara në frëngjisht me një kaligrafi jo shumë të vogël, të rregullt, me skajet e t-së dhe d-së të drejtuara gjithmonë në të njëjtën mënyrë dhe me atë firmë të vendosur dhe të gjerë, që dëshmonte një karakter të hapur, të sinqertë, fisnik dhe krenar, që ngjallte respekt, por edhe frikë.

Pa pasur një përgatitje metodologjike të përshtatshme, të privuar nga një bagazh kulturor i nevojshëm për të shkruar historinë, por të pasur me dokumente, pjesa më e madhe e të cilave është e panjohur, lindi tek unë dëshira për të evituar humbjen e informacioneve të rëndësishme dhe me rastin e 90 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë ( 28 nëntor 1912 – 28 nëntor 2002) të tregoj në mënyrë të përmbledhur çfarë është ruajtur për vite me radhë, sa për të përshkruar sërish, deri ku është e mundur dhe e dokumentuar, të gjithë historinë e familjes, për të cilën kam qenë dëshmitar në gjysmën e shekullit të shkuar.

Të dhëna të tjera të nevojshme janë mbledhur në librat e shkruar nga historianët e huaj dhe shqiptarë, nga bashkautore Savina Bari, që me një durim të jashtëzakonshëm ka gërmuar në raftet e bibliotekave të mbytura nga pluhuri dhe në arkivat e familjes dhe me njohuritë e saj në të dyja gjuhët, italiane dhe shqipe, ka bërë të mundur dallimin midis emrave dhe emërtimeve, shpesh herë të konsideruara pa lidhje midis tyre, por përkundrazi, nga një analizë e qartë dhe e gjatë tregonin që ishin lidhjet kyçe të bashkimit midis historisë së Perëndimit dhe asaj të Lindjes, dy pamje, pra, të një historie të vetme, ajo që jemi përpjekur t’ua tregojmë.

Kemi kërkuar më në fund t’ju paraqesim paraardhës të ndershëm, të përfshirë në ngjarjet e kohës së tyre, për të cilën janë përmbledhur qoftë episode, të lidhura ngushtë me ato të jetës së tyre, qoftë ndodhitë e konsideruara të nevojshme për të përshkruar plotësisht skenarin ku vepruan këta personazhe. Duke lexuar nëpër letrat e moçme, vumë re si historia e familjes është në të vërtetë historia e Shqipërisë dhe e Ballkanit të mijëvjeçarëve të fundit.

Drejt Pavarësisë, fragmente të historisë së Ismail bej Qemalit, ati i Shqipërisë

Përpjekjet e bëra nga Skënderbeu dhe nga Ali Pashë Tepelena për bashkimin e Shqipërisë me qëllim shpalljen e Pavarësisë ishin te destinuara që të dështonin, pasi mbështeteshin në mendimin se kryetari i ri i vendit –mbreti ose qoftë presidenti do ta fitonte nismën pa mbështetjen e hapur e të gjithë fisnikëve, disa prej të cilëve iu ishin marrë zotërimet e tyre. Një proces bashkimi, jo politik, por vetëm ushtarak, sigurisht, është i destinuar të dështojë. Për Pavarësinë e Shqipërisë nuk ishte e nevojshme forca, por ndërhyrja, politika dhe shumë shpejt historia do ta konfirmonte.

Ideja e Pavarësisë dhe, për më tepër, nuhatja e një fryme të re ndihej në vitet e fundit të sundimit të Ali Tepelenës, pasi shqiptarët e vërtetë, që i mbijetuan, qenë dëshmitarë të një ndryshimi të pashmangshëm dhe nuk e humbën rastin për t’i treguar sulltanit synimet e tyre. Në fakt, më 8 nëntor 1828 themeluan Lidhjen Shqiptare të Beratit, me në krye Ismail Beun e I, pikërisht me qëllim çlirimin nga zgjedha turke. Si pasojë rrodhën një seri përplasjesh: në malet Melesini në Leskovik më 1831, në malet e Shkodrës më 1835, të Dibrës dhe të Gjakovës më 1844. Këto përplasje qenë paralajmërimi i kryengritjes së 1847-s dhe, që nga ajo kohë e më vonë, patriotët shqiptarë iu vunë punës për të ndjekur me kujdes ngjarjet, duke pritur momentin e duhur për t’u liruar plotësisht nga turku.

Midis patriotëve qenë Ismail Bej i I, i parëlinduri dhe vëllai i tij Beqir Bej. Ky i fundit, u martua me Shahzade Vlorën, vajza e Sulejman Beut ( pasardhës i Mahmud Bej i III) dhe pati tre fëmijë. Selim Pashën, Mustafa Pashën dhe Xhemilen. Dy të parët i dhanë origjinë një dege anësore të familjes, ku përfaqësuesit e fundit jetojnë ende. Nga Ismail Bej lindën Mahmud Bej i IV, nga i cili pati origjinë fisi që erdhi deri tek Ismail Bej Qemali, ati i Shqipërisë dhe Muhamet Bej, lindur më 1811 i cili bëri një martesë morganatike (martesa midis një sovrani ose fisniku me një person që nuk i përket sërës së tij dhe, si pasojë, gruaja dhe fëmijët janë të përjashtuar nga të drejtat e trashëgimisë dinastike), kështu që pasardhësit e tij ( Ali Bej i III dhe Hysejn Bej) njihen pak. Detyrimi dinastik për të mos bërë martesë morganatike, megjithatë, u shfuqizua në fillim të 1900.

Për të ripërshkuar ambientin historik dhe shqetësimet që karakterizuan shekullin e XX-të, përdorën kujtimet e Ismail Bej Qemalit, në formën e cituar nga Story. Gjatë kryengritjes së grekëve, gjyshi im Ismail Qemali Bej i I (citon nipi i tij Nedim Vlora), që kishte marrë përsëri administrimin e Vlorës dhe kushëriri i tij Sylejman Pasha, (djali i Ibrahim Pashës), i integruar përsëri në qeverinë e Beratit, u hodhën kundër tyre në krye të trupave të sanxhakut, por, si pasojë e një diskutimi me komandantin e armatës turke gjatë rrethimit të Misolongut ( Akropoli në Athinë) braktisën fushatën dhe u kthyen mbrapsht.

* * *

“Kur fushata greke përfundoi (vera e 1827-s) dhe u krijua mbretëria e re, Rishad Pasha, veziri i madh dhe komandanti i ushtrisë turke, shkoi në Janinë për të vënë rregullin dhe për të forcuar sovranitetin e sulltanit në Shqipëri. Për t’u hakmarrë ndaj gjyshit tim, Reshid Pasha e ftoi në Janinë dhe i deklaroi se ishte emëruar Guvernator i Përgjithshëm ( sanxhakbej) i provincës. Ismail Bej, edhe pse u këshillua nga prijësit shqiptarë të Janinës që të kishte kujdes, për fat të keq mendonte se ishin xhelozë, megjithatë shkoi në Janinë, i shoqëruar nga pesëqind burra. Në mbërritje, trupat e tij qenë strehuar nëpër shtëpitë e ndryshme të qytetit, ndërsa ai u ftua që të strehohej menjëherë tek Reshid Pasha për të marrë detyrat e reja, sepse ceremonia nuk toleronte vonesa”.

* * *

“Ismail Bej, pa ngurrim, me një grup të vogël mbërritën me kuaj në pallatin e Guvernatorit, në qytezën e famshme. Mbrapa tyre dera u mbyll dhe ndërsa ishin duke zbritur nga kuajt, u shpartalluan të gjithë me armë. Gjyshit iu pre koka ( 15 maj 1828)”.

* * *

“Mbas këtij fakti, im atë Mahmud Bej i IV, tre xhaxhallarët e mi, ndoshta Muhamed Bej, Selim Pasha dhe Mustafa Pasha, këta të fundit djemtë e Beqir Beut, vëllai i Ismail Bej dhe të gjithë fëmijët u interesuan dhe u mbyllën në fortesën e Beratit me pjesën tjetër të familjes (ndoshta në Gjirokastër). Mbasi kaluan disa vite, u lejuan që të ktheheshin në Vlorë. Sylejman Pasha vdiq në 1828 dhe Qeveria e Beratit iu dha familjes Vrioni”.

* * *

“Besimi tek populli sapo ishte fituar përsëri mbas gjithë atyre ndryshimeve që kishin tronditur shpresën që shqiptarët kishin për administratorët, kur Porta e Lartë vendosi në 1848-n të aplikonte në Shqipëri ligjin themelor të njohur me emrin “Tanzimat” (e shpallur më Reskriptin e Gulhanës që mbi të gjitha vendoste taksat për shërbimin ushtarak të detyrueshëm). Këto masa, që hynë në fuqi, qenë njëkohësisht të dëmshme ndaj interesave të fisnikëve të përçmuar nga pjesa tjetër e popullsisë. Si pasojë, pati një lehtësim të përgjithshëm në të gjithë vendin”.

* * *

“Ushtria turke, e drejtuar kundër nesh nga toka dhe deti, hyri thellë në vend dhe për disa muaj pasuan një sërë luftimesh të ashpra, ku edhe një herë tjetër u pa humbja e ushtrisë perandorake. Të gjithë krerët shqiptarë, ku midis tyre spikatej im atë dhe xhaxhai im Selim Pasha, në krye të njerëzve dhe trupave të tyre zunë pozicione në zonat më të paarritshme të vendit. Një nga krerët ushtarakë kryesorë të kryengritësve që kishte qenë shumë i lidhur me familjen tonë ishte Gjon Leka (nga Mirdita), i cili ia mori hakun gjyshit tim Ismail Bej, duke vrarë mjeshtrin e ceremonive të Reshid Pashës, ndërsa mburrej se kishte prerë kokën e Ismail Beut”.

* * *

“Kur forcat e Perandorisë arritën të zbusnin kryengritjen, të gjithë krerët e aristokracisë dhe të fisnikërisë që kishin marrë pjesë në kryengritje u arrestuan dhe u internuan në Konya, në Anadoll, rreth 250 km në jug të Ankarasë, ose u burgosën në Stamboll. Familjet e krerëve kryesorë u internuan në Selanik dhe në lokalitetet e ndryshme të Maqedonisë, në lindje të liqenit Prespa, ku ishte vendosur lagja e përgjithshme e trupës ushtarake të Rumelisë. Dy xhaxhallarët e tjerë (ndoshta Muhamedi dhe Mustafa Pasha) u arrestuan në Vlorë, kur trupat turke të ardhura nga deti, vapori i parë që mbërriti në këtë krahinë, i quajtur nga shqiptarët “anija pa vela” morën në zotërim portin dhe qytetin. Nisja e tyre qe si pasojë e shumë problemeve për familjen dhe për më tepër si urdhër (nëna ime, vëllai im Sulejman, të gjithë fëmijët e vegjël dhe, përveç kësaj, gjyshja e babait tim Merjeme Biçaku), që të linin qytetin dhe të nisheshin për mërgim. Këto ngjarje që tronditën të gjithë Shqipërinë e Jugut u zhvilluan kur unë isha shumë i vogël për të kuptuar dhe për më shumë për të krijuar një gjykim për ata.

Familja jetoi në mërgim në Selanik, nën mbrojtjen e zotit Graser, konsull i Francës, por mbas tre vjetësh Porta e Lartë e pranoi gabimin politik ndaj Shqipërisë. Përpara se të jepte një amnisti të përgjithshme, iu duk e dobishme të dëshmonte synimet e reja e qeverisë perandorake dhe si detyrim i këtyre qëllimeve u emëruan: Ismail Rahmy Pasha (ndoshta djali i tretë i Velit), nipi i të famshmit Ali Pashës, Guvernator i Përgjithshëm i Shqipërisë Jugore (me banim në Janinë) dhe Ismail Pashë Plasën (ndoshta i të ëmës Hadije Asllan Pashaliu, gruaja e Mahmud Beut të IV, babi i Ismail Kemal Bej) Guvernator të Përgjithshëm të Shqipërisë Veriore me qendër në Prizren.

Duke u përgatitur për të kryer detyrat e tyre, të dy guvernatorët e përgjithshëm kaluan nga Selaniku. Meqë njëri ishte xhaxhai dhe tjetri daja, vizituan familjen tonë dhe na sollën lajmin e mirë të politikës së re për Shqipërinë, të marrë përsipër nga Porta e lartë, duke na siguruar se brenda një kohe të shkurtër do të na jepej leja që të ktheheshim në vendin tonë. Në fakt, brenda dy muajve mundën që të ktheheshin në Shqipëri së bashku me fisnikët e tjerë dhe u vendosën në Vlorë. Mbas pak u kthye babai im dhe më vonë xhaxhai im Muhamed Bej, si të gjithë të mbijetuarit e tjerë midis krerëve të internuar dhe fisnikëve të burgosur. Vetëm xhaxhai im Selim Pasha dhe komandanti ushtarak i famshëm Çelo Picari, që ishin konsideruar nga qeveria si element të rrezikshëm, u detyruan të banonin për ca kohë në Thesali”.

* * *

Kthimi ynë për në Vlorë qe shenja e fillimit automatik të guvernatorit të përkohshëm dhe administrimi i krahinës i kaloi sërish tim eti, si i pari i familjes (akoma në fuqi tagri i djalit të parë). E gjetëm shtëpinë tonë pothuajse të shkatërruar, gjatë mungesës sonë ishte e pushtuar nga Guvernatori, i cili, sapo i erdhi lajmi i mbërritjes tonë, mori vetë gjithçka që mundte dhe duke shkatërruar pjesën që ngeli. U detyruam të qëndronim për disa javë në shtëpinë e një fisniku në Vlorë, ndërsa shtëpia jonë po restaurohej. Popullsia na priti me gëzim të madh dhe ata që nga nisja jonë për mërgim kishin blerë mobiliet dhe objektet tonë të tjera na i kthyen duke na i ofruar si dhuratë”.

* * *

“Si qëllim për të thelluar eksperiencën time dhe për të përfituar zakonet më të mira të atdheut tim, im atë mendoi se do të ishte e dobishme të më merrte me vete në Janinë, ku u paraqita para guvernatorit të përgjithshëm, funksionarëve të ndryshëm të lartë dhe konsujve. Gjatë qëndrimit tonë në Janinë u shpall lufta me Rusinë (Lufta e Krimës, 4 tetor 1853) dhe babi im, si rrjedhojë, mori urdhrin të kthehej në Vlorë për të mbledhur burrat më të zotë për të luftuar kundër rusëve. U rekrutuan më shumë se 1500 ushtarë, por duke kuptuar synimet e grekëve për të përfituar nga rasti që të pushtonin Thesalinë dhe Epirin, Turqia u detyrua që t’i mbante rekrutët shqiptarë në vend për të përballuar çfarëdolloj rasti.

Në fakt, pak kohë më vonë grekët, luftëtarë në grupe të parregullta, nën komandimin e oficerit zyrtar, filluan pushtimin e Thesalisë dhe të Epirit dhe babi im, la mënjanë Vlorën, me trupat e tij për t’i vajtur në ndihmë komandantit dhe komisarit të madh turk, të famshmit Fuad Efendis, ish ministër i Marrëdhënieve me Jashtë dhe më vonë Fuad Pasha, vezir i madh. Grekët, sipas urdhrave të gjeneralit Grivas, ishin forcuar në Metsovo në verilindje të Janinës, por pasi u sulmuan nga trupat e tim ati, u dëbuan nga një vend që ishte konsideruar si i paarritshëm dhe e gjithë krahina u lirua dhe u rivendos rregulli. Për këtë veprim, Fuad Efendi i dorëzoi babit tim një dekoratë të lartë dhe një këllëç nderi. Më pas, si komandant i Milicisë Shqiptare, mori detyrën që të mbante rregullin në krahinat që ishin skenë luftimesh”.

* * *

“Gjatë mungesës së babait tim, administrimi lokal ishte drejtuar nga xhaxhai im Selim Pasha. Në atë periudhë patëm në Vlorë dy vizita të rëndësishme të Kryedukës Masimiliani, më vonë Perandor i Meksikës dhe të oficerëve të flotës franceze me drejtim për në Krimea. Meqë unë isha i vetmi mashkull i familjes, edhe pse shumë i ri, xhaxhai im më mbante gjithnjë afër dhe bëra pjesë në delegacionin zyrtar që i bëri vizitë Kryedukës, në bordin e anijes luftarake austriake ( Vlora 1978)”.

– Në këtë mënyrë filloi karriera politike e Ismail Qemalit që akoma shumë i ri, pranoi detyrën e tij të parë të rëndësishme, Guvernator i Varnës 1867, por njëkohësisht refuzoi titullin e pashait. Mbi jetën e Ismail Qemalit dhe aktivitetit të tij politik, që vijoi me shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë në 28 Nëntor 1912. Historianët kanë dhënë çdo hollësi dhe kanë analizuar çdo ngjarje, meqë do të ishte jo me leverdi në këtë rast të sillnim një përmbledhje, sado pak të vogël dhe sipërfaqësore. Do të ishte më me leverdi që të sillnim përmbajtjen e disa pergameneve të ruajtura në arkivin e familjes, firmanët ( dekretët) e firmosur nga sulltani Abdul Hamidi i II (1878 -1909):

– Veprimtaria e të Rinjve Turq (prurësit e revolucionit) radikalku në 1909, dha dorëheqjen sulltani Abdyl Hamidi i II dhe u inaugurua një regjim kushtetues nën Mehmetin e VI, i ndërroi mendjen liberale Ismail Qemal Beut me shpresën se Perandoria Osmane mund të shndërrohej në një komunitet kombësish, ku brenda së cilës Shqipëria do të fitonte autonominë, nëntor 1912, theksoi vullnetin për të garantuar Pavarësinë e Shqipërisë, për më tepër e premtuar më 1900 nga Austriakët. Ismail Bej la mbledhjen e Bukureshtit, shkoi në Vjenë dhe pastaj në Durrës, nga ku marshoi deri në Vlorë, qytetin e tij të lindjes dhe më 28 nëntor të 1912 , në praninë e shtatëdhjetë delegatëve të ardhur nga i gjithë vendi shpalli Pavarësinë, duke ngritur nga ballkoni i pallatit të tij flamurin e familjes Araniti Komeni, por me ngjyrat e kuqe dhe të zezë të shtuar nga Skënderbeu.

– Më 1 dhjetor fuqitë e mëdha (Austro-Hungaria, Franca, Italia, Gjermania, Rusia dhe Anglia) njohën shtetin e ri. Greqia u tërhoq nga njohja, pasi Shqipëria Jugore duhet të ishte konsideruar si pjesë e Epirit, pra të territorit grek, pasi edhe popullsia ndiqte të njëjtën fe ortodokse. Tërheqje pati edhe nga ana e Serbisë që nëpërmjet Shqipërisë Veriore synonte të arrinte detin Adriatik dhe nga Mali i Zi, që shpresonte t’i bashkangjitej Shkodrës.

– Ditën e Pavarësisë u shkri principata e Vlorës dhe e Beratit, ajo e Labërisë mbi të cilën familja kishte sunduar prej shekujsh u bë provincë shqiptare dhe, për më tepër, nga një marrëveshje sekrete të Aleancës Treshe, duke qenë mysliman dhe ish funksionar i Perandorisë Osmane, Ismail Beut i duhej te impenjohej që të mos mbretëronte në vendin e ri. Dhe fjala e dhënë u mbajt më 1919.

– Në mbarim të Luftës së Parë Botërore, në fakt, panorama gjeopolitike europiane ishte ndryshuar dhe ishte ulur interesi për Shqipërinë, që ishte në duart e qeverisë italiane.

– Gjatë takimeve të rezervuara kryeministri Vittorio Emanuele Orlando dhe minsitri i Punëve të Jashtme Sidney Kostantino Sonino i kishte ofruar Ismail Qemal Beut principatën e Shqipërisë në këmbim të rilëshimit, në favor të industrisë italiane, për përpunime minerale. Refuzimi i vendosur qe fatal, ku më kot priti të takonte në Peruxha përsëri dy politikanët italianë. Këta ishin në kontakt me Esad Pashën. Ismail Qemal Bej, nga ana tjetër, edhe një herë tjetër, kishte respektuar integritetin e vendit, duke konfirmuar se i kishte premtuar komunitetit të rëndësishëm shqiptar në VVorcester (USA) të siguroj dhe të garantoj pavarësinë e plotë politike dhe tregtare të Shqipërisë.

– Mbrëmjen e 26 janarit të 1919, në hotelin Brufani të Peruxhës, ku ishte strehuar së bashku me të parëlindurin e tij Mahmud dhe fëmijët Et’hem dhe Qazim, mbas darkës, i zbehtë dhe dridhej, e kapën dhimbje të forta në bark dhe i filluan pështjellime të forta. Trupi i tij u mbajt në Peruxha edhe për dy javë pastaj u dërgua për në Vlorë, më 9 shkurt. Nuk mund t’i bëhej autopsia, sepse të brendshmet i ishin hequr.

– “Në Vlorë… në Vlorë… në Vlorë prefekti urdhëroi të mblidheshin”, thotë një këngë popullore e Sarandës, “vjen nga deti Ismail Bej . Vjen i vdekur, i shkreti. Ishte i sëmurë dhe vdiq. Midis duarve shtrëngon flamurin”.

Me vdekjen e Ismail Qemal Bej Vlorës, ngjarje të tjera, por mbi të gjitha personazhe jo shumë të njohur, detyruan familjen që të mos ndërhynte në çështjet politike të vendit. Mbas pohimit të Pavarësisë dhe sovranitetit të Shqipërisë nga ana e Konferencës së Ambasadorëve (Paris 17 dhjetor 1920), në fakt, historia e shtetit të ri ra në duart e krerëve të ndryshëm politik që u përballuan midis tyre Ahmet Zogu, Ahmet bej Toptani, Shefqet bej Vërlaci, Fan Noli derisa të mbështetur nga Jugosllavia dhe Italia më 1924 pushtetin e mori Zogu.

(Tregimi i gjatë i marrë nga fragmente të ndryshme të historisë së botuar tek “La famiglia Araniti Comneno Vlora”, me ndihmën e nipit të parë të Ismail Qemalit, Nedim Vlora, i cili sot jeton në Bari, Itali.

Mimoza Haxhiaj