Rritja e çmimit të karburanteve, fermerët lënë djerrë qindra hektar tokë

972
Sigal

Nuk është mbajtur asnjë premtim në Qarkun e Beratit po rikthehet tradita, tokat po punohen me parmendë

Stina e vjeshtës është quajtur ndryshe stina e të mbjelljeve dhe në veçanti muaj tetor shënon kulmin dhe fermerët shprehen se tani toka duhet punuar e duhet mbjellë. Por realisht nuk po veprohet ashtu siç është në teori, sepse në fakt qindra hektarë tokë po lihen pa punuar. Shkaku kryesor duket se është rritja e çmimit të karburantit. Dhe sipas fermerëve është ky fakt që shumica e tokave në Berat po lihen në djerr. Fermerët e qarkut shprehen se janë të detyruar që të lënë tokat e tyre pa mbjellë, pasi nuk kanë lekë për ta punuar. “Karburanti është tema e ditës tek ne fermerët”, shprehet Selam Tare, 45 vjeç nga Komuna Poshnje. “Ne po i rikthehemi përsëri traditës së mëparshme duke punuar tokat me parmendë. Mirë unë, kam mundësi dhe e realizoj, por ka nga ata fermerë që nuk po e realizojmë dot pasi mungojnë qetë apo kuajt që t’i mbrejmë në zgjedhë e të tërheqin parmendën”, tha Tare. Fermerët shprehen se, janë përpara një situate tepër të vështirë, sepse kjo është dhe stina e mbjelljeve të shumë bimëve bujqësore dhe deri tani as gjysma e tokave nuk është punuar. “Ne nuk kemi mundësi që të plugojmë tokën në këto kushte që jemi. Kjo ka ndikuar shumë në lënien e tokave djerrë, pasi fermerët më mirë e kanë që ta lënë pa punuar sesa të torturohen duke kërkuar lekë borxh e duke blerë karburantin. Shumica prej banorëve këtu në Poshnje kanë hedhur farën në sipërfaqe të tokës, me shpresë nga zoti që të bjerë shi, për të mbrojtur farën nga ngrënia e shpendëve të egra. Por kjo nuk është bujqësi”, u shpreh Selam Tare. Në shumë zona rurale të Qarkut të Beratit të shikon syri shumë fermerë që kanë mbrehur një kalë me një lopë, të cilat tërheqin parmendën, ku dhe mbi parmendë shikon një të moshuar që mëshon mbi të. Kjo nuk është bujqësi, -shprehen fermerët e shumët. “Kjo është të kthehemi edhe një herë në kohë, ne po ktheheni para çlirimit. Disa herë qeveritarët tanë janë shprehur se do të ulin çmimin e karburanteve për fermerët, por këto kanë mbetur vetëm fjalë dhe asgjë më shumë,- u shprehën fermerët të revoltuar. Nëse vazhdohet kështu e gjithë toka do të mbetet djerrë dhe varfëria do të shtohet më shumë, thanë ata.