Rrethrrotullimi i “vdekjes”

494
Sigal

Rrethrrotullimi i TEG-ut është sot njolla më e zezë e rrugëve të Shqipërisë. Që nga hapja e të dy korsive të rrugës së re Tiranë-Elbasan, vetëm brenda pak javësh, dhjetëra aksidente janë shënuar në këtë vend. Ky mund të quhet pa dyshim këndi i vdekjes. Bordurat e thyera i përkasin aksidentit të mbrëmshëm, ku u shua një familje me katër persona. Kjo tufë me lule dhe kjo pemë e tharë i përkasin një aksidenti të para pak ditëve ku humbi jetën një vajzë, makina e të cilës pasi u përplas me bordurën, u përfshi edhe nga zjarri duke shkaktuar djegien e pjesshme të kësaj peme. Kjo shenjë e zezë i përket një tjetër aksidenti, pa pasojë fatale për jetën.

Ndërsa pak metra më tutje janë ende në asfalt dhe trafikndarëse shenjat e një tjetër përplasjeve. Ky rrethrrotullim ka patur disa tabela dhe shtylla të ndriçimit publik, por aksidentet e përnatshme i thyen dhe shkulën ato. Ngjarjet e rënda ndodhin gjithmonë në mesnatë apo në orët e para të mëngjesit. Çfarë ndodh në këtë vend? Nga këtu, rruga deri tek rrethrrotullimi ngjason me një pistë aeroporti. Një mundësi e mirë për të pasionuarit e shpejtësisë. Por kur mbërrijnë tek rrethi, është vonë për të vënë në kontroll automjetin. Kjo bordurë është pengesa e parë, ku makinat përplasen dhe më pas tërësisht jashtë kontrollit përfundojnë në këtë kënd.

Rruga i ka të gjitha tabelat dhe sinjalistikën, gjatë 500 metrave distancë janë të paktën katër tabela që paralajmërojnë njëra pas tjetrës rrethrrotullimin dhe rekomandojnë uljen e shpejtësisë. Faktet tregojnë se nga ata që janë përplasur askush nuk i ka respektuar. Ajo që mund të bëjnë autoritetet rrugore, në përpjekje për të shmangur të paktën viktimat, është që të vendosin goma makinash në këtë kënd, në mënyrë që përplasja me bordurat të mos jetë fatale.