Rreth Luftës së Dibrës 1920-1921

2518
Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Formimi i Komitetit të Luftës

Kryengritja e armatosur u vendos në kuvend të krerëve të Dibrës. Ata u mblodh në fshatin Arras të Qidhnës më 13 gusht 1920. Për drejtimin e luftës u formua Komiteti i luftës me anëtarë Elez Jusufi, Ramiz Daci, Hamit Dibra, Jashar Erebara, Ismail Strazimiri dhe disa të tjerë. Komandanti i përgjithshëm i forcave kryengritëse u caktua Elez Jusufi. Komiteti i drejtoi një ultimatum komandës serbe në Peshkopi, ku i kërkonte zbrazjen për 24 orë të tokave të Shqipërisë. Komanda serbe nuk u përgjigjën. Kryengritja filloi në Dibrën e Poshtme. Thirrja tradicionale “A besa besë”, me mijëra luftëtarë të udhëhequr nga Jusuf Xhelili, nipi i Elez Jusufit në mëngjes të 16 gushtit 1920, sulmuan Kodrat e Shumbatit ku ndodheshin forcat kryesore serbe. Pas një orë luftimesh të ashpra, serbët u shpartalluan, ku lanë 100 të vrarë dhe 600 robër, armatime dhe municione. Në të njëjtën kohë, luftëtarë të tjerë sulmuan repartet serbe të përqendruara në afërsi të Peshkopisë, në Pollozhan, në Kodrat e Kabës, në Lisat e Trenës, ku u zunë robër rreth 800 vetë, të cilët i nisën për në Tiranës dhe më pas nëpërmjet Durrësit, i kthyen me anije në Jugosllavi. Kryengritja e luftëtarëve u përhapja me shpejtësi në Dibrën e Sipërme, ushtritë jugosllave braktisën “vijën strategjike”. Në mbrëmjen të ditës kryengritësit zunë vijën e kufirit. Kryengritësit çliruan dhe Dibrën e Madhe dhe hynë në qytet. Ushtritë jugosllave braktisën qytetin dhe Grykën e Radikës. Kjo ishte fitore, por nuk përfundoi me ndonjë protokoll. Më 17 gusht 1920 me urdhrin e komandës, kryengritësit u tërhoqën nga qyteti. Elez Jusufi, në një deklaratë, ftoi ushtrinë serbe të kthehej në Dibrën e Madhe, duke garantuar dhe respektuar kufijtë e vitit 1913. Qeveria e Beogradit pruri përforcime për të ripushtuar tokat e humbura. Për të përballuar ofensivën e armikut, Komiteti i Luftës vendosi në pikat kyçe të kufirit forca të komanduara nga Dan Cami në Vitisht, Destan Puca në Çerenec, Dine Dema në Homesh, Dine Hoxha në Bllatë, Dine Maqellara në Maqellarë, Myftar Kaloshi në Skërtec, Jusuf Xhelili në Kala të Dodës, për të mbrojtur shpinën nga sulmet e armikut nga Luma. Ofensiva jugosllave filloi më 2 shtator 1920, në sektorin e Bllatës dhe Maqellarës. Forcat luftëtare dibrane i bënë rezistencë sulmit të armikut, por mungesa e armatimeve dhe drejtimi jo i mirë nga Dine Hoxhës dhe Dine Demës u tërhoqën në Kodrat e Qenokut. Gjatë marshimit të luftëtarëve ushtritë jugosllave përsëritën barbarizmat e vitit 1913. Masakruan qindra banorë dhe dogjën fshatra të zonës së Maqellarës. Shovinistët serb nuk kursyen asgjë, mizoritë e shfrenuara të tyre dhe rënia e Qenokut, shkaktuan panik në disa krerë të lëkundur të Dibrës. Për të shpëtuar popullsinë nga shfarosja Elez Jusufi, në krye të mijra luftëtarëve rezistoi me armë, deri sa banorët e Fushës së Topalltisë kaluan Drinin për në Lurën malore, nga ku pastaj vazhduan rrugën për në Mat, Qafë Shtamë, Krujë, Tiranë. Më 3 shtator 1920, në mbrëmje ushtritë jugosllave hynë në Peshkopi dhe masakruan banorët që gjetën aty. Ushtritë jugosllave nuk u ndalën në “vijën strategjike” por e vazhduan marshimin në thellësi të Shqipërisë me qëllim detyrimin e qeverinë së Tiranës të kapitullonte para kërkesave të Beogradit, duke i lënë vendin një qeverie tjetër. Qeveria Jugosllave rriti presionin dhe vuri në veprim mbeturinat e forcave esadiste të strehuara në Jugosllavi, të cilat, të organizuara në banda të parregullta, nën komandën e Taf Kaziut dhe të Osman Memës, marshuan në të njëjtën kohë, në drejtim të Martaneshit dhe Çermenikës, për të dalë në Tiranë dhe në Elbasan. Pushtimi serbomadh dështoi, por zona dibrane mbeti përsëri pjesërisht e pushtuar dhe qeveria e Tiranës i vazhdoi përpjekjet diplomatike, për ta detyruar Beogradin të tërhiqte ushtritë e veta nga tokat e pushtuara. Në prill të vitit 1921 ajo e ngriti çështjen në Lidhjen e Kombeve. Në qershor, delegati i Shqipërisë, Fan Noli, kërkoi me këmbëngulje largimin e ushtrisë jugosllave jashtë kufijve të vitit 1913.

Lufta e dibranëve në zonën e Mirditës
Lidhja e Kombeve, nën ndikimin e Fuqitë e Mëdha, kërkesën e Tiranës ia kaloi për shqyrtim Konferencës së Ambasadorëve, ku rol të rëndësishëm kishte Franca, përkrahëse e Jugosllavisë. Qeveria e Beogradit e nxiti politikisht dhe financiarisht nga kapedani i Mirditës, Marka Gjonin, organizoi një kryengritje të armatosur kundër shtetit shqiptar. Rebelimi filloi në fund të qershorit, por shumica dërmuese e mirditorëve, me gjithë pakënaqësinë që kishin ndaj qeverisë së Tiranës, nuk e pasuan kryebajraktarin, i cili më pas u largua në Jugosllavi. Disfatë të rëndë pësoi në Shkallën e Gjonit nga Batalioni i Drinit, i formuar me rezervistë dhe vullnetarë dibranë, nën komandën e Ali Riza Kosovës. Ndihma ushtarake e dhënë nga serbët, bëri që Marka Gjoni të shpallë më 17 korrik 1921 në Prizren, Republikën autonome të Mirditës, duke u kthye përsëri në Shqipëri, por pa sukses. Në ndihmë të kapedanit mirditor erdhën me shpejtësi nga territori jugosllav forca mercenare të armatosura nga drejtimet e Dibrës dhe të Prizrenit. Batalioni i Drinit u nda në dy pjesë dhe u doli përpara. Duke parë epërsinë e forcave armike, Elez Jusufi mobilizoi 1.000 luftëtarë nga fshatrat Reç, Dardhë, Qidhnë e Lurë, që së bashku me ushtarë të Batalionit të Drinit, i thyen më 1 gusht 1921 mercenarët te Gropa e Gëlqeres dhe i detyruan të ktheheshin në Arras, pasi lanë rreth 100 të vrarë. Në ndeshjen e dytë të zhvilluar më 10 gusht, forcat mercenare u tërhoqën nga viset përtej Drinit. Luftëtarët nuk i ndoqën, por ju drejtuan Mirditës së bashku me repartet qeveritare në asgjësimin e bandave të Marka Gjonit. Kapedani u gjend keq dhe kërkoi të dorëzohej në “besë” të Elez Jusufi. Komandant Elezi priste në Lurë dorëzimin e kapedanit, forca të ushtrisë së rregullt jugosllave, shoqëruar nga bandat renegato-shqiptare dhe reparte mercenare bjellogardiste, u përqendruan gjatë Drinit të Zi. Më 17 shtator komanda jugosllave u dërgoi forcave shqiptare në Dibër ultimatum me afat 24 orë, ku kërkohej largimi i tyre nga fshatrat Qidhnë, Dardhë dhe Lurë nga rrugët që shkonin në Mirditë. Komanda armike refuzoi dhe Këshilli i Luftës lëshoi kushtrimin. Më 18 shtator, ushtritë jugosllave filluan bombardimin. Forcat ushtarake dhe luftëtarët shqiptarë u tërhoqën në vende strategjike, në malin e Sinës dhe të Gjegjishtit. Më 19 shtator, duke kujtuar se rruga ishte e hapur, ushtritë serbë marshuan nga Dardha, por në Soricë u thyen dhe u tërhoqën duke lënë rreth 15 të vrarë. Më 20 shtator marshuan nga Sinja, por u detyruan të tërhiqen, pasi lanë 30 të vrarë, në pritat e zëna nga luftëtarët te Guri i Sukës dhe Kodra e Pëllumbit. Më 21 shtator sulmi u përsërit nga ana e Sinës. Kundërsulmi i luftëtarëve ishte i rreptë dhe armiku u tërhoq duke lënë 230 të vrarë.

Beteja vendimtare
Nga këto disfata qeveria e Beogradit i ndërpreu sulmet, duke shpresuar se kriza politike në Tiranën do detyronte qeverinë shqiptare të pranonte pretendimet jugosllave. Më 19 tetor 1921, në Tiranë erdhi në fuqi qeveria e “Grupit të Shenjtë”, e vendosur për të mos bërë asnjë lëshim territorial, Beogradi përgatiti një ofensivë për të arritur në Mirditë. Komanda jugosllave i përqendroi forcat në një front të ngushtë rreth 5.400 ushtarë e mercenarë. Pajisur me 31 topa dhe me qindra mitraloza të rëndë e të lehtë. Ndërsa pala shqiptare kishte Batalionin e Drinit me 400 ushtarë, 700 vullnetarë, 2 topa dhe 4 mitraloza, nën komandën dyshe të Ali Rizajt dhe Elez Jusufit. Kishte dhe një batalion prej 300 vetë, nën komandën e Nazif Voshtinës të dërguar nga qeveria e Tiranës, të përbërë nga bedelë që u mungonte shpirti luftarak. Lajmi për rifillimin e ofensivës nga armiku, ishin gati 2.000 luftëtarë që morën armët dhe u vunë në dispozicion të komandës ushtarake shqiptare. Ofensiva ushtarake jugosllave filloi në mëngjesin e 26 tetorit 1921, me bombardim të gjatë kundër pozitave shqiptare, të pasura nga sulmi i gjithanshëm i reparteve të rregullta dhe mercenare. Shqiptarët rezistuan, por krahu i Muhrrit, nga sulmonte Taf Kaziu u tërhoq. Këtë e shfrytëzuan forcat jugosllave, që depërtuan në thellësi të Malësisë, duke dalë në Dejën e Macukullit, në shpinë të forcave shqiptare. Në sektorët e tjerë, ushtarët dhe vullnetarët dibranë rezistuan gati 40 orë, pastaj u tërhoqën në Lurë. Ditën e tretë, më 28 tetor 1921, në Lanën e Lurës, u zhvillua beteja vendimtare. Luftëtarët dibranë, ushtarë apo civilë, u përleshën me ushtritë jugosllave dhe, në përfundim të betejës i detyruan të tërhiqen në breg të Drinit. Fitorja e Lanës së Lurës pati pasoja të rëndësishme, sepse dogji kartën e fundit të qeverisë së Beogradit. Ushtritë jugosllave nuk i përsëriten më operacionet ushtarake. Më 9 nëntor 1921, Konferenca e Ambasadorëve, hodhi poshtë pretendimet e Jugosllavisë për “vijën strategjike”. Pranoi vetëm shkëputjen e disa viseve në krahinën e Lumës dhe të Hasit, kurse në trevën dibrane vetëm rrugën që lidhte qytetin me Strugën, e cila kalonte anës Drinit nën këmbët e maleve të Gollobordës. Qeveria e Beogradit deklaroi se do t’i tërhiqte trupat e veta nga zona “strategjike”, por i vazhdoi provokacionet për të shkaktuar trazira në Shqipëri, përpara se të vinte në kufi komisioni ndërkombëtar, i caktuar për të vëzhguar zbatimin e vendimit të Lidhjes së Kombeve. Jugosllavia u detyrua t’i largonte ushtritë e saj nga territoret e pushtuara të Shqipërisë dhe u cilësua, agresore nga Lidhja e Kombeve.
Sigal