Pezullohet gardiani zviceran: Ka përgjegjësi për arratisjen e shqiptarit të dënuar përjetë

87
Pas ikjes spektakolare që ndodhi javën e kaluar nga burgu qendror në Freiburg të Zvicrës, autoritetet kanë identifikuar personin përgjegjës. Punonjësi i burgut, i cili në natën kritike kishte shërbimin e natës, do të pezullohet nga puna, bëhet e ditur në një njoftim nga organet përgjegjëse të kantonit.
Personi në fjalë ka bërë një gabim të rëndë dhe për këtë arsye është dëmtuar raporti i besimit të ndërsjellë, thuhet më tutje në njoftimin e cituar nga mediat zvicerane. Por aty mungojnë detajet lidhur me shkeljen konkrete të punonjësit të përmendur.
Veç pezullimit të këtij të fundit, autoritetet përgjegjëse do të bëjnë një hetim për të përmirësuar organizimin dhe kontrollin në burg.
Siç është shkruar tashmë, personi i arratisur është shqiptari nga Kosova, Bashkim L., i cili ishte dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e një shqiptari tjetër në Frasser të kantonit Friburg.
Personi në fjalë vazhdon të jetë në arrati dhe ndaj tij është ngritur edhe një fletarrest ndërkombëtar.
Bashkim L. Ka dalë nga qelia e tij përmes një dritareje të sigurisë, me grila, dritare kjo që normalisht nuk mund të hapet. Kështu thotë sekretari gjeneral i drejtorisë së Kantonit të Friburgut për siguri dhe drejtësi, Didier Page.
Me gjithë faktin se xhirimi nga videokamera e vëzhgimit tregon vetëm një person, Page konsideron se i arratisuri duhet të ketë pasur ndonjë ndihmë nga jashtë. Kjo për faktin se për të tejkaluar masat e sigurisë së lartë që mbretërojnë në këtë burg, nevojiten vegla, mjete të forta. E ato, zakonisht nuk mund të gjenden në burg, ka shtuar ai.