Sipas skenarit, harta zyrtare greke do ketë si vijë kufitare Lazaratin, vetëm 1.6 kilometër larg nga harta zyrtare territoriale e qytetit të Gjirokastrës
Fituesi i pushtetit politik-ekzekutiv në Greqi, kryeministri Alexis Tsipras, tashmë kryeministër i Greqisë së dërmuar ekonomikisht e politikisht, duket se ka marrë seriozisht qëndrimin ndaj interesave të vjetra greke mbi territoret shqiptare, me synimin për të skicuar e ngulur kufijtë sipas përrallë-ëndrrës “Vorio-Epir”. Pas deklarimit të hapur, që “Greqia do merret seriozisht me Paktin për Detin Shqiptar”, kryeministri Tsipras, deklaroi në media, se “Shqipërisë do t’ia vendosim kufirin tek thana”. Një lajm që ka dalë së fundi e po qarkullon masivisht në zonën Gjirokastër, Sarandë-Tepelenë-Përmet, po na bën të kuptojmë, se çfarë plani ka ideuar kryeministri grek Tsipras ndaj Shqipërisë, kur është betuar: “Shqipërisë, do t’ia vendosim kufirin tek thana!”.
Gjirokastra gjëmon nga lajmi: “Dropullin do ta blejë Greqia”
Prej 1 jave, Gjirokastra dhe krejt Jugu i Shqipërisë po gjëmon nga lajmi: “Dropullin do ta blejë Greqia”. Në Tepelenë, ku vuajnë për “kafshatën e bukës” dhe “për 1 orë punë”, thonë: “Le të na blejë greku edhe neve, të pakën bukë do hamë”. Në Përmet, thonë: “Eja merrna edhe neve o grek, se këtu po vdesim për bukë”. Në Sarandë, thonë: “Gati ishim që në ‘97-ën”! Në Gjirokastër dihet, andej e kanë kokën të gjithë edhe shtetarët! Në krye të kësaj lëvizjeje që po popullarizohet frikshëm, janë vënë qarqet greke dhe qarqe shqiptare (antishqiptare), që paguhen prej tyre për të arritur finalizimin e shkëputjes së territoreve shqiptare në favor të synimit grek të “Vorio-Epirit”. Kur kryeministri grek Tsipras, deklaroi se “Shqipërisë do t’ia vendosim kufirin tek thana”, padyshim që e ka pasur fjalën për skemën e re që po ideon e po përgatit “nën tavolinë”, për të aneksuar trojet jugore shqiptare. Fill pas deklaratës së Tispras, se “Shqipërisë do t’ia vendosim kufirin tek thana”, brenda qarqeve minoritare greke të shoqatës “OMONIA” në Gjirokastër është krijuar një optimizëm i madh, që po hedh në ofensivë “pune intensive” minoritarët grekë që banojnë në Jug të Shqipërisë. Lajmi që po qarkullon brenda qarqeve të shoqatës “Omonia”, mes minoritarëve grekë në Gjirokastër dhe brenda klanit të politikanëve e shtetarëve shqiptarë me kombësi greke në Tiranë, ka lidhje me aneksimin nga shteti grek i zonës së Jugut të Shqipërisë, ose zonës “Dropull”, siç quhet.
Pani grek synohet të realizohet, duke shfrytëzuar Ligjin shqiptar të tokës Nr. 7501
Ky aneksim, nuk do të bëhet as me luftë të armatosur sipas Ligjit të Luftës me Shqipërinë të datës 10.11.1940, të cilin Greqia ka akoma në fuqi dhe as me lobimet greke të antishqiptarit Nikolas Geixh. Gjithçka do të realizohet “me paqe”, duke shfrytëzuar të drejtën e pronësisë individuale e kolektive mbi tokën në zonën e banuar nga minoritarët grekë. Konkretisht, minoritarët grekë që banojnë në truallin shqiptar të quajtur zona “Dropull”, do të bashkojnë tokat që kanë në pronësi, duke i kthyer në tokë pasuri kolektive komunitare, me status “rajon”. Janë tokat shqiptare, të dhëna me Ligjin shqiptar 7501 të ndarjes së tokës pa shpërblim e në pronësi, për banorët që jetonin e punonin mbi këto toka. Tashmë, këto toka në Jug të vendit janë bërë pronë ligjore e minoritarëve me kombësi greke, që jetojnë në fshatrat e zonës “Dropull”. Kthimin e zonës “Dropull” në zonë me status “rajon” e lejon edhe ligji shqiptar i ndarjes territoriale shqiptare, mbështetur në numër popullsie e sipërfaqeje, siç u veprua me krijimin e bashkive të veçanta me popullsi minoritare greke në Gjirokastër e maqedonase në Korçë, por që me Ligjin 7501, ata janë edhe pronarë të territorit…. Ligji për ndarjen territoriale e veçoi zonën minoritare greke në Dropull me bashki më vete. Sipas të drejtës ndërkombëtare mbi referendumet për vetë-vendosje qeverisëse komunitare rajonale, banorët minoritarë grekë të Dropullit kanë të drejtë të kërkojnë qeverisjen autonome, mbasi janë pronarë kushtetues kolektiv, të sipërfaqes territoriale ku banojnë. Këtë të drejtë e njeh edhe Kushtetuta e Shqipërisë. Ndoshta me këtë skemë që ka dalë në skenë me pushtetin e ri “Tspiras”, shpjegohet edhe fakti që në Shqipëri, vetëm në zonën e Dropullit janë dhënë qysh në fillim 100% titujt e pronësisë mbi tokat bujqësore, të falura me Ligjin 7501. Me këta tituj pronësie, tashmë ajo quhet tokë e me 100% pronarë territori popullsi greke. Këto toka, për të fituar fuqinë e aneksimit, gjoja do të blihen nga shteti grek, duke u bërë pronar i territorit “Dropull”. Pas blerjes, pra, pas bërjes së Dropullit 100% “hartë territoriale pronë e shtetit grek”, shteti grek do të kërkojë nga organizmat ndërkombëtar e nga shteti shqiptar, aneksimin e kësaj hapësire territoriale nga harta shtetërore shqiptare, në kuadrin e një “rajoni grek, me pronësi trualli e popullsi 100% greke”. Këtë aksion po e menaxhon udhëheqja e re e shoqatës “Omonia”, e drejtuar nga Leonidha Papa e cila, 12 orë pas zgjedhjes në krye të shoqatës, ka udhëtuar drejt Greqisë, ku ka marrë “bekimin” në takimin publik me ish-kryeministrin grek Antonis Samaras dhe në takimin e fshehtë me kryeministrin Alexis Tsipras, takime në të cilët gjoja u fol për pensionet e minoritarëve grekë në Shqipëri. Synimin e aneksimit të Shqipërisë, që Greqia nuk e finalizoi dot me sulmin e 2 gushtit 1949 në Jug të Shqipërisë, që nuk e finalizoi dot me sulmin ushtarak në Peshkëpi të Gjirokastrës në 10 prill 1994, që nuk e finalizoi dot me shkombëtarizimin shqiptar nëpërmjet regjistrimit të popullsisë, që nuk e realizoi dot me dhënien e dyshtetësisë shqiptarëve, që nuk e finalizoi dot me Paktin Detar, që nuk po e realizon dot prej 24 vitesh me propagandën fetare antishqiptare të Janullatosit, që nuk e realizoi dot prej 25 vitesh me ndryshimin e emrave dhe kombësisë të emigrantëve shqiptarë, që nuk e realizoi dot me pensionet greke për shqiptarët e Jugut, që nuk e realizoi dot me skemën “Himara Greke”, mendon ta realizojë me blerjen totale të tokave e trojeve shqiptare, që shteti shqiptar, në kundërshtim me Kushtetutën ua ka dhënë minoritarëve grekë në pronësi, me Ligjin 7501.
Blerja e tokave në Dropull ka nisur, frymëzuese thirrja e Geixh…
Në fakt është folur edhe përpara 3-4 vitesh për këtë skemë, madje negociues të nisjes së realizimit të saj kanë qenë drejtuesit e Ambasadës greke në Tiranë dhe 2 konsujt grekë në Gjirokastër e Korçë, të cilët kanë përdorur për këtë qëllim edhe struktura të tjera. Sipas informacioneve, në 11 fshatra të zonës së Dropullit ka nisur “aksioni” i shitjes së tokave tek shteti grek. Partia PBDNJ, Shoqata “Omonia”, drejtuesit e pushtetit lokal në komunat minoritare dhe 33 deputetë, ministra, politikanë, biznesmenë e gazetarë shqiptarë me kombësi greke e “çobene” që vetëquhen grekë për interesa private, janë hedhur në aktivitet për ta realizuar sa më shpejt këtë skemë të re aneksimi të Jugut të Shqipërisë, duke u bërë thirrje banorëve të minoritetit, t’i shesin tokat që kanë në pronësi, për llogari të shtetit grek. Aksioni është përqendruar në 3 komunat e zonës minoritare Dropull i Poshtëm, Dropull i Sipërm dhe Pogon, që janë zona totalisht me pronarë tokash e trojesh minoritarë grekë, të bërë të tillë me Ligjin shqiptar 7501. Në këto zona, shitja është pa probleme brenda minoritarëve grekë, mbasi ata nuk kanë konflikte pronësie të vjetra mbi tokat, për shkak se nuk kanë “tokë babe”, ose toka të trashëguara e të sekuestruara si ish-pronarë, mbasi nuk janë banorë autoktonë mbi ato toka e troje, por ardhacakë nga Greqia e vende të tjera. Aksioni i blerjes së tokave nga Shteti Grek, ka nisur në fshatrat Derviçian, Dhuvjan, Frashtan, Glinë, Goranxi, Goricë,Graps, Haskovë, Lugar, Sofratikë, Vanistër, Jorgucat, Zervat, Bularat,Bodrisht, Sotirë, Llongo, Koshovicë, Vrisera, Kakavijë etj.. Sipas bisedave që qarkullojnë në Gjirokastër, këto do të jenë blerje fiktive vetëm sa “për letra shtetërore”, për të realizuar skemën greke “Tsipras” të aneksimit fizik territorial të zonës jugore të Shqipërisë. Siç dihet, kjo blerje trojesh e tokash bujqësore që ka nisur të bëjë Shteti Grek në zonën minoritare të Dropullit, nuk janë thjeshtë blerje për interesa biznesesh ekonomike, por si përgjigje ndaj thirrjeve që ka bërë lobisti grek antishqiptar Nikolas Geixh, për të blerë krejt Jugun e Shqipërisë dhe territore të tjera, që shtrihen brenda hartës së “Vorio-Epirit”, qofshin këto edhe të shkëputura, siç janë blerë edhe troje shqiptare për varreza, shkolla, kisha e lapidarë grekë edhe në zona ku nuk ka patur e nuk ka “këmbë greku”. Qëllimi është ky: Duke zaptuar me blerje sa më shume territore, ata bëhen zotërues të tyre, duke organizuar pse jo edhe popullime greke e shpopullime shqiptare.
Shqipëria, i vetmi vend në Europë, që lejon shitjen e tokës tek të huajt
Këtë blerje të territoreve shqiptare, të cilin qeveria greke “Tsipras” ka nisur ta realizojë në zonën e Dropullit e lejon mungesa e bazës ligjore shqiptare, madje edhe në Kushtetutë, ku nuk thuhet asnjë fjalë për ndalimin e blerjes së tokës nga të huajt. Në asnjë vend të botës, nuk lejohet të shitet territor tek të huajt, përveç objektit dhe shërbimit mbi tokën, truallin ose territorin. Ndërsa në Shqipëri lejohet, aq sa mund të ndodhë, që nëse një “SHEIK” dëshiron të blejë të 28 mijë kilometrat e hartës shtetërore shqiptare, edhe me gjithë objektet Presidencë, Kryeministri, Kryesi Kuvendi, Parlament, Televizion, Prokurori, SHIK, Gjykatë Kushtetuese, Ministri e Mbrojtjes, Ministri e Jashtme, Ministri e Brendshme etj.,.. nuk ndalohet t’i blejë, siç u shitën bazat ushtarake shqiptare me tender të lirë, 100% e të cilave u blenë nga shtetas grekë e serbë! Pas blerjes nëse ndodh, a mund të quhet më territor shqiptar? Jo! Këtë po bën Greqia aktualisht, me blerjen kolektive të trojeve e tokave shqiptare në Jug të Shqipërisë, të falura prej shtetit shqiptar me Ligjin antikushtetues 7501. Lidhur me këtë skandal antikombëtar, u interesuam në Drejtorinë e Tokave Bujqësore në Ministrinë e Bujqësisë. Atje na thanë, se Shqipëria nuk ka ligj që ndalon shitjen e tokës bujqësore tek të huajt, qoftë edhe sikur të blejnë gjithë Myzeqenë Fier-Lushnjë, gjithë bregdetin, gjithë ekonominë kombëtare, gjithë malet, rrugët nacionale e internacionale, gjithë lumenjtë, HEC dhe bazat ushtarake, siç ka ndodhur e po ndodh. Nuk ka ligj që e lejon, por nuk ka as ligj që e ndalon. Ligji që e ndalonte, ka qenë në fuqi deri në vitin 1994, por është shfuqizuar e nuk ka më asnjë ligj tjetër në fuqi. Deri në vitin 1994, ka qenë në fuqi Ligji Nr. 5686 “Për mbrojtjen e tokës, me kushtëzimin kushtetues, që toka bujqësore është pronë e shtetit dhe mbrohet nga shteti, as falet, as shitet”. Por ky ligj nuk u zbatua, madje edhe kur ai ishte në fuqi dhe në kundërshtim të plotë Kushtetues me këtë ligj që ishte në fuqi deri në vitin 1994, shteti shqiptar pluralist i vitit 1991, në datën 19. 07. 1991 miratoi Ligjin antikushtetues Nr. 7501 “Për tokën”. Si rezultat i zbatimit të Ligjit 7501 “Për tokën” dhe të Ligjit 8053, datë 21. 12. 1995 “Për kalimin në pronësi pa shpërblim të tokës bujqësore”, mbi 80 për qind e fondit të tokës bujqësore ka kaluar në pronësi private, ndërsa në zonën jugore minoritare ka kaluar në pronësi të minoritarëve grekë në masën 100%. Pikërisht, këtë tokë që me ligjin “Alia-Berisha”, minoritarët grekë e kanë 100% pronë të tyre, kanë nisur ta shesin tek shteti grek, që sipas skenarit “Tsipras” po synohet për t’u tjetërsuar në “hartë territoriale shtetërore greke”, me synimin për ta aneksuar nga Shqipëria, ose për ta shpallur ndërkombëtarisht si krahinë, popullsi dhe territor autonom grek, brenda hartës së Shqipërisë.
Sipas skemës, harta greke do ketë si vijë kufitare Lazaratin
Sipas kësaj skeme, aneksimi “Tsipras”, nëse shteti shqiptar e lejon “në heshtje” këtë akt antikombëtar, siç ka lejuar e miratuar në heshtje shumë pakte të tjera antishqiptare ilegale me Greqinë, atëherë kufiri territorial zyrtar grek, vjen deri tek ndarja e zonës territoriale minoritare greke me Lazaratin. Ose më troç, harta e shtetit grek do jetë 1.6 kilometër larg nga harta zyrtare territoriale e qytetit të Gjirokastrës. Kjo ka nisur të realizohet. Grekët po punojnë prej vitesh, ndërsa shqiptarët po heshtin. Nëse futesh në zyrat hipotekare shqiptare, konstaton se 3764 shtetas grekë, kanë blerë toka e troje shqiptare me sipërfaqe deri në “60-70 territor fshati” toka bujqësore e troje dhe janë bërë pronarë të tyre edhe me dosje avokatore regjistruese pronësore ndërkombëtare (si CEZ). Kjo ka ndodhur e po ndodh me shpejtësi jo vetëm në Dropull, por edhe në Gjirokastër, Përmet, Këlcyrë, Berat, Korçë, Ersekë, Leskovik, Tepelenë, Sarandë, Delvinë, Vorsh, Çukë, Ksamil, Qeparo, Himarë, Dhërmi, Vlorë, Elbasan, Pogradec, Librazhd, Tiranë, Fier e Durrës.
Ja 8 ligje e VKM shqiptare, me përmbajtje antishqiptare në favor të interesave greke
Edhe vetë Shqipëria, ka miratuar dhe vazhdon të mbajë në fuqi disa ligje që bien ndesh me interesat kombëtare shqiptare dhe favorizojnë interesat e shteteve të huaja, madje edhe të atyre që kanë projekte e synimi copëtimi të Shqipërisë. Është fjala për ligje që lidhen me pushtimin ekonomik, bankar e territorial, që Greqia ka të drejtë t’i bëjë Shqipërisë! Qëndrimi antishqiptar i shtetit shqiptar, qëndron në faktin, se këto ligje antikombëtare, janë hartuar nga qeveritë shqiptare të 25 viteve të tranzicionit, janë miratuar nga Parlamenti Shqiptar, janë dekretuar nga Presidenca Shqiptare. Kur janë kundërshtuar nga grupe patriotësh shqiptarë, janë mbrojtur nga Gjykata Kushtetuese Shqiptare. Vazhdojnë të mbahen në fuqi e të zbatohen nga shteti shqiptar në favor të interesave të shteteve e qarqeve të huaja antishqiptare. Janë 7 ligjet dhe VKM-të antikushtetuese shqiptare në fuqi, me përmbajtje të plotë pro greke e antishqiptare, konkretisht:
Ligji nr. 7501, datë 19. 07. 1991
Ligji nr. 8053, datë 21. 12. 1995
Ligji nr. 8306, datë 14. 03. 1998
Ligji nr. 8515, datë 21. 07. 1999
Ligji nr. 8660, datë 18. 09. 2000
VKM nr. 329, datë 12. 07. 1999
VKM nr. 255, datë 27. 05. 2000
Këto ligje, me të cilat prej 23 vitesh janë realizuar ndërhyrjet e investimeve, prezenca pronësore bankare dhe blerjet territoriale greke në ekonominë kombëtare shqiptare, janë në kundërshtim të plotë me Nenin nr. 28 të Ligjit 8577, datë 10. 12. 2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Kushtetutës të RSH”. Këto ligje bien plotësisht ndesh me Nenin nr. 131/C dhe me Nenin nr. 134/1.2 të Kushtetutës të Republikës Shqipërisë…
Përparim HALILI