Korça del nga fiqiri, arsyeja zëvendësohet nga sëpata, thika, leva, armët e gjahut

694
Sigal

Shtypja me makinë, tentativë për t’i marrë jetën kundërshtarit

36-vjeçari i Trebinjës kërcënon 28-vjeçaren: Ose jetën, ose 5.000 Euro

KORÇË- Korça po del nga fiqiri. E njëjta gjë po ndodh edhe me Pogradecin dhe Devollin. Të qenit i përmbajtur, i arsyeshëm, i logjikshëm duket se për mjaft njerëz është bërë mision i pamundur. Mjafton një keqkuptim, një fjalë e thënë pa menduar dhe gjithçka shndërrohet në rrezik për jetën. Mund të të vijë pas koke një sëpatë e mprehtë dhe sakaq mund ta shohësh veten në botën tjetër; mund të ndjesh në trup saçmet e një arme gjahu që të depërtojnë nëpër trup dhe vështrimi të të shuhet; mund të shohësh një automjet që vjen drejt teje me shpejtësi skëterrë për të të marrë jetën dhe atë çast vetëm fati mund ta vendosë nëse ti do të mbetesh gjallë apo do të përfundosh nën rrotat e automjetit. Mos u çudisni, të gjitha rastet janë të konfirmuara nga burimet zyrtare. Dhe nëse agresorit, në çastet e grindjes, nuk i ndodhet asnjë nga mjetet e përmendura më sipër, atëherë pa asnjë dyshim do të gjendesh i sulmuar me të gjitha llojet e mjeteve rrethanore që mund të ndodhen rreth e qark teje. Dhe nëse, rastësisht, të qëllon të jesh në lokal dhe (për ters) keqkuptimi të lindë aty, atëherë mos prit ndonjë armë tjetër, por tentativën e thyerjes së shishes pas kafkës tënde. Përballë nuk do të kesh më një njeri normal, por dikë që ka dalë nga fiqiri dhe kërkon me patjetër të të marrë jetën.

Arsyet

Burimet policore i raportojnë këto lloj ngjarjesh ditë pas dite, por vetëm tek-tuk, ndonjëherë, mund të sqarojnë ndonjë rast të vetëm se për çfarë motivesh kanë ndodhur, sepse përgjithësisht mbahet një qëndrim i heshtur. Nuk thuhet asgjë: nëse ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta, për çështje pronësie, për tentativë vjedhjeje apo shkaqe të tjera. Pse ndodh kështu nuk i dimë arsyet, por tashmë gjithkush e di se dalja nga fiqiri e Korçës, e Pogradecit dhe e Devollit, vjen si pasojë e mjerimit. Njerëzit kanë filluar të ndihen të lodhur. Çdo ditë ngrysen dhe gdhihen me nerva të tendosura. Në rrugë ku shkëmbehesh me njerëz të tjerë, në lokal ku tenton të hysh për një kafe, në dyqanin ushqimor ku shkon për të shënuar emrin në listë, te zyra e punës ku pret të të kenë gjetur ndonjë punë, në shtëpi ku frigoriferi ka mbetur i boshatisur, mbretëron e njëjta situatë- e nderë. Mjafton një fjalë e vetme që edhe bashkëshortët të gjenden mes një sherri pa krye. Dhe nuk janë të pakta rastet e grave që kërkojnë urdhrin e mbrojtjes. Gjendja sa vjen e bëhet edhe më e vështirë. Nëse dikush ka dijeni se ju keni një shumë parash në shtëpi, atëherë përgatituni të përballeni me “mysafirët e paftuar”.

5.000 euro ose jetën!

Mjerimi po e bën jetën e njerëzve më të pasigurt. Rasti më i fundit i grabitjes me thikë në dorë u shënua në fshatin Trebinjë të Pogradecit. Një 36- vjeçar tentoi të therte bashkëfshataren e vet. Banorët e fshatit mbetën të terrorizuar nga ajo që morën vesh më pas. Ngjarja u bë e njohur nga burime policore: “Më datë 19.02.2015, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit Blerim Muço, vjeç 36, banues në Trebinjë-Pogradec. Arrestimi i tij u bë pasi dyshohet se në fshatin Trebinjë ka kërcënuar me thikë shtetasen E.Q, vjeç 28 , banuese në Trebinjë, duke i kërkuar një shumë prej 5000 euro…”  Dhe ky është rasti i vetëm  për të cilin policia jep motivet përse ka ndodhur kështu. Gjithë ngjarjet e tjera kanë qenë të mbuluara nga një mjegullnajë e madhe. Megjithatë, rastet e tjera kanë qenë edhe më të frikshme, ku djali tentoi të vriste babanë e vet. Për këtë ngjarje, policia dha këtë informacion: “Më datë 31.01.2015, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit R. D, vjeç 35, banues në fshatin Shqitas, Korçë, pasi në banesë ka goditur në kokë babanë e tij, B. D, vjeç 63, me mjet të mprehtë, (sëpatë), e cila u bllokua në cilësinë e provës. 63-vjeçari po mjekohet në spitalin rajonal të Korçës, jashtë rrezikut për jetën…”

Shtypje me makinë

Ngjarjet e raportuara nga policia tregojnë qartë se deri në çfarë caku ka shkuar lodhja dhe durimi i njerëzve. Jeta e tjetrit ka filluar të duket si jeta e një shpendi që rritet në fermë. Dhe e gjitha kjo mund të ndodhë brenda një çasti të shkurtër kohor, kur logjika nuk është me aty dhe terri ka pushtuar trurin e agresorit. Policia ka regjistruar raste të tilla deri në tentativë për shtypje me makinë: “Më datë  09.02.2015, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit V. K., vjeç 42 , banues në fshatin Poloskë, Devoll. Arrestimi i tij u bë pasi në këtë fshat, në gjendje te dehur, ka tentuar të vrasë, duke drejtuar mjetin fugon me targa DV 2704 A, shtetasin V.A, vjeç 71, i cili ndodhet në spitalin rajonal Korçë, jashtë rreziku për jetën…”. Sigurisht nuk kanë munguar as rastet e tentativës së vrasjeve me armë gjahu. Shpesh ngjarje të tilla kanë ndodhur nën efektin e alkoolit. Njerëzit e pashpresë tentojnë të gjejnë ngushëllim te gota e pijes. “Më datë 08.02.2015, pohuan burimet policore, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit  M. Xh, vjeç 51, banues në fshatin Selcë, Pogradec. Arrestimi i tij u bë pasi në këtë fshat, në banesë, ka tentuar të vrasë (në gjendje të dehur) me armë gjahu, për të cilën dispononte leje, (të bllokuar në cilësinë e provës materiale), shtetasin (xhaxhain e vet), K.Xh, vjeç 76 , banues po në Selcë…”. Megjithatë përdorimi i sëpatës mbetet një nga mjetet më të preferuara për tentativë vrasjesh dhe kërcënimesh. Herë pas herë raportohen raste të tilla: Më datë 12.02.2015, filloi procedimi penal në gjendje të lirë ndaj shtetasit M.M, vjeç 19,  banues në fshatin Kakaç-Korçë. Procedimi ndaj tij u nis pasi ky shtetas dyshohet se ka goditur me mjete të mprehta (sëpatë), duke i shkaktuar dëmtime fizike, shtetasit E.B, vjeç 18 banues në fshatin Kakaç…”

Dhunë edhe ndaj policëve

Sigurisht, dhuna ka përfshirë edhe moshat e reja. Grindjet dhe sherret mes tyre janë pothuajse të shpeshta. Mbrojtja dhe sulmi i tyre përgjithësisht janë mjetet rrethanore. Fatmirësisht, deri më tani nuk ka pasur raste të përdorimit të armëve luftarake. Përplasjet mes të rinjve shkaktohen për motive banale, por ndodh që fundi i grindjes së tyre të jetë me pasoja fatale. Gjatë muajit shkurt, për të cilin bëjmë fjalë, nuk kanë munguar as rastet e dhunës ndaj punonjësve të policisë. Ja disa nga rastet: “Më datë 12.02.2015, filloi procedimi penal në gjendje të lirë ndaj shtetasit E.K, vjeç 19, banues në lagjen 17, Korçë. Procedimi ndaj tij u nis pasi ky shtetas ka goditur me sende të forta, duke i shkaktuar dëmtime fizike, shtetasit A.S, vjeç 20 banues në lagjen 17…”. Ja edhe një rast ku i dhunuari është polici: “Më datë 15.02.2015, filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasit: E.Ç, vjeç 23, banues në fshatin Buçimas të Pogradecit dhe G.P, vjeç 37,  banues në fshatin Dardhas, Pogradec. Procedimi ndaj tyre u nis pasi në lagjen 1, kanë goditur me grushte në pjesën e fytyrës punonjësin e policisë P.F…”.  Ndërkaq, mund të përmendim edhe një rast tjetër, ku thuhet: “Më datë 15.02.2015, u arrestuan në flagrancë shtetasit: M F, vjeç  41, banues në lagjen 1, A. D, vjeç 29, banues në lagjen 3, pasi  në fshatin Petrushë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin  kanë goditur me mjete të forta në kokë, duke i shkaktuar plagë të rënda, shtetasin B.B, vjeç 60,  banues në Petrushë, i cili ndodhet në spitalin e Pogradecit jashtë rrezikut për jetën….”

Kujdes kokën!

Të gjitha rastet e ndodhura gjatë muajit shkurt, të cilave u jemi referuar, tregojnë qartë se agresorët  tentojnë instinktivisht ta godasin viktimën në pjesën e kokës. Kjo gjë ndodh kryesisht kur sulmojnë me mjete rrethanore, me sëpatë, me karrige etj., gjë që tregon se jeta dhe vdekja në një rast të tillë mund të ndahen nga një fije peri. Tashmë, kur njerëzit ndihen të lodhur për shkak të mjerimit të tyre dhe papunësisë, ngjarjet e tilla bëhen gjithnjë e më të shpeshta. Kujdes nga përplasje të tilla! Përfundimisht, mund t’ju rrëfejmë edhe një ngjarje tjetër të ndodhur në një lokal, ku i dehuri godet me shishe në kokë dy të rinj: “Më datë 17.02.2015, bënë të ditur burimet policore, u arrestua në flagrancë, nga forcat e Komisariatit të Policisë Korçë, shtetasi B.S, vjeç 25, banues në fshatin Vloçisht, pasi në këtë fshat, pas një konflikti të çastit, ka goditur me sende të mprehtë, (shishe), duke i shkaktuar plagë të rënda dhe të lehta respektivisht shtetasve: A.A , vjeç 26 dhe L.D, vjeç 24, të cilët ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën…”.

Vepror Hasani