Identifikimi elektronik, mbërrijnë në magazinat e KQZ të gjitha pajisjet, si do veprohet nëse ndonjëra do bllokohet

185
Sigal

Në magazinat e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve kanë mbërritur të gjitha pajisjet, të cilat do të përdoren më 25 prill për identifikimin elektronik të votuesve në të 5199 Qendrat e Votimit.

Por jo në të gjitha Qendrat e Votimit janë të garantuar operatorë, të cilët do kenë si detyrë implementimin dhe monitorimin e procesit të identifikimit elektronik të zgjedhësve. KQZ vijon trajnimin e rreth 4 mijë operatorëve, ndërkohë që thirrja për aplikime mbetet e hapur. Mangësi ka kryesisht për Qendrat e Votimit në zona rurale.

Nënkomisionerja e KQZ, Lealba Pelinku, garanton se nëse për një arsye, një pajisje mund të bllokohet e nuk do funksionojë, atëherë do të zëvendësohet për të vijuar më pas me identifikim të votuesve dhe procesin e votimit.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka përmbyllur testimin përfundimtar të pajisjeve që do të përdoren për identifikimin elektronik. Gjatë ditës së votimit, inspektorë të KQZ do të jenë në terren për të vëzhguar zbatimin e këtij procesi.