Zguri: Zgjedhjet e 25 qershorit shënuan arritje të mirëfilltë në disa drejtime të rëndësishme

549
Kryetari i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve , Klement Zguri mori pjesë sot në tryezën e rrumbullakët “Monitorimi i Financimit të Fushatës Zgjedhore”.
Në fjalën e tij kreu i KQZ-së theksoi se këto zgjedhje shënuan arritje të mirëfilltë të paktën në disa drejtime të rëndësishme.
“Pas shumë kohësh, këto zgjedhje u menaxhuan me frymën e bashkëpunimit dhe larg kontroversitetit tipik politik. Këtë herë klima politike prodhoi “mot të mirë” për KQZ-në, por dhe KQZ ishte në lartësinë e duhur. Pas shumë kohësh, në këto zgjedhje mungoi kontestimi procesual. Procesi u zhvillua në rregullshmëri të plotë administrative, vendimmarrja e KQZ-së u njoh dhe pranua gjerësisht si e ligjshme dhe e drejtë, rezultati përfundimtar u respektua nga të gjitha palët, si I pakontestueshëm ligjërisht. Kjo arritje është faktori më i mirë për rritjen e autoritetit të KQZ-së, por sidomos për rritjen e besueshmërisë tek zgjedhjet”, tha Zguri.
Sipas kreut të KQZ, “për herë të parë në këto zgjedhje u realizua monitorimi i financimit dhe shpenzimeve të fushatës gjatë zhvillimit të saj, ndryshe nga më parë, kur bëhej vetëm auditimi i fondeve dhe shpenzimeve pas përfundimit të fushatës. Raportet e monitorimit janë burim transparence për financimin e fuashtës, por edhe instrument tejet i vlefshëm kontrolli për auditimin”.
“Pas shumë kohësh, në këto zgjedhje nxjerrja e rezultatit u krye nga administrata zgjedhore brenda afatit ligjor, për 95% të qendrave të votimit dhe shumë shpejt pas afatit për pjesën e mbetur. Nxjerrja e rezultatit në harkun e ditës së parë pas zgjedhjeve, e cilësuar deri dje si sfida e pamundur, nga sot formon standard të paneglizhueshëm për administratën zgjedhore”, tha Zguri .
Mbështetja dhe ekspertiza e KiE për KQZ në vijimësi, sikundër deri më sot, do të jetë një kontribut i çmuar edhe për zhvillimin e një reforme zgjedhore gjithpërfshirëse, ku KQZ, një ndër aktorët më kryesore për implementimin dhe zbatimin e ligjit zgjedhor është i gatshëm të vërë në dispozicion të gjithë eksperiencën dhe potencialet e tij, për të kontribuar në përballjen e sfidave që kjo reformë e rëndësishme mbart”, nënvizoi Zguri.
Sigal