“Për Vlorën” në protestë para Bashkisë për ujë, punësim dhe rrugë

88
“Një Vlorë pa elementin bazë jetik, ujin e pijshëm s’mund të pretendojë të ketë as shëndetësi, as higjienë, as kushte shkollore për fëmijët, as pastërti, as jetë normale e jo më të pretendojë të presë turistë!”, mbi këtë thirrje ka protestuar sërish “Lëvizja për Vlorën”, një grup qytetarësh e shoqëria civile angazhuar tashmë në protesta për të rikthyer vëmendjen te premtimet e dhëna elektorale e të pambajtura. Ata janë mbledh përpara bashkisë duke kërkuar zgjidhje për ujin e pijshëm dhe problemeve të tjera që ka qyteti sot. Mbi të gjitha ata i kanë kërkuar sërish kreut të bashkisë së Vlorës Z.Dritan Leli, të dalë në punë. “Stop mashtrimit të premtimeve 25-vjeçare! Stop çezmave të thata në shtëpinë e çdo vlonjati! Koha e premtimeve ka mbaruar me kohë. Është koha e veprave. Vlora kërkon ujë të pijshëm jo luks, kërkon punësim dhe rrugë!”, – kanë thënë organizatorët e protestës.

Ata janë shprehur se protestat e tyre do të vijojnë, duke mbajtur larg çdo forcë politike. “Ne nuk do të ndalemi”, – thanë protestuesit, – “E do të jemi edhe më shumë, pavarësisht stepjes së qytetarëve nga frika e heqjen nga puna, mbylljes së biznesit. Ne do të jemi gjithmonë këtu për të shtuar shpresën te vlonjatët, e për të nxitur administratën të punojë,”, – theksuan protestuesit e Lëvizjes për Vlorën. Kjo ishte protesta e dytë e organizuar prej tyre, ndërkohë që të shumta kanë qenë sërish forcat e policisë të angazhuara për mbarëvajtjen e protestës. Askush nga administrata e bashkisë nuk doli të flasë me këta qytetarë, por këta të fundit u zotuan se do të dalin sërish në rrugë për të vijuar me kërkesat e tyre.