Kerry takon Putin dhe Lavrov në Moskë, diskutime mbi Sirinë dhe luftën kundër ISIS

491
Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, është takuar në Moskë me Presidentin e Rusisë Vladimir Putin, ku tema kryesore e diskutimit ka qënë kriza në Siri.
Gjatë fjalës së tij, lideri i Kremlinit vlerësoi përpjekjet e SHBA-së për të zgjidhur disa prej çështjeve më të problematike në botë, duke ftuar Washingtonin për zgjerim të bashkëpunimit. Ndërkohë, John Kerry i parashtroi Presidentit Putin arsyet e ardhjes së tij në Moskë. Ai tha se Presidenti Obama shpreson që Rusia të jetë e vendosur për të gjetur një gjuhë të përbashkët sa i përket situatës problematike në Siri, por edhe në Ukrainë.

Më herët, Sekretari amerikan i shtetit u takua edhe me homologun e tij rus Sergei Lavrov. Edhe në këtë mbledhje të zhvilluar me praninë e kabineteve respektive, tema e diskutimit ka qënë e njëjtë. Kerry tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Rusia kanë bashkëpunuar me sukses në shumë çështje të rëndësishme, pavarësisht dallimeve mes tyre. Ai përmendi marrëveshjen bërthamore mes Iranit e fuqive botërore, si dhe vlerësoi kontributin e Kremlinit në bisedimet e fundit në Vjenë për çështjen siriane.
Sigal