Kush po luan me futbollin në Sarandë?!

65

INTERVISTA/ Kryetari i Këshilli Bashkiak, Ilir Hasan Nikolla: “Kryebashkiaku Çipa, të përgjigjet për shkeljet financiare”

Këshilli Bashkiak i qytetit të Sarandës mori vendimin për t’ia hequr të drejtën e autoritetit kryebashkiakut Stefan Çipa ndaj Klubit të Futbollit “Butrinti” SH.A.. Gazeta “Telegraf” bisedoi me Kryetarin e Këshillit Bashkiak, zotin Ilir Hasan Nikolla për të hedhur dritë edhe mbi arsyet e marrjes së këtij vendimi, pas shkeljeve financiare të konstatuara nga një komision kontrolli i ngritur nga Këshilli Bashkiak.

Z. Nikolla, përshëndetje nga gazeta “Telegraf”. Këshilli Bashkiak mori vendimin për t’ia hequr kryebashkiakut Stefan Çipa, të drejtën administruese mbi sportin dhe Klubin e Futbollit “Butrinti” SH.A. Përse u morr ky vendim?

Ju falënderoj, që më dhatë mundësinë për të hedhur dritë mbi vendimin e Këshillit Bashkiak të Sarandës, Nr. 49, datë 21.06.2012, e që revokon pikën tre të vendimit të mëparshëm të Këshillit Bashkiak, Nr. 35, datë 03.06.2011 dhe që ka të bëjë mbi administrimin e shoqërisë “Klubi i Futbollit “Butrinti” SH.A”. Bashkia është 100 për qind aksionare e asaj shoqërie dhe në këtë rast atributi i administrimit i kalon Këshillit Bashkiak, si aksionar i vetëm në themelimin e kësaj shoqërie. Më parë, ishte përcaktuar se, titullari i Bashkisë (kryebashkiaku) ishte përfaqësuesi i shoqërisë aksionare.

Këshilli Bashkiak ngriti një grup punë për kontrollin e veprimtarisë financiare të shoqërisë “Klubi i Futbollit Butrinti Sh.A”, cilat janë rezultatet e tij?

Komisioni i ngarkuar nga Këshilli Bashkiak, i ngritur për kontrollin e veprimtarisë administrative dhe menaxhimit financiar të klubit të futbollit “Butrinti”, Sarandë, gjeti shumë shkelje financiare dhe ligjore. Kryetari i Bashkisë, si përfaqësues i Këshillit Bashkiak në këtë asamble nuk ndërmori asnjë hap për të përmirësuar situatën tek klubi i futbollit “Butrinti” SH.A.. Vendimi i Këshillit Bashkiak NR:49, ja hoqi të drejtën e atributit dhe këtë atribut e mori vet Këshilli Bashkiak.

Cilat ishin hapat e mëtejshëm?

Me vendimin nr.5051, datë 07.07.2012, u shkarkuan anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të Klubit të Futbollit “Butriniti” Sh.A., Erjon Gjoni, Xhorxhi Vasali, Margarit Çakalli, Sokol Bogdo dhe Anastas Qesari, duke emëruar anëtarët e rinj, Kosta Zaron, Delfin Hajnon dhe Mehmet Nelën, ky i fundit është dhe kryetari i Këshillit Mbikëqyrës.

Përmendët shkelje financiare, a do të ketë padi penale në lidhje me abuzimet?

Këshilli Bashkiak ka marrë edhe vendimin tjetër që dosja e klubit “Butrinti” SHA., ku janë konstatuar shumë shkelje financiare dhe ligjore, do t’u bëhen prezent gjithë organeve të specializuara të kontrollit shtetëror. Populli i Sarandës të jetë i qetë se, ne nuk do lejojmë asnjë qindarkë të taksapaguesve të shkojë në xhepat e mashtruesve. Transparenca do t’i nxjerrë lakuriq në mes të ditës .

Kryetari i Bashkisë ka mbledhur ish-Këshillin Mbikëqyrës, duke lenë të kuptohet se, nuk do ta përfilli vendimin e këshillit bashkiak. Si do të veprohet në këtë rast?

Nuk janë gjëra të panjohura. Nuk përbëjnë më lajm, veprimet e Kryetarit të Bashkisë, zotit Stefan Çipa. Veprimet e ti në dëm të komunitetit njihen mjaft mirë. Gjatë një viti të mandatit ka ngritur struktura paralele, struktura të pa bazuara në ligj, dhe si të tilla janë të destinuara drejt dështimit. Këshilli bashkiak si aksionar i vetëm, si subjekt që ka të drejtën e administrimit të sportit. Ne kemi çuar në Qendrën Kombëtar të Regjistrimeve edhe vendimin për ndryshimet në Këshillin Mbikëqyrës. Shumë shpejt do të zgjedhim dhe administratorin e ri të klubit të futbollit “Butrinti”. Qëllimi i vetëm yni është rritja e cilësisë sportive, por dhe mirë menanxhimi i fondit prej 30 milionë lekësh që jepet për futbollin.