Inaugurohet me dy vjet vonesë dhe me 7 milionë euro shtesë terminali i pasagjerëve

3192
Sigal

PORTI I DURRËSIT/ Problemet financiare dhe mos marrja e masave të sigurisë portale shtynë punimet

Me dy vjet vonesë dhe një kosto shtesë prej 7 milionë euro, terminali i pasagjerëve në Portin e Durrësit është inauguruar nga kreu i qeverisë Sali Berisha. Vepra, e cila është investim i BERZH, BEI dhe Qeverisë Shqiptare, nisi në vitin 2008, me një fond prej 15.2 milionë euro, por që ndryshimi i projektit fillestar, bëri që kosto të rritet edhe me rreth 7 milionë euro të tjera. Rreth 65 mijë metra katrorë është hapësira, ku shtrihet terminali i ri i pasagjerëve dhe trageteve në Portin e Durrësit. Terminali ka një kapacitet përpunimi për rreth 2 mijë pasagjerë, në orë, ndërsa sheshet e parkimit rrotull godinës kanë një kapacitet për rreth 2 mijë automjete, si vetura apo mjete transporti mallrash. Terminali i ri i pasagjerëve është një konstruksion metalik njëkatësh, me sipërfaqe rreth 5 mijë metra katrorë, në të cilin   përfshihen të gjitha ambientet e nevojshme për shërbimin dhe kontrollin e pasagjerëve, si: sallat e pritjes në hyrje dhe dalje të godinës, pikat e shitjes së biletave dhe agjencitë e udhëtimit, pikat e kontrollit doganor dhe të dokumenteve personale, ambiente shërbimi për personelin.

Financimi

Terminali i ri i Trageteve në portin e Durrësit është ndërtuar me një investim prej 21.8 milion euro, financuar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Banka Evropiane e Investimeve (BEI) dhe Qeveria shqiptare. Projekti është hartuar nga studio “Royal Haskoning” dhe kap një sipërfaqe rreth 90.000 m 2. Godina e terminalit, objekti më i madh në këtë shesh, i ndërtuar me konstruksione metalike dhe xhama, ka një sipërfaqe rreth 5.400 m 2. Mbikalimi i udhëtarëve, që nis pranë sheshit të Stacionit Hekurudhor të qytetit dhe përfundon brenda Terminalit ka një gjatësi rreth 226 m dhe gjerësi 4 ml. Në sheshet e tij janë instaluar 46 sportele të kontrollit kufitar gjithsej, 10 prej të cilëve u shërbejnë udhëtarëve këmbësorë, 24 të tjerë udhëtarëve me autovetura, ndërsa për kamionët dhe autobusët funksionojnë 12 sportele kontrolli. Në raste të veçanta janë parashikuar edhe 4 sportele të tjerë. Për lehtësimin dhe komoditetin e mjeteve motorike dhe të këmbësorëve Terminali i ri i Trageteve është i pajisur me të gjithë infrastrukturën e nevojshme që kërkon përpunimi i tyre: vendet e çekimeve, skanerat, pikat e kontrollit të policisë kufitare, ato doganor, peshoret, e deri tek stolat dhe karrot e bagazheve. Në Terminalin e trageteve ka rreth 65 mijë metra katrore sheshe për automjetet, ndërsa hapësira e parkimit arrin në 2.100 metra katrore. Puna për ndërtimin e terminalit të ri të Trageteve filloi me 16.06.2008 dhe përfundoi me 31.5.2012

Devijimi i projektit

Projekti i ri i ndërtimit të Terminalit u hartua  nga “Royal Haskoning”. Puna për ndërtimin e terminalit të ri të Trageteve filloi me 16 qershor 2008 dhe përfundoi me 31.5.2012, ndonëse ishte parashikuar në kontratën me kompaninë Sllovene SCT, të mbylleshin në qershor të vitit 2010. Kontraktori i realizimit të punimeve ishte kompania Sllovene SCT d.d., dhe në tetor 2010 e në përfundim ishte kompania shqiptare “Vega” kontraktori i objektit.

Në mars 2010, duhet të mbylleshin punimet

Ky projekt duhet të ishte vënë në zbatim prej kohësh, por në vitin 2010 punimet u ndërprenë dhe u zvarritën për dy vjet me radhë. Fillimisht punimet u ndërprenë për shkak se projekti nuk kishte parashikuar masat e sigurisë portuale, ndërsa një vit më pas, kompania sllovene, që fitoi tenderin kaloi vështirësi ekonomike, e për pasojë u kontraktua një tjetër kompani vendase. Kjo, për shkak të problemeve financiare që kaloi firma sllovene SCT. Pjesa perëndimore e terminalit ka përfunduar në verën e dy viteve të shkuara dhe prej afro një viti e gjysmë është vënë në funksionim të qarkullimit të automjeteve dhe kamionëve drejt kalatës, ku ankorohen tragetet e linjave detare me Italinë.