Inskenojnë vjedhjen e një automjeti të shtrenjtë, arrestohet i riu në Vlorë, në kërkim dy të tjerë

100

Policia e Vlorës ka arrestuar një person dhe ka shpallur në kërkim dy të tjerë në Vlorë.

Blutë raportojnë se kanë vënë në pranga shtetasin me iniciale G.H. nga Kosova me banim në Gjermani dhe në kërkim shpalli italianin M.C dhe shqiptarin nga Kosova F.H.

Ky person në 31 tetor denoncoi vjedhjen e makinës tip “Mercedes Benz S Class 63 AMG”, por autoritetet zbuluan se në fakt deklarata ishte e rreme.

Ai së bashku me 2 persona të tjerë donin ta shisnin makinën, që kishte blerë me këste në Gjermani, për qëllime përfitimi.

Ky automjet kap vlerën 180 000 €uro (njëqind e tetëdhjetë mijë euro) nëse do të shitej sipas planit të bashkëpunëtorëve të mësipërm.

Vlorë/ Njoftimi i policisë:

Inskenojnë vjedhjen e një automjeti të shtrenjtë me qëllim shitjen e tij, Policia vë në pranga një shtetas dhe shpall në kërkim dy të tjerë.

Në vijim të ngjarjes ku më datë 31.10.2019, shtetasi G.H, i cili ndodhej prej disa ditësh me pushime në Vlorë, kallëzoi se i kishin vjedhur automjetin tip “Mercedes Benz S Class 63 AMG”, menjëherë filluan hetimet për zbardhjen e ngjarjes.

Nga hetimet e kryera, Specialistët e Seksionit  për Hetimin e Krimeve bënë zbardhjen e plotë të ngjarjes, ku ka rezultuar se shtetasi G.H ka bërë kallëzim të rremë para organeve të policisë për arsye se në bashkëpunim me dy shtetas të tjerë kanë dashur ta shesin automjetin në fjalë për qëllime përfitimi.

“Mercedes Benz S Class 63 AMG” i vitprodhimit 2019,  shtetasi G.H., e kishte blerë  në Gjermani me këste nga një kompani.

Ky automjet kap vlerën 180 000 €uro (njëqind e tetëdhjetë mijë euro) nëse do të shitej sipas planit të bashkëpunëtorëve të mësipërm.

Në përfundim të veprimeve, u bë ndalimi i shtetasit G.H., 29 vjeç, nga Kosova por me banim në Gjermani, si dhe u shpallën në kërkim dy shtetasit e tjerë, italiani M.C dhe tjetri nga Kosova F.H.

Materialet iu referuan Prokurorisë në ngarkim të tyre për veprat penale “Vjedhja” e kryer në bashkëpunim dhe “Kallëzimi i rremë”.