Gjykata Kushtetuese shfuqizon pikat për llogaritjen e kompensimit të pronave

560
Sigal

Gjykata Kushtetuese ka shqyrtuar dhe marrë vendim lidhur me ankimimet për ligjin e pronave. Konkretisht bëhet fjalë për kërkesën e Presidentit të Republikës, një Grupi Deputetësh të Kuvendit të Shqipërisë, Avokatit të Popullit, Partisë Republikane të Shqipërisë, Shoqatës “Pronësi me Drejtësi” dhe disa shoqatave të tjera, për “shfuqizimin, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, të ligjit nr. 133/2015 “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”. Kështu, Gjykata Kushtetuese ka vendosur, “Shfuqizimin si antikushtetues të nenit 6 pika 3 dhe pika 5 të ligjit nr. 133/2015 “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”. Konkretisht bëhet fjalë për nenin që përcakton metodologjinë e vlerësimi, ku shfuqizohet pika 3 që thotë se “Në rastet kur subjektet e shpronësuara kanë përfituar me vendim kthimi dhe kompensimi, diferenca e llogaritur, sipas shkronjës “b”, të pikës 1, zbritet nga vlerësimi i pronës së njohur për kompensim, e llogaritur sipas shkronjës “a”, të pikës 1, të këtij neni”. Ndërsa pika 5 që është shfuqizuar thotë se “në rast se ATP-ja merr vendim për njohje dhe kompensim fizik në pronën e subjektit, prona vlerësohet sipas pikës 1 të këtij neni. Kur nga ky vlerësim rezulton se subjekti përfiton një pronë që ka vlerë më të lartë sesa prona që ka pasur në momentin e shpronësimit, atëherë subjektit i kompensohet fizikisht sipërfaqja që i korrespondon vlerësimit dhe pjesa tjetër e pronës kalon në fondin e tokës me vendim të ATP-së”. Po ashtu, Gjykata ka vendosur refuzimin e kërkesës për shfuqizimin e nenit 6 pika 1 shkronja “ b” dhe nenit 7 pika 2 shkronja “a” dhe “b” të ligjit të mësipërm dhe rrëzimin e kërkesës për pjesën tjetër.