Gjuetia me tritol, korrent dhe helme po shfaros gjallesat ujore

579
Sigal

Kreu i Shoqatës së Gjahtarëve Demir Leka: Është masakër e rëndë mjedisore për sot dhe brezat. Policia pyjore dhe e rendit heshtin.

ELBASANL- Gjuetia e peshkut me dinamit, korrent dhe mjete të tjera shfarosëse është kthyet në një makth dhe fenomen shqetësues si për qytetarët, ashtu dhe për gjallesat ujore. Por ajo që mbetet më shqetësuese është se ky ankth po bëhet më i madh çdo ditë e më shumë dhe askush nuk mban përgjegjësi për këtë që po ndodh. Lugina e lumit Shkumbin dhe degëzimet e tij janë kthyer në një front përfitimesh gjuetie pa fund natë e ditë, ku po bëhet kërdia në gjallesat ujore po terrorizohen banorët e qytetit të Librazhdit dhe zonës së Mokrës.

MASAKRA UJORE

Gjuetia e paligjshme në ujëra, vazhdon në çdo orë të ditës, dhe fatkeqësisht, është kthyer në një gjë normale. Mund të dëgjosh shpërthime në mes të ditës nga persona që njihen tashëm, por dhe të tjerë, pa e prishur terezinë, në qendër të qytetit të Librazhdit (degëzimi i lumit),  sikur nuk ka ndodhur gjë mu  në qendër të Librazhdit dhe në të gjitha gjatësinë e Lumit Shkumbin nga Proptishti  i Pogradecit  dhe deri në  dalje të Elbasanit. Madje dhe lumenjtë e largët janë kthyer në tabele qitje e gjuetia pa fund ndaj gjallesave ujore. Një nga shqetësimet e shoqatës së gjuetarëve dhe peshkatarëve sportivë të Librazhdit është mosfunksionimi i strukturave përgjegjëse, që mbrojnë lumenjtë. Sipas Demir Lekës, Sekretar i Shoqatës së gjuetarëve dhe peshkatarëve të Librazhdit, “gjuetia e peshkut me dinamit, korrent, klor, helme të ndryshme e rrjeta, është kthyer një mjet përfitimi për tregtarët dhe shfarosës për gjallesat ujore ku, pothuaj të gjitha, janë të gjitha drejt zhdukjes.  Leka thotë më tej se janë strukturat përkatëse që duhet të marrin masa për këtë masakër.

‘POLIGONET’ E GJAHUT

Gjuetia e peshkut vazhdon të bëhet në të gjitha gjatësinë e Lumit Shkumbin, në Lumenjtë e Gostimës, Sopotit, Moglicës, Qarrishtës, Rrapunit, Stravanit, ku në këto të fundit, trofta e veçantë në Ballkan është drejt zhdukjes. Nga gjuetia me korret dhe me helme rrezikon dhe jetën e qytetarëve të cilët shfrytëzojnë lumenjtë  për plazh.

Sipas Demir Lekës, situata është alarmante. Shteti duhet të ndërhyjë menjëherë. “Janë organet e Shërbimit Pyjor dhe ato të rendit që kanë përgjegjësinë kryesore për mbrojtjen e këtyre lumenjve. U kemi kërkuar disa herë që të veprojnë, por ata nuk po ndjehen. Por dhe organizatat mjedisore që nuk janë pak, nuk po ndjehen. Ka ardhur koha që shkelësit e  ligjit të vihen para përgjegjësisë. Është e pa falshme kjo masakër ekologjike, me pasoja shumë të rënda për sot dhe për brezat që po vijnë”,- përfundon Leka.