Konviktet në Elbasan, rritet taksa e regjistrimit

1794
Sigal

INTERVISTA/ Flet për “Telegraf”, Drejtori i Ndërmarrjes së Trajnimit të Studentëve, Albert Hajrullaj

Drejtori i Ndërmarrjes së Trajnimit të studentëve në Elbasan, Albert Hajrulla në një intervistë për gazetën “Telegraf”, ka bërë publike të gjitha investimet e ndërmarra për vitin e ri akademik. I pyetur për koston e tyre Hajrullaj shprehet se, shuma shkon në vlerën 60 milionë lekë të reja, madje shton se taksa e regjistrimit për këtë vit është rritur nga 3000 është bërë 35000. Kurse për sa i përket reformës Hajrullaj shprehet se te gjitha ata që do t’i shërbejnë punës do të vazhdojnë të qëndrojnë në punë.

Z. Hajrullaj, a ka pasur këtë vit konvikti i universiteti “Aleksandër Xhuvani”, investime për të ndryshuar disi gjendjen?

Po ka pasur investime në sistemin e ngrohjes në të gjithë magjistralin në hoteleri dhe në sallën e studimit, pasi sistemi i mëparshëm ishte i amortizuar dhe shërbente pjesërisht vetëm për dushet. Ky investim do të jetë i alternuar me panele diellore dhe me sistem kaldaje të përqendruar. Janë bërë investime në sistemin e impjantit të furnizimit me ujë të pijshëm dhe industrial 24 orë për të gjithë  hotelerinë për larje dushe etj.. Janë kryer punime në godinat e hotelerisë si: riparime, suvatime, lyerje me gëlqere, me bojë vaji. Riparime në sistemin hidro- sanitar, ulluqe, izolim të tarracës, janë bërë investime për blerje pajisje të ndryshme si dollape, tavolina, karrige dyshek, kompjutera për sistemin e internetit, ku salla e internetit ka përfunduar me standarde bashkëkohore falas për studentët. Për vitin e ri akademik do të vihet në funksion mensa dhe fast-food-e. Ky shërbim është dhënë me të tretë në bazë të një kontrate me subjektin e licencuar. Jemi në proces për dhënien me qira shërbimin e lavanderisë  për të qenë sa më afër nevojave të studentëve.

Cilat janë ato kushte që do të ndryshojnë  për vitin e ri akademik?

Të gjitha këto investime përbëjnë ndryshime në vitin e ri akademik. Këtë vit studentët do të kenë kushte më të mira se ato që kanë pasur.

Sa shkon kostoja e të gjithë këtyre investimeve?

Vlera e këtyre investimeve shkon në total 60 milionë lekë të reja nga ku 20 000 000 lekë janë investuar për sistemin e ngrohjes, 2 000 000 lekë  janë investuar për furnizimin e ujit të pishën 24 orë 3.5 milionë  lekë janë investuar për riparimet si suvatimet lyerje me gëlqere, bojë vaji etj., 2.648 lekë janë investuar për ndryshimin si blerja e karrigeve, dollapëve, tavolinave etj., 20 milionë lek të reja janë investuar në për mensën dhe fast-food.

Të gjitha këto investime a do të ndikojnë në rritjen e tarifës së studentëve që do të sistemohen në konvikte? 

Sigurisht që të gjitha këto investime do të çojnë në një rritje të tarifës dhe ajo do të jetë nga 30 000 në 35 000 lekë. Por unë besoj se kjo shifër nuk lëviz shumë dhe studentët do të jenë të kënaqur me kushtet që do të kenë.

Projektet për të ardhmen, cilat janë?

Po bëj një projekt tepër ambicioz për vitin e ardhshëm. Do të kërkojmë nëpërmjet projekteve një shtesë të objektit ekzistues me konstruksion metalik dhe do të bëhen dhoma të mëdha me banjo.

A do te ketë reformë në këtë institucion?

Për sa i përket personelit unë mendoj se investimet kërkojnë angazhimin total e të gjithëve. Puna në konvikt tashmë do të jetë me tre turne, non stop. Të gjithë ata që do të punojnë me përkushtim sigurisht që do të mbeten dhe do të futen në punë. Konvikti është gati për fillimin e vitit të ri akademik,ku do të presim plot 1 200 studentë.