Intervistë me Zana Rrupllin, piktoren që pikturon femrat “nudo”

1036
Sigal

Librazhd- Ajo është fare e re në moshën, vetëm 24-vjeçe, por me ekspozitën e saj që ka hapur në qytetin e Librazhdit ka mahnitur qytetarët. Për herë të parë në këtë qytet është hapur një ekspozitë e titulluar “Ndërthurja”. Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Telegraf” piktorja Zana Rruplli tregon çdo detaj rreth ekspozitës. Ajo ndër të tjera thotë se qëllimi i kësaj ekspozite është femra nudo në kostumografinë.

Si ju lindi dëshira për artin?

Fillimet e mia kanë qenë që në moshë të vogël, që në klasën e 3-të dhe më pas dëshira për artin nuk më ka munguar kurrë. Personi i parë që më ka zbuluar si talent për pikturë ka qenë profesori im i nderuar, Sami Roçi, një piktor i njohur në qytetin tonë. Më pas kam njohur një tjetër piktor, z. Arif Lushin që për mua ka qenë një shtysë akoma më shumë për t’i hyrë me themel pikturës dhe për të konkurruar më pas në Liceun Artistik Onufri. Në qytetin tim unë kam hapur dhe dy ekspozita të tjera, por kjo është një ekspozitë shumë ndryshe nga ato dy të parat.

Pse ekspozita ka marr titulluat “Ndërthurja”?

Titulli i kësaj ekspozite ashtu është lidhur me dy rryma të ndryshme të artit, të cilat janë arti modern dhe arti tradicional nga i cili krijohet arti bashkëkohor, prandaj dhe unë vendosa ta quaj “Ndërthurja” e dy arteve krejt të ndryshme nga njëra-tjetra. Ka qenë pak e vështirë për ta arritur këtë ndërthurje, por me ndihmën e pedagogëve ia arrita.

Kjo ekspozitë përkon dhe me 100- vjetorin e Pavarësisë ka ndonjë lidhje me të?

Është një rastësi që përkon me 100- vjetorin e Pavarësisë që për mua është një nder shumë i madh që të përfaqësoj veten time në qytetin tim të lindjes, pasi ai vetë ka nevojë për aktivitete të tilla sepse gjatë viteve të fundit traditat kulturore në këtë qytet sa vinë e humbasin.

 ____________________________________________________________________________________

KUSH ËSHTË VAJZA NGA LIBRAZHDI

Kam lindur në qytetin e Librazhdit. Kam mbaruar shkollën 9-vjeçare këtu dhe me pas kam studiuar në liceun artistik “Onufri”, prej 4 vitesh në degën e Pikturës. Më pas konkurrova në Akademinë e Arteve të Bukura, ku fitova konkursin dhe fillova studimet për tre vjet në artin e pikturës. Më pas vazhdova masterin në degën e grafikës.