Ura- Vajgurore/ Plani rregullues që ndryshoi qytretin

918
Sigal

Është quajtur ndryshe edhe porta e qytetit të Beratit. Në fakt është një vend strategjik që lidh Beratin me Kuçovën, por edhe me Myzeqenë e Lushnjës dhe të Fierit. Dikur ai gumëzhinte si qendër tregtare, transporti, por edhe e produkteve bujqësore, tani është katandisur në një gjendje të mjeruar. Ai është lënë në harresë të plotë. Këtij qyteti me 12 mijë banorë i mungon infrastruktura, ndriçimi, shkollat si dhe qendra shëndetësore. Qendra e qytetit i ngjan një gërmadhe të madhe nga dëmtimet e lëvizjeve të kamionëve, por edhe nga faktorë të tjerë. Drejtuesi i bashkisë i shqetësuar për gjendjen aktuale të qytetit ka hartuar një plan rregullues si për qendrën, por edhe për rrugët e lagjeve, trotuare dhe ndriçimin e tyre. Fondi i akorduar është 250 milionë lekë. Zbatimi i tij ka filluar dhe është drejt përfundimit. Lajmin e bënë të ditur për gazetën kryetari i bashkisë, Syrja Ormenaj, i cili tha: “Bashkia së bashku me Këshillin Bashkiak nuk kanë mbetur sehirxhinj përballë situatës së rënduar që ka patur qyteti i mesit të urave. Një pjesë të ndërtimeve e kemi kryer nga të ardhurat e vjeljes së taksave lokale ndërsa për pjesën tjetër kemi patur një bashkëpunim me Bankën Botërore dhe fondacione të ndryshme, të cilat kanë ndihmuar këtë bashki. Këto investime kanë ndryshuar komplet pamjen e qytetit të Urës – Vajgurore si në infrastrukturë, arsim, ndriçim dhe shëndetësi madje ne si bashki kemi në projekt edhe ndërtimin e dy shkollave të reja 9-vjeçare një në qytetin e Urës- Vajgurore dhe një tjetër në fshatin Vokopolë”, tha Ormenaj. Kjo bashki është në tentativa me Qeverinë për ndërtimin e një Ujësjellësi të ri për të furnizuar me ujë të pijshëm.