Zgjedhjet mbaruan, qeveria heq kufizimet e emigrantëve

193
Sigal

Një javë para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, Komiteti Teknik i Ekspertëve mori vendimin për vendosjen e karantinës dy javore, ndaj të gjithë emigrantëve që hynin në territorin e Shqipërisë nga shteti i Greqisë, apo Maqedonisë së Veriut.

Vendimi u ankminua në Gjykatën Administrative nga LSI, por nuk arriti që ta rrëzojë para zgjedhjeve të 25 prillit.

Tashmë një javë pas zgjedhjeve, duke nisur nga mesnata e 3 majit, ky kufizim do të hiqet. Në këto kushte të gjithë emigrantët që vijnë në Shqipëri nga Greqia dhe RMV-së do të munden të hyjnë dhe të qëndrojnë pa pengesë në vendin tonë.

Komiteti Teknik i Ekspertëve vendimin e tij, duke detyruar emigrantët të qëndronin në karantinë e arsyetoi si një masë parandaluese ndaj shtimit të rasteve të reja me Covid-19 në vendin tonë.

Por, nëse do të shohim rastet e reja të raportuara nga këto dy vende fqinje nuk tregohet një rënie në kurbën epidemiologjike.

Përkundrazi, para një dite, Greqia ka shënuar 1,389 raste të reja, ndërsa Maqedonia e Veriut 104 raste ditore.

Duket se vendimi i Komitetit, i shërbeu Kryeministrit Edi Rama. Siç dihet, në këto vende jetojnë shqiptarë që do të ktheheshin në Shqipëri për të dhënë votën e tyre, por me masat e reja kundër Covid-19,  ata e patën të pamundur të merrnin pjesë në votimet e zgjedhjeve 2021. Pse më herët vizitat me Greqinë apo Maqedoninë e Veriut nuk kërkonin karantinë?

Duket qartazi që ky vendim i papritur i Komitetit Teknik i Ekspertëve, erdhi jo në interes të popullit shqiptar, por në interes të qeverisë tonë në kohë zgjedhjesh. Në të dyja rastet, pasojat e këtyre masave i vuan populli. Jo vetëm që jo të gjithë kemi mundësinë të ushtrojmë të drejtën tonë kushtetuese, por gjithashtu na pengohen mundësitë e udhëtimit.