Besim Bileri & Shefki Jaupi/ Edukimi profesional i punonjësve të KLSH, garanci suksesi në zbatimin e ligjit

639
Mbi bazën e praktikave më të mira të institucioneve simotra europiane dhe sipas orientimeve të standardeve ISSAI të auditimit suprem publik, si dhe në zbatim të objektivave të përfshira në Strategjinë e Zhvillimit 2013-2017 të KLSH (rishikuar për periudhën 2015-2017), trajnimi i audituesve të KLSH-së është konsideruar prioritet i vazhdueshëm për rritjen e kapaciteteve audituese dhe cilësisë së auditimit, duke synuar që ky institucion të jetë një nga pikat më të forta për zbatimin e ligjshmërisë ndër institucionet shqiptare. Për këtë qëllim janë planifikuar e planifikohen herë pas here veprimtari të ndryshme trajnimi, për t’u ofruar audituesve aftësi dhe njohuri të përditësuara specifike, të domosdoshme për ushtrimin me sukses të detyrës së audituesit shtetëror. Qasja e re që KLSH ka adoptuar në strategjinë e tij, sjell në vëmendje rishikimin dhe zhvillimin e politikave të reja, në drejtim të formimit dhe aftësimit profesional të audituesve. 
Për arritjen e këtij qëllimi strategjik, shërbeu edhe trajnimi dy ditor i dhjetë audituesve të KLSH-së, zhvilluar në Zyrën Shtetërore të Auditimit të Republikës së Maqedonisë. Në këtë veprimtari, theksi u vu tek auditimi i partive politike, detyrim që buron nga ligji organik i Zyrës Shtetërore të Auditimit të Republikës së Maqedonisë, ligji për partitë politike, ai për financimin e tyre dhe Kodi Zgjedhor në Republikën e Maqedonisë. Në zbatim të kornizës ligjore, të cituar më sipër, Zyra Shtetërore e Auditimit të Republikës së Maqedonisë, si organi kompetent, i ngarkuar me funksionin e auditimit financiar të partive, nuk mund të kufizohej vetëm në kontrollin e pjesës së buxhetit të partive, që sigurohen nga fondet publike, por do të shqyrtonte edhe dhuratat e ndihmat e përfituara në rrugë të tjera, para, gjatë fushatave zgjedhore e pas përfundimit të tyre. Auditimi i partive politike meriton një kujdes të veçantë, në raport me auditimet e tjera, pasi duhet të jetë profesional dhe objektiv dhe duhet të kryhet nga auditues me përvojë, me zotësi komunikimi dhe me integritet të lartë. Audituesi, krahas auditimit të dokumentacionit, merr informacion nga media televizive dhe e shkruar si dhe nga burime të tjera për financimet jo të pastra dhe të padeklaruara. 
Transparenca e partive për fondet publike dhe jopublike
Dobia e tij ka të bëjë me transparencën para publikut, për sigurimin e përdorimin e fondeve publike e jopublike, të lejuara e të njohura nga ligji. KLSH ka bërë një hap përpara drejt kësaj fushe auditimi me hyrjen në fuqi më datë 6.02.2015 të Ligjit nr. 154/2014, “Mbi organizimin dhe funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit”, ku veprimtaria e institucionit u zgjerua edhe drejt auditimit financiar të partive politike. Roli i KLSH në kuadrin e këtij ligji është në thelb mbledhja, kontrolli formal dhe publikimi i informacionit mbi partitë politike. Megjithatë, në ndryshim nga praktika maqedonase, KLSH do të mjaftohet vetëm me monitorimin e përmbajtjes së të dhënave për fondet që u janë akorduar partive politike nga Buxheti i Shtetit. Duhet theksuar se pjesa më e madhe e fondeve që partitë politike vënë në përdorim i atribuohet atyre jo-publike, të cilat monitorohen, mbikëqyren, dhe auditohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me auditues të pavarur, përmes ekspertëve kontabël, në zbatim të Kodit Zgjedhor dhe ligjit nr.10 374, datë 10.2.2011 « Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8580, datë 17.2.2000 “Për partitë politike”, të ndryshuar. Për pasojë, KLSH nuk mund të ndihmojë në transparencën e plotë për sa i përket financimit të partive politike dhe nuk mund të jetë në pozitën e vlerësuesit për tërësinë dhe saktësinë e informacionit të dhënë nga subjektet politike. Në përfundim, mund të themi se vënia në zbatim e praktikave të edukimit të vazhdueshëm profesional, i shërben rritjes së kapaciteteve audituese të stafit të KLSH-së dhe trajnimi i fundit pranë Zyrës Shtetërore të Auditimit të Republikës së Maqedonisë, i shërbeu këtij qëllimi. Qasje të tilla do të vazhdojnë të orientojnë veprimtarinë e këtij institucioni për t’u bërë zëdhënësi më besnik i zbatimit të ligjit, në veprimtarinë e të gjitha institucioneve, që financohen nga buxheti i shtetit.
Sigal