Flet studiuesi dhe shkrimtari Aurel Plasari

174
Pas 3 vitesh do të kuptojmë të vërtetën mbi vetingun dhe krizën morale politike
Profesor Plasari tregon mbi rolin e prokurorisë në çështjen Tahiri, heshtja ndërkombëtare, vetingun e shitur të “shqiptarëve” si shpikje e një fondacioni dhe ambasadorët Lu e Vlautin
Aurel Plasari, anëtar i Akademisë së Studimeve Albanologjike, studiues dhe shkrimtar i ftuar në emisionin ‘Studio e Hapur’ të gazetares Eni Vasili, shprehu pikëpamjet e tij mbi situatën politike në vend, drogën, krimin dhe rolin e ambasadorëve ndërkombëtarë në procesin e reformës në drejtësi. 

-Profesor, dua ta fillojmë këtë bisedë së bashku me një çështje të aktualitetit. Nuk e di nëse ndoqët vetëm disa orë më parë, lajmin se policia ka ndaluar një person që posedonte patentat e konfirmuara si origjinale të Sajmir Tahirit, ka pushtuar disi mediat. Ndërkohë që çështja Tahiri ka pushtuar mediat për më shumë se se dy javësh. Nuk e di e keni ndjekur si tematikë së pari?
Po, e kam ndjekur sigurisht.

-Ju ka shqetësuar dhe çfarë ju thotë ky lajm i ditës së sotme?
Ky lajm është një lloj sensacioni, të themi për gazetarët. Për njohurinë time është një gur mozaiku i një çështjeje shumë të madhe, të rëndë, e cila nuk do të mbyllet. Çështja ka një element shumë problematik brenda që nuk është bërë publik dhe për këtë arsye, shërbimet ndërkombëtare këtë çështje nuk e mbyllin. Sikur kryeshërbëtori Edi Rama ta dinte këtë element nuk do ta merrte në mbrojtje të dyshuarin.

-Ju profesor e dini këtë element? Nëse e dini, a mund të na e thoni?
Por, e kuptoj që Prokuroria e Republikës së Shqipërisë ose prokurorët italianë nuk e kanë vënë në dijeni të të gjithë elementëve. Njëri prej atyre elementëve e bën çështjen të pambyllshme, pjesa tjetër është e juaja e gazetarëve.

-Surprizë..A mund të na thoni diçka më shumë se kaq?
Jo, pjesa tjetër është e gazetarëve, nuk më takon mua. Por e them që kur të konstatoni, që nuk u mbyll dhe do vijojë me problematika të tjera, do më kujtoni që e kam thënë.

-Kur thoni e pambyllshme e keni fjalën për Saimir Tahirin apo shkon më tej sesa Tahiri? 
Besoj që shkon më tej…

-Deri te kryeshërbëtori?… Më lini ta bëj këtë batutë
Jo, nuk është çështje te personat që shkon, nuk është çështje vetëm e drogës. Është çështje përtej drogës.

-Na bëtë gjithmonë e më shumë kurioz, a mund të na thoni diçka më shumë? Çfarë ka përtej, më keq sesa droga, armët?… nuk e di, nuk më vjen në mendje…
Ka elementë të tjerë që gradualisht do dalin. Ja nesër, pasnesër do dalin gazetarë të specializuar dhe t’i vënë në dukje ato elemente.

-Pra, ju po thoni që lajmi i ditës së sotme është thjesht një pazëll që ndriçon paksa..
Një gur në mozaik, por nuk çon në ndonjë gjurmë të rëndësishme. Nuk është jahti, makina gjurma e rëndësishme. Është një nga gjurmët, sigurisht dhe nuk do na shkonte ta diskutonim e stërhollonim më tej. 

-Mendoni se do jetë kjo çështja me të cilën do fillojë i ashtuquajturi veting? Po hyj këtu të flas për vetingun pasi ju e keni trajtuar dhe më ka ngelur në mendje.
Kjo çështje është jashtë vetingut shqiptar ose është të themi pavarësisht vetingut shqiptar. 

-Nuk do të mund të quhej “start” i tij, por a do mund të konsiderohet i tillë?
Ata që kanë qenë të zellshëm, “ashikët” e vetingut mund ta trajtojnë si të tillë por nuk lidhet me vettingun shqiptar në mënyrë të sigurt. 
-Nga ana e kësaj jave vetingu ka nisur zyrtarisht..

T’ju jap një provë?
-Po patjetër
Dy ndër ndërkombëtarët që janë në Shqipëri, promovuesit kryesorë të vetingut shqiptar për këtë çështje heshtin, pra kjo nuk është çështje e vetingut shqiptar. 

-E keni fjalën për?… Lu dhe Vlahutin mendoj
Dy përfaqësues ndërkombëtarë, mua më pëlqen fenomeni. Emrat sesi quhen edhe mund t’ua di gabim. Këta janë edhe njëherësh promovuesit kryesorë që kanë sugjestionuar opinionin publik me dashurinë për vetingun, me “ashikërinë” për vetingun. Edhe këta për këtë çështje heshtin kështu që çështja nuk është çështje e vetingut shqiptar. Edhe është gjë e mirë për të kuptuar dështimin e parë të vetingut shqiptar.

-Nga ana e kësaj jave vetingu ka nisur zyrtarisht punën ndërkohë që ju e krahasoni me atë që bëri Hitleri në Gjermani në vitin 1933. Përse ky barazim profesor? 
Po, sepse kur e bën një krah politik i implikuar me krimin dhe abuzimet është i lexueshëm qëllimi. 

-Cili është qëllimi?
Është i lexueshëm qëllimi për të kontrolluar edhe njërin nga pushtetet. 

-Pra, ju nuk keni asnjë besim te pushteti se vetingu do të kryhet në Shqipëri…
Pushteti ekzekutiv nuk ka pse të rrijë ditë natë pa gjumë për t’u marrë me një nga pushtetet e tjera. Nuk është detyrë kjo e pushtetit ekzekutiv, qysh prej këtij momenti kur pushteti ekzekutiv mobilizohet për të rindërtuar një pushtet tjetër, kjo është krejt e dyshimtë. Kjo është të fillosh të vësh pikëpyetjet, çfarë interesi ka. Ndërsa pushteti tjetër do të ishte në të kundërt i interesuar për të kontrolluar kriminalitetin e pushtetit ekzekutiv. Këtu janë ndërruar rolet. Ky ndërrim rolesh është simetrik me ndërrimin e roleve në Rajhun III kur u bënë ndryshimet kushtetuese për të mirën e shtetit, qeverisë edhe të shoqërisë. Dhe ato degraduan pastaj në kontroll të pushtetit gjyqësor. Kjo është simetria. 

-Ju thoni në të njëjtin status të datës 25 tetor në “Facebook” që në fakt më bëri shumë përshtypje. “Një diktaturë mund të instalohet edhe në kohë paqeje edhe në rrethana kushtetuese të një pushteti të arritur me vota, i cili fillon të cenojë dhe të cungojë liritë kushtetuese.” Ju shihni, pra, elementë të instalimit të kësaj diktature në Shqipëri? 
Po patjetër, e keni parasysh pse e them këtë? Sepse shqiptarët kanë vuajtur një diktaturë që ka ardhur nga rrethana të veçanta pas Luftës së Dytë Botërore. Pra pas një lufte, të themi ushtarake, politike, luftarake të dy fronteve të mëdha ndërkombëtare etj. Dhe mund të kenë përshtypjen, që diktaturat fillojnë kështu, dikush fiton luftën dhe imponohet. Jo, nuk vijnë vetëm ashtu diktaturat. Ato vijnë edhe me ata që marrin pushtetin me vota dhe duan ta përdorin për hir të pushtetit. Për shembull, një njeri që thotë: unë largohem nga pushteti kur të dua unë, çfarë do të thotë? Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës këtë njeri do ta thërriste menjëherë Komisioni i Kontrollit dhe do i thoshte: Çfarë mjetesh keni ju zotëri përveç votave që u largokeni nga pushteti vetëm kur doni ju? Dmth, ju nuk keni votime dhe Nuk keni popull. Mund të thoni ju si gazetare, që ai e ka fjalën për sa kohë të dojë populli. Jo, nuk ka thënë këtë, nuk ka thënë, për sa kohë të më dojë populli. Ka thënë kur të dua unë vetë. Pra kjo presupozon një situatë ku votime reale nuk ka dhe populli nuk pyetet dhe gjithçka është artific. 

-Dhe vetingu është një mekanizëm i kësaj?
Mos ta ngatërrojmë me vetingun, po flas për një gjë tjetër, se më pyetët për elementët e diktaturës. Ky është element tipik i diktaturës. Enver Hoxha nuk ka guxuar kurrë ta thotë këtë, që largohem kur të dua unë. Kurrë.

-Dhe Rama e ka thënë…
Në Shqipëri kemi njerëz që e kanë thënë.

-Njerëz?
Po, thuaji emrin ti, se njësoj është, unë nuk kam ndonjë dëshirë t’i përmend emrin.
-Dhe Berisha ka thënë 30 vjet më keni këtu, por nuk është më…pavarësisht diskursit të tyre.
Nuk jemi takuar për këtë, se po dalim te Berisha do fillojmë të përdorim si argument Ismail Qemalin, Skënderbeun etj. Flasim për gjendjen e sotme. Më kërkuat një element të diktaturës. Rreziku për diktaturë është pikërisht, kjo mendësi, që largohem kur dua unë. 

-Ju e konsideroni vetingun një goditje të shtetit normativ, çfarë do të thotë? Kështu e cilësoni në status.
Kështu kam dhënë shembullin: Është një autor që tregon si goditet shteti normativ. Shteti normativ goditet pikërisht në këtë mënyrë, njëri pushtet duke iu imponuar pushtetit tjetër. 

-Do jemi në këto limite pra, ju e konsideroni si goditje këtë gjë? 
Është një simetri që unë e vë re nga mësimet e historisë.

-Po më shumë se shqiptar vetingu është një projekt ndërkombëtar, po të kemi parasysh mbikëqyrjen, monitorimin, motivimin që ka pasur nga përfaqësues të lartë ndërkombëtarë lidhur me procesin e reformës në drejtësi.
Është një shpikje e një fondacioni. 

-Juve nuk ju pëlqen të vini emra, por unë po them, Soros
Është shpikje e një fondacioni, le ta ketë emrin si të dojë. Mos të merremi sikur është shpikje botës dhe po bëhet në Shqipëri. Është shpikja e një fondacioni dhe është problematike, sepse është maskuar për t’u shitur, si jo-shpikje e këtij fondacioni. Është shqetësuese. Kjo nuk është teori konspirative. Që ta sajojë një fondacion dhe ta shërbejë në tryezë sikur nuk është e atij. Është shpikje e një fondacioni. Ky është fakt.

-Përfaqësuesit e BE dhe SHBA po vihen në funksion të këtij fondacioni?
Ky është fakt i dokumentuar, që është shpikje e një fondacioni privat. Kaq. 

-Si është dokumentuar? Është dokumentuar që dhe monitorohet nga BE nga SHBA
Është dokumentuar nga propozimi që u bë për të kryer këtë reformë. Edhe për të marrë përsipër një pjesë të madhe të pagesave për të angazhuarit në këtë formim. 

-Por vetingu është bërë edhe në Rumani e vende të tjera.
Nuk e di. Duhet të informohem si janë bërë në Rumani dhe të përgjigjem..E thua për mbrojtje të vetingut?

-Jo vetëm për informim 
Sado që unë i njoh ngjarjet ndërkombëtare, në logjikën formale ka një parim. Ne një të panjohur mund ta shpjegojmë me një entitet që e njohim më mirë, kurse kjo pyetje prej gazetari është një entitet që unë e njoh shumë mirë e të mund ta shpjegoj me një entitet që nuk e njoh mirë. Kjo është me kokë poshtë. 

-Më pëlqeu kjo prej gazetari…Do flasim pastaj edhe për këtë
Sepse është një pyetje prej gazetari. Nëpërmjet kësaj që unë e njoh mirë. Të më kërkosh ta shpjegoj me diçka që unë e njoh përciptas dhe nuk kam pse ta njoh aq mirë, sepse nuk jetoj atje. Dhe po të futemi në problematikat e tyre do na nxjerrin gjëra shumë më të rënda për gjendjen e sotme të shtetit shqiptar 
-Si do e shpjegoni çështjen që ndërkombëtarët e kanë mbështetur këtë proces, këtë shpikje të një fondacioni?
Do kuptohet mbas dy tre vjetësh. 

-Do na duhet të presim kaq gjatë, profesor?
Shiko unë kam bërë një shkrim që ambasadorët nuk janë engjëj. Kush lexon historinë e diplomacisë ka edhe ambasadorë që janë dënuar edhe janë hetuar etj. Keni mësuar në ndonjë shkollë që ambasadorët janë zotër? Ambasadorët janë përfaqësues të një shteti etj. Duhet të kryejnë me korrektesë shërbimin ndaj atij shteti dhe asnjë shërbim tjetër. 

-Po thoni që kanë agjenda personale?
Pa simpati dhe pa antipati. Në teorinë e diplomacisë ambasadori përshkruhet figurativisht si një qelq i tejdukshëm, pra që nuk duhet të duket, që nuk duhet të ekzistojë. Vetëm transmeton. Quhet model negativ ambasadori si pasqyrë, që ti i shikon fytyrën e ambasadorit moment e çast dhe jo të shteti të tij. Këtë e ka pas denoncuar një nga Papët e kohës së humanizmit, po jap një shembull që të jetë më e qartë. Kur i thotë (Papa) mbretit të Francës, të lutem ma tërhiq këtë ambasador që më ke dërguar dhe më nis një tjetër. Dhe mbreti Francës i përgjigjet duke i thënë që unë të kam dërguar një të shkathët, inteligjent, të zotin komunikues… Po, thotë, por ky orë e çast fillon me mendimet e veta, me debate dhe unë dua njërin vetëm për të komunikuar me ju. Atë ambasador që është si qelq i tejdukshëm ku ne nuk lexojmë çfarë mendon ambasadori, as shijet e ambasadorit, as çfarë muzike pëlqen ambasadori etj etj. Ky nuk është modeli i lavdërueshëm në historinë e diplomacisë. Sigurisht në rast se dalim nga historia e diplomacisë ka përjashtime. Ndaj them, se koha vetë do e saktësojë ç’ka ndodhur me qëndrimin e një numri ambasadorësh që nga ’92-sji ose nga vv ’90 e këtej. 

– Për një shtet kaq të madh si SHBA, nuk po them BE, por a lejohet një ambasador të ketë një agjendë personale, profesor?
Nuk e thashë unë këtë.

-Është një pyetje e imja
Nuk e di. Nuk mendoj për agjenda personale mendoj për atë që thashë nëpërmjet figuracionit të një ambasadori që do të shërbejë jo si një pasqyrë dhe si një xham i tejdukshëm vetëm për të transmetuar detyrat, idetë, misionet, porositë, rekomandimet dhe vetë të jetë sa më pak i dukshëm. 

-Sidoqoftë profesor, vetingu në vetvete, pastrimi i drejtësisë, reforma në drejtësi është diçka e nevojshme për drejtësinë shqiptare apo jo?
Po patjetër. 

-Atëherë po, bëhet mirë që bëhet?
Për të tre pushtetet është shumë i nevojshëm pastrimi. Në momentin kur hapi ndërmerret vetëm për një pushtet nga një pushtet tjetër paralele kjo është e dyshimtë. Po e përsëris. Pra spastrimi, purifikimi është i nevojshëm për të tria pushtetet kudo, në Shqipëri, në Itali, në Gjermani, në SHBA. Në situatën shqiptare kritike është i ngutshëm, i domosdoshëm, i vonuar për të tria pushtetet. Pra unë po vë një presje, të tria pushtetet. Jo njëri pushtet të qajë me lot dhe të merret me një pushtet tjetër për ta pastruar atë. 

-Epo dikush duhet t’i nisë, cili pushtet?
Ai pushtet duhet të fillojë të pastrojë veten e vet. 

-Politika, drejtësia?
Ai pushtet që merret me luftën kryesore për të pastruar pushtetin duhet të na sigurojë që po bën reformën e pastrimit të vet. Dakord? Çështja me të cilën filluat të më pyesni, çështja që ka dalë tani është një çështje që lidhet me korruptimin e pushtetit ekzekutiv. Lidhet me të, deri në ç’shkallë do ta shohim. Lidhet tërthorazi me pushtetin tjetër gjyqësor. Pra të tria pushtet e kanë të nevojshme këtë spastrim. 

-Nga do e fillojmë profesor se kështu po duket tërësisht e pamundur, po ku kërkoj një sygjerim, një ide…
Tashmë vetingu… Ideja ime nuk ka asnjë vlerë sepse është filluar. Është filluar, çfarë vlere ka ideja ime?

-Cila është rruga që të pastrohet drejtësia, politika?
Rruga do ishte, dëgjimi. Të dëgjohen njerëzit. Kryeshërbëtorit që qeveris sot unë i kam thënë në një shkrim “Pykat e Vjetra, Pykat e Reja”, ku shante parlamentin që janë mbledhur gjithë pykat dhe i kam thënë, që do shohim pykat që do sjellë ky. Dhe solli jo pyka po solli kriminelë, sa u desh të bëhej një proces dekriminalizimi, apo jo? 

-Po, e saktë
Kështu që unë e kam shpenzuar fjalën time paraprakisht. Nuk kam tani mbrapa ç’të them rekomandime e kam thënë që para se të shfaqej sëmundja, dakord? Sikurse e kam thënë, që ky njeri nuk e do parlamentarizmin. Kaq. Po tani çfarë të them? Që ka rënë në dashuri me parlamentarizmin në mënyrën si sillet? E kotë. Tani janë të tjerë që e kanë promovuar, të cilët po zhgënjehen. Le të zhgënjehen. Unë ua kam thënë, dhe një herë siç thotë populli, të paktën tani, të më thonë shëndet, sepse ua kam thënë përpara si Nastradini.

-Me parlamentarizmin nuk ka rënë në dashuri, me median jo e jo… Të paktën me vetingun
Nuk do gjeni dashurira përveç dashurisë për veten. Nuk e qortoj për këtë, sepse në politikë, në teorinë e politikës në sociologji ekziston një koncept që ndoshta në Shqipëri nuk e dinë. Koncepti i Kabotenit ose kabotenizmi. Kabotenizmi është prirja për të qenë vetëm ti i pranishëm, të kesh vetëm ti të drejtë, të përqendrohen vetëm tek ti, të jesh ti që flet më bukur, të jesh ti që tërheq vëmendjen, të jesh ti që bie në sy përfshi dhe veshjet. Prejardhjen e ka të çuditshme por ka ndryshuar në kuptimin social dhe politik. Vjen nga termi Kabotan frëngjisht që është një “aktor i keq”. Nga kabotenizmi vuajnë edhe njerëzit e mediave, edhe ne, edhe unë, të gjithë por kur vuan një njeri që drejton punët e shtetit ky është shqetësim i madh. Unë psh përpiqem që të përdor sa më pak fjalë të huaja sepse kur kam lexuar për kabotenin është që dëshira e tij të përdorë sa më shumë latinizma, frëngjizma tek ajo mënyra e lojës për të joshur të tjerët dhe sa herë më vjen një fjalë e tillë them mos, por në fund të fundit unë jam njeri i lirë mund ta kem atë defekt edhe ndoshta më falet. 

-E rikthejmë pak tek politika, tek kriza morale e politikës ekziston një e tillë në politikën shqiptare? A e ka humbur tërësisht politika në Shqipëri? Çfarë ndodhi me 74 mandatet që mori Rama, nëse është kështu si thoni ju?
Unë nuk i ndaj këto dy entitete. Me kalimin e kohës jam bindur ,se këta njerëz që na qeverisin që kërkojnë me ngulm të na qeverisin. Që nuk i lut njeri, ama që na qeverisin me ngulm e duan të vazhdojnë të qeverisin dhe të mos largohen së qeverisuri edhe pas dështimeve. Këta njerëz janë produkt i kësaj shoqërie. Pra problemi është i kësaj shoqërie, janë pjella të kësaj shoqërie. Pjella të shoqërisë në kuptimin më të afërt të turmës pa e fyer, e cila nuk është racionale dhe pjellat e saj nuk janë pjella të racionaliteti. Janë pjella të ndjenjave të çastit të sentimenteve, të simpative të antipative ekstreme. E gjithë historia ka shembuj të tillë, edhe në Shqipëri edhe jashtë Shqipërie. Produkte të tilla që masa i ngre në qiell, i himnizon, i bën të paprekshëm dhe vjen një moment pastaj i pështyn, i tërheq zvarrë u rrëzon monumentet dhe harrojnë që janë këta po produkt i tyre. Dhe gjejnë gati një justifikim për t’u distancuar, se ky nuk është produkti ynë. Kështu ka ndodhur me Musolinin e me plot figura. Të jap një shembull si do ndodh simetria? Si ka nxjerrë jashtë vetes kjo shoqëri, një produkt të saj që është Enver Hoxha. Si mund të ndodhë nesër me ndonjërin nga kryeshërbëtorët? 

-Lu dhe Vlahutin na e solli? Kjo është ideja?
Më kuptove shtegun. Do thuash ti, ishin Lu dhe Vlahutin, ishte Merkeli ose tjetri. Ky është realiteti tipik i asaj mase jo racionale që nuk mban përgjegjësi. Asnjëherë nuk thotë për vete, që ne e bëmë, ne e ndihmuam, ne e prodhuam, ne e ngritëm atë që na ka shtypur e që na bëri të keqen. E keqe e madhe apo e vogël nuk ka rëndësi. E keqe e madhe është ajo që bëjnë diktatorët, të këqija të vogla janë taksat, masat ekstreme, futja e frikës tek njerëzit, do hyni në burg për ujin për këtë e atë. Pastaj termi burg nuk është as i duhur si term, se janë terma të tjerë juridikë. Burg është ndërtesa, institucioni etj. Pra, unë nuk i ndaj këto dy entitete. Këta që na qeverisin me mekanizmin që i pjell. 

-Vijon-