Fakultetet shtetërore, shpenzime të dyshimta të miliardave që marrin nga regjistrimi i studentëve

295
Pagat i cakton dhe e jep shteti, pajisjet i blen shteti, mjediset i riparon shteti, energjinë elektrike, ujin dhe taksat i paguan shteti, pagesat për sigurimet shoqërore e shëndetësore i paguan shteti, atëherë ku përfundojnë nga 500 mijë lekë regjistrim për çdo vit mësimor dhe nga 1 milion lekë për çdo vit regjistrimi në Master, që paguajnë afro 20 mijë studentë?

Fakultetet universitare shtetërore në Tiranë e në rrethe, funksionojnë me qa pavarësi të plotë, sa të ardhurat dytësore nga regjistrimet e studenteve dhe nga burime të tjera, i përdorin sipas vendimeve që marrin vetë, duke lënë në hije Rektoratin e UT. Nisur prej faktit, që këto fakultete, janë jashtë standardit lidhur me cilësinë e mësimdhënies dhe aspekte të tjera shkencore, me bazë kurrikulat dhe kualitetin e stafeve akademike, të vlerësuar kështu prej akreditimit nga agjencia ndërkombëtare e ngarkuar me këtë studim, mendojmë se është domosdoshmëri, për të zbardhur aktivitetin financiar të fakulteteve. Ata që e kanë drejtuar universitetin dhe fakultetet, thonë se “shkaktarë janë ata që drejtojnë tani”, ndërsa këta që drejtojnë aktualisht, thonë se “Universitetin e kanë shkatërruar ata që kanë drejtuar në mandatin që u mbyll”. Kushdo qofshin shkaqet dhe shkaktarët, ajo që mbetet është niveli “zero” i cilësisë së punëve në fakultetet universitare shtetërore, gjë e cila i përcjell pasojat tek formimi arsimor i studentëve, të cilët paguajnë miliona për arsimim dhe nuk arsimohen siç duhet! Sot, po ndalemi në këtë problem të mbetur në hije, të lënë jashtë vëmendjes prej vetë universiteteve dhe shtetit e të kthyer në burim të ardhurash për shefat dhe shërbestarët e tyre në fakultete. E kemi fjalën, për miliardat që fakultetet “korrin” çdo vit nga studentët, për regjistrimin e tyre. Çfarë ndodh me financat nëpër fakultete? E bëjmë këtë pyetje, mbasi paçka se nga këto fakultete mblidhen “thasë” me lekë nga tarifa studentore e regjistrimit vjetor, studentëve nuk u ofrohet cilësi mësimore! Përse përdoren këto miliona? A ka një plan-shpenzimesh produktive të përdorimit të tyre, apo bëhen lista dhe hidhen firma harxhimesh, në “mirëkuptim” mes shefave që drejtojnë fakultetet, dekanatet, katedrat? Pagat i cakton dhe e jep shteti, pajisjet i blen shteti, mjediset i riparon shteti, energjinë elektrike, ujin dhe taksat i paguan shteti, pagesat për sigurimet shoqërore i paguan shteti! Ku përfundojnë milionat? Studentët paguajnë nga 500 mijë lekë të vjetra regjistrim për çdo vit mësimor! Po kështu, paguajnë 1 milionë lekë të vjetra, për çdo vit regjistrimi në Master! Për vitin akademik 2015-2016, në krejt fakultetet janë regjistruar 20 mijë studentë, ndërkohë që për Master Shkencor e Profesional, janë pranuar të regjistrohen 18.239 studentë të rinj, nga 12.940 që ishin regjistruar në vitin mësimor 2014-2015. Këtë vit, sipas shifrës totale që kanë publikuar fakultetet, janë regjistruar 18.500 studentë të rinj dhe pritet të regjistrohen afro 19.800 për “Master”! Llogaria rezulton të jetë në miliarda lekë, që kanë “adresa harxhimi”, por që sipas të dhënave, janë kryer në shkelje të ligjit të arsimit të lartë, të statuteve të fakulteteve, të vendimeve të bordeve, duke akorduar pagesa edhe për “qoka” e shpërblime mbi pagat dhe dietat! Kujtojmë, që studentët, pavarësisht se paguajnë tarifa të larta për regjistrim, paguajnë edhe për blerje librash e deri për çdo vërtetim, për kartonin e diplomës e për shumë shërbime të tjera administrative! A kryhet kontroll për shpenzimet financiare? Nëse ka një auditim të brendshëm, a kryhet dhe çfarë ka rezultuar? Gazeta “Telegraf” ka kryer një investigim të detajuar për çdo “qindarkë” të harxhuar në çdo fakultet, në 5 vitet e fundit!