Drafti i PS-së për Kushtetuesen/Presidenti Meta i kthen përgjigje Ruçit: Nuk provokohem nga cicmice të tilla, unë jam në mision

237

Pas draftit të PS-së lidhur me propozimet ligjore për procedurën e betimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese ka reaguar edhe Presidenti Ilir Meta.

Meta është shprehur se Presidenti nuk provokohet nga cicmice të tilla, pasi është garant i Kushtetutës së vendit.

“Presidenti i Republikës, nuk është në punë, nuk është as në detyrë, por është në mision dhe nuk provokohet nga cicmice të tilla, nga kushdo i orkestron ato.

Presidenti ka qenë dhe është dhe do të jetë garant i Kushtetutës dhe i fton të gjithë të merren me përballimin e pasojave të tërmetit në mënyrë të përgjegjshme. Kush gjen kohë në këto momente për të provokuar presidentin dhe popullin ta ketë të qartë që Presidenti e ka të qartë misionin e tij”, u shpreh Meta.

Mazhoranca socialiste propozoi ndryshime ligjore për procedurën e betimit të anëtarëve të gjykatës Kushtetuese.

Ndryshimet vijnë pas hezitimit të presidentit Ilir Meta, për të organizuar ceremoninë si në rastin e Arta Vorpsit, e cila pasi presidenti nuk e ftoi për t’u betuar, shkoi dhe u betua tek noterja. Me propozimet e reja, presidenca ka një afat 10-ditor për të organizuar ceremoninë e betimit.

Nëse ky afat shkelet, atëherë anëtarit i lind e drejta për t’u betuar në një tjetër vend dhe mund t’ia dërgojë me postë presidencës.