Hyqmet Zane: Tërmetet që kanë tronditur shpirtin e shqiptarëve

618
Sigal

Pikërisht më 8 dhjetor 2019 u prish me të gjitha format, për shkak të dëmtimeve nga tërmeti,e dhe godina 15, pikërisht godina që mblodhi studentët në protestën e tyre me grevë urie më 1990 që mbeti si simbol i demokracisë. Të tërheq vëmendjen se pikërisht u gjet dita e sotme , edhe pse ditë pushimi, që të hidhej në erë një godinë simbol në një ditë simbol të rinisë që solli atë ndryshim të madh të sistemit. Ishte një “tërmet” studentor që shkatërroi nga themelet diktaturën dhe që hapi siparin e një sistemi të ri të quajtur demokratik.

Askush nuk e kishte menduar këtë gjest më domethënie të madhe që pushteti i kryeministrit Edi Rama vuri dorë edhe mbi një simbol të rëndësishëm në një ditë simbol të rinisë studentore që dha mesazhin e madh të shpresës së shqiptarëve. Pas një tërmeti prej Zotit, që për fatin e keq tronditi themelet e shtëpive dhe pallateve të qytetarëve, realisht në sfondin e jetës shqiptare po përjetohet një tërmet i mungesës së mbështetjes nga urgjenca që duhej të ishte e domosdoshme për të dëmtuarit nga tërmeti.

Është e ditur se situatat e tërmeteve që kanë rënë në Shqipëri kohë pas kohe, vërtet kanë sjellë tronditje të mëdha në jetën e këtij populli. Para së gjithash sepse janë tërmete që kanë gjetur të papërgatitur familjet duke shkaktuar vdekje, si ky tërmet i fundit. Këto tërmete kanë sjellë dëme të konsiderueshme materiale se varfëria nuk mund të ndërtojë dot një shtëpi të dytë dhe do t’i duhet familjeve ta nisin jetën nga e para. Por tronditja psikologjike deri në shok, është e rëndë, më e keqja akoma se dihet çfarë fatkeqësish vijnë në të ardhmen.

Gjithsesi tërmetet venë e vijnë, herë pas here, por pasojat e tij janë të pariparueshme herë pas here në Shqipëri. Para së gjithash gjendja ekonomike dhe forca materiale e familjeve shqiptare është në nivelin më të ulët që ka rajoni dhe Evropa, siç kanë treguar statistikat. Me shumë zahmet një pjesë e vogël e këtyre familjeve bëjnë sikur rikthejnë normalitetin, por të tjerët, ata që janë të shumtat mbeten në mëshirën e fatit dhe me sytë nga qeverisja. Dhe jeta e njeriut aq është, ka një limit dhe nga kjo botë shqiptari ikën me maraz në shpirt dhe lë pasoja të mëdha tek fëmijët.

Nëse “tërmeti” demokratik i para 29 vjetësh përmbysi themelet e një sistemi kriminal, sot ende janë në këmbë dhe të organizuar falangat e të goditurve nga demokracia, janë ata që dinë edhe të kërcënojnë në kohë tërmetesh prej Zotit sa ikja për azil politik e studiuesit Agron Tufa, është pasojë e mos çuarjes deri në fund të atij “tërmeti” demokratik që duhet të kishte shkatërruar ideologjinë që polli tërmetin 45 vjeçar të diktaturës dhe la pas projektuesit e sigurimit të shtetit dhe trushpëlarët nga ideologjia komuniste.

Kur pash lajmet e ditës 8 dhjetor dhe u pa shembja e godinës 15, simbol demokracie, që mund të ishte bërë në çdo datë tjetër, por jo më datën 8, kuptoj brenda vetes se mendja e shkatërruara nga diabolizimi dhe shpirtligësia po bëhen dora e zezë e tërmeteve shpirtërore që kanë pasoja të pariparueshme. Nëse donatorë të ndryshëm do të rindërtojnë shtëpi e pallate dhe ata njerëz që mbetën pa strehë, pore dhe ata që po përgatiten të mbetën në qiell të hapur nga shembjet e ndërtimeve që janë klasifikuar të pabanueshme, do të ndjejnë “tërmete” edhe më të fuqishëm në jetën e tyre, kur shikojnë se si po menaxhohet situata me aktorizma kryeministrore, me fjalomani komisionesh, me tallje tip Braçe, me paaftësi tipike si të Çuçit apo me lot krokodili të femrave të rilindjes që u është shpërlarë truri nga ideologjia e falsitetit të qeverisjes..

Mostrat e pushtetit që dalin ekraneve për të bërë show-n e rastit kanë krijuar një metodologji për ta përdorur tërmetin e Zotit si mundësi për aksese politike duke dhënë çelësa shtëpish në dorën e disave dhe duke u siguruar se një ditë do u kërkojnë atyre votën e turpit, se votën e pushtetit nuk do ta marrin kurrë më. Fakti që dënimin prej Zotit nga tërmeti nuk mund ta themi se ishte i qëllimshëm, realisht po ndjejmë dhe po përjetojmë se dënimi prej politikave shkatërruese me ndërtues pallatesh të papërgjegjshëm që janë bërë oligarkë dhe që do i sjellin këtij vendi shkatërrime të herëpashershme. Mos kapja apo mos arrestimi i zullumqarëve që kanë bërë fasada e parada ndërtimesh sipas ligjeve të oligarkisë, është tregues ogurzi i “tërmeteve” që vazhdojnë njeri pas tjetrit edhe me veprat e show-t që bën kryeministri Rama po i vënë vulën poshtërisë dhe ligësisë që meriton vetëm ndëshkim popullor, tamam ashtu si 29 vjet më parë.

Tjetërsimi i idealeve demokratike, tejzgjatja e tranzicionit demokratik, lënia e lirë e mëkatarëve të diktaturës dhe silurimi i tyre në politikën e vendit, rikthimi i herëpashershëm i socialistëve në pushtet që kanë si qëllim në vetvete diktaturën e pakicës mbi shumicën siç edhe po ndodh edhe sot e kësaj dite janë “tërmete” që kanë lënë pasoja, kanë krijuar eksode, kanë shmangur intelektualët dhe kanë mbjellë çorganizim të organizuar me pasoja shkatërruese të të ardhmes së brezave të këtij vendi.

Kur u prish me qëllim të caktuar simboli me dy gishta në sheshin e Kavajës që cilësohet si qyteti simbol demokracie pas Shkodrës, si qytetar shqiptar kuptova se ai gjest ishte tregues i shkatërrimeve që do i bënte Rilindja një populli dhe një vendi të tërë ekonomikisht, shpirtërisht, psikologjikisht dhe ndërkombëtarisht që janë më të mëdha se shkatërrimet e një tërmeti prej Zotit. Pikërisht sot kërkohet mesazhi i një tërmeti që të bëhet orientues i “tërmeteve” që duhet të ndodhin në këtë vend për të sjellë një hapësirë rindërtimi të jetës së shqiptarëve se brezat e rinisë po ikin e po ikin se vazhdon t’i shkatërrojë tërmeti i politikës vrastare të kriminelëve që livadhisin, të hajdutëve që pasurohen, të pushtetmbajtësve që rehatohen në vila luksoze për inat të popullit që përjeton tërmetet e vërteta.