Dhurohen dorëshkrimet origjinale të Reuf Ficos

729
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave organizoi ceremoninë e dhurimit të dokumenteve origjinale të jetës dhe veprimtarisë politike, sociale dhe kulturore të z. Reuf Fico, ish këshilltar në Ministrinë e Punëve të Brëndshme të Qeverisë së Ismail Qemalit, ish ministër i Punëve të Brëndshme në vitin 1921, ish Ministër i Punëve të Jashtme të Shqipërisë në vitet 1929-1931, ish-ambasador i Shqipërisë në Jugosllavi në vitet1933–1936, ish-ambasador në Greqi në vitin 1937 dhe ish-ambasador në Gjermani në vitet 1938-1939. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin z. Ardit Bido dhe znj. Nahlel Fico, e cila dhuroi këto dokumente, të cilat kanë vlera unikale për trashëgiminë historike dhe politike të periudhës pas pavarësisë dhe në hapat e para të krijimit të shtetit shqiptar. “Kemi kënaqësinë dhe nderin e veçantë që sot pranojmë një dhurim të paçmuar në trashëgiminë sonë kulturore, dokumentacionin e një prej personaliteteve më të rëndësishme të viteve ’30-të të këtij vendi të z. Reuf Fico. Është një dhurim nga mbesa e Fico znj. Nahlel Fico dhe nga familjarët e tij, që do të mund që për pak kohë, pasi të përpunohet të shërbehen dhe të aksesueshëm për publikun. Është e rëndësishme që të japim dy mesazhe në këtë rast. 

Së pari, për t’i bërë thirrje të gjithë atyre që kanë dokumente origjinale të personaliteteve të mëdha të këtij vendi në shtëpitë e tyre, që t’i dorëzojnë në Arkivin Qendror të Shtetit ku do të ruhen në kushtet teknike dhe profesionale, i cili garanton që ky dokumentacion do të mund t’i mbijetojë kohës. 

Së dyti, për figura të tilla mëdha si Reuf Fico, mbi të cilët janë shkruar shumë pak, është shumë e rëndësishme që mund të hidhet drita mbi bazë të dorëshkrimeve, korrespondencës tyre, të të gjithë dokumentacionit arkivor, që ata kanë lënë si memorie të tyre të pa çmueshme. Këto materiale janë mbi 1300 fletë dorëshkrime mbi 2200 fletë shtypshkrime, 358 fletë gazeta, 28 fletë harta, çertifikata familjare,dëshmi deputeti, dëftesë shkolle,licencë avokatie, karta postare, fotografi, negativ fotografish që është shumë e rrallë, të cilat për shumë pak kohë do të jenë të aksesushme për publikun. 

Dua të falënderoj znj.Nahlel dhe gjithë familjarët e Reuf Ficos për këtë dhurim të paçmuar në trashëgiminë tonë kulturore”, tha z. Bido. “Dhurimi i këtyre dokumenteve ishte një amanet shpirtëror i të gjithë atyre njerëzve që nuk jetojnë më. Ka shumë për të parë, ka shumë për të studiuar, ka shumë gjëra dhe shumë fakte që flasin për gjyshin tim”, – tha znj. Fico. E rëndësishme është që bota e ka vlerësuar, dhe tani është momenti që ta vlerësojmë ne historinë e tij, kontributin që ka dhënë. 
Sigal