Avokat Altin Goxhaj/CV-të e Edi Ramës! 3 hipoteza politike, një tezë juridike dhe një aksion ligjor ndaj shkeljes së ligjit

220

Drejtor i ZMK-së

 Kryeministri i zgjedhur, term pa asnjë referencë juridike, në kulmin e skepticizmit publik mbi rikonfirmimin e mbajtjes së premtimeve elektorale të para 23 Qershorit, shpalli mbledhjen e CV-ve për ata që do të kontribuonin në zbatimin e planit qeveritar të Rilindjes. Siç dihet, plani i Rilindjes është program i qeverisjes së ardhshme, ndaj dhe është plan qeveritar dhe ata që do të donin të kontribuonin, nuk po u kërkohet të jenë vullnetarë, apo aktivistë të shtetit, por po u ofrohet të provojnë të kontribuojnë-punësohen në shtet! Në asnjë rast në 23 vjet nuk është kryer një veprim kaq formal dhe kaq anti-shtet njëkohësisht sa ky. Punësimi në bazë të meritave partiake është një traditë anti-shtet 23 vjeçare, por asnjëherë ky veprim nuk është kryer kaq lakuriq sa tani. Në asnjë rast, në 23 vjet, nuk është dhënë një mesazh kaq parti-shtet sa ky dhe për më tepër kur kjo bëhet në emër “të rilindjes së vetë shtetit”!

 Dhe unë për këtë arsye ngre 3 hipoteza komplementare politike dhe një tezë juridike.

 Hipoteza e parë politike:

Në kulmin e pritshmërisë së skepticizmit publik për rikonfirmimin e mbajtjes së premtimeve utopike deri në absurd, Rama shpiku CV-të si një bombë mediatike, për të zhvendosur vëmendjen publike nga mosrealizimi i shëndetësisë falas, sipas premtimit elektoral, i 300 mijë vendeve të punës, i taksave dhe tvsh-rave, i çmimeve të karburanteve apo ushqimeve, i çdo lloj artikulimi deri në kufijtë e absurdit para elektoral, por që mbeten të gjitha të shkruara me çdo lloj boje në sfondin lajle-lule të lejlasë së programit spektakolar!

 Hipoteza e dytë politike:

Dhjetëra mijë persona të organizuar në sigurimin e mbështetjes me votë apo me lekë për Rilindjen, po tregohen të paduruar për të filluar punë në shtator, mundësisht ditën e dytë te qeverisjes se në fakt kaq lehtë iu premtua. Janë shumë dhe padurimi dhe entuziazmi fare mirë mund të kthehen në stres dhe acarim dhe kjo mund të ndikojë në prishjen e atmosferës së muajve në vijim. Aplikacioni online i CV-ve në vetë faqen e “Kryeministrit të Zgjedhur”, e bën të besueshme se diçka po bëhet për ta. Dhe kjo ka efekt shumë pozitiv psikologjik në menaxhimin e stresit postelektoral të 300 mijë aplikantëve për punë dhe të afërmve të tyre brenda dhe jashtë vendit. Po ashtu kjo ndihmon edhe sekserët e premtimeve për vende pune që të mos shqetësohen për ditë nga klientët e tyre që në fund të fundit po kërkojnë atë që u është premtuar. Po ashtu, teoria “po i shqyrtojmë” është ilaç për menaxhimin e frustrimit dhe stresit jo për javë të tëra, por muaj, e deri dhe vite

 Hipoteza e tretë politike:

Aplikacioni dhe vetë ideja për të siç është marrë vesh menaxhohet nga Arbjan Mazniku dhe skuadra e tij e MJAFT G99. Ky person ka artikuluar mediatikisht në rolin e Kryetarit të Grupit të Punës për punësimin se si do të funksionojë gjoja databasa, por që në fakt ka lançuar veten si Shefi i ri i Kuadrit. Ideja e një database me aplikime online për punësim u vodh nga Mazniku dhe Veliaj nëpërmjet Fondacionit MJAFT në vitin 2005 nga një projekt që unë drejtoja në 2004 (vvvvvv.punesimi.info. Kjo i sjell pushtet të pakufizuar Valiajt, Manzikut dhe Fugës për të marrë nën kontroll çdo Pazar punësimi në PS.

 Teza Juridike:

Hapja e aplikacionit për CV-të, për të kontribuar për Rilindjen pranë Kryetarit të PS-së është një veprim antiligjor i cili:

  1. shkel dhe godet zbatimin e legjislacionit aktual për punësimin në administratën publike
  2. ushtron presion deri në pengim ndaj çdo punonjësi të administratës publike si frikësim dhe demotivim për të ushtruar detyrën publike.
  3. shkel parimin e transparencës dhe konkurrimit të hapur dhe të lirë në administratën publike
  4. mashtron publikisht një numër të papërcaktuar qytetarësh shqiptarë duke e prezantuar këtë proces si pranë një institucioni të autorizuar për këtë funksion (siç është shpikur termi joligjor dhe jo institucional “Kryeministri i zgjedhur”) kur në fakt kemi të bëjmë me një institucion partiak që e ka të ndaluar me ligj të marrë përsipër punësimin në administratën publike
  5. krijon administrata paralele ilegale që marrin përsipër të përzgjedhin aplikantë për punë në shtet
  6. institucionalizon pozicionin e stafit partiak të sekserëve të vendeve të punës në administratë publike duke kryer një vepër penale
  7. shkel hapur legjislacionin për mbledhjen dhe mbrojtjen e të dhënave personale, duke mos vijuar me asnjë shënim të domosdoshëm mbi praktikën dhe ruajtjen e të dhënave personale
  8. Aksioni Ligjor

Për këto arsye, unë në emër të ZMK-së në zbatim të detyrimeve që kërkon legjislacioni shqiptar në të tilla raste do të paraqes pranë organeve kompetente denoncimet, ankesat, paditë dhe kallëzimet penale përkatëse.