Amortizimi dhe mjerimi i sistemit hekurudhor

548
Sistemi hekurudhorë në Shqipëri aktualisht është i amortizuar dhe jashtë funksionit, ndërsa qytetarët prej vitesh përballen me mungesën e ofrimit të shërbimit nga transporti hekurudhorë. Në një vëzhgim të realizuar nga gazeta “Telegraf”, konstatohet se situata në sistemin hekurudhorë paraqitet alarmante me vagonë dhe segmente hekurudhore të shkatërruara. Panorama që të ofrojnë segmentet hekurudhore është e mjerueshme, vende-vende një fushë betejë për hedhjen e mbeturinave, pjesë të tjera të këtij segmenti të amortizuar ose të vjedhura nga persona të ndryshëm të cilët e shfrytëzojnë pothuajse të gjithë materialin për ta shitur për skrap. Prej vitesh palët politike, të majtë dhe të djathtë që kanë menaxhuar këtë sektor, premtuan që do të investonin në përmirësimin e situatës, por jo vetëm që nuk investuan, por as nuk u kujdesën për ruajtjen e mirëmbajtjen e këtij transportit hekurudhorë, duke e lenë sistemin hekurudhorë të përfundoj në gjendje të mjerueshme dhe jashtë funksionit. Mungesa e kushteve, amortizimi, teknologjia e vjetër, dëmtimi nga udhëtarët, sedilje të grisura, xhama të thyer, papastërti, mungesa e sistemit të ngrohjes etj, janë disa nga problematikat të cilat nuk marrin shumë kohë për të rënë në sy. Ndryshe nga vendet e tjera europiane ku të gjithë kanë mundësin të lëvizin me tren dhe metro, tek ne e vetmja zgjidhje janë makinat.

Mjerimi i infrastrukturës hekurudhore

Situata paraqitet alarmante në të gjithë infrastrukturën hekurudhore, e cila përfshinë, linjat hekurudhore së bashku me veprat e artit dhe bazat e riparimit të saj, stacionet hekurudhore me linjat dhe mjediset e tyre, ndërlidhja dhe sistemi i sinjalizimeve e bllokimit, sistemet e furnizimit dhe pikat e veçanta të ndërprerjes e kryqëzimit të linjave. Sa i përket sistemit të sinjalizimit ai është pothuajse inekzistent. Pra infrastruktura e hekurudhës së bashku me hallkat e saj fatkeqësisht është jashtë funksionit, për shkak se të gjithë këtë element nuk po vihen në punë, duke u lënë në harresë nga vetë shteti ynë prej vitesh, çka e bën të dukshme mungesën e investimeve në këtë sektor, duke i kthyer linjat hekurudhore në Shqipëri në gjendje të mjerueshme. Dy vite më parë, saktësisht me 31 gusht të vitit 2013, u mbyll stacioni hekurudhorë në Tiranë, me vendim të drejtorisë së Përgjithshme të Hekurudhave. Prej dy vitesh qytetarët të cilët udhëtojnë me tren nga Tirana në drejtim të rretheve të tjera tani duhet të shkojnë në Vorë për të marrë trenin. Pas deklarimit të vendimit për mbylljen e stacionit të trenit në Tiranë nga Drejtoria e Përgjithshme e Hekurudhave, u tha se ky institucion do të vejë në dispozicion autobusë që do të transportojnë udhëtarët nga Tirana për në stacionin e ri në Vorë, premtim ky që nuk u realizua asnjëherë. Ndërkohe që zhvendosja e stacionit u tha se u bë për shkak se Bashkia e Tiranës do të nisë ndërtimin e bulevardit të ri, as bulevardi i ri nuk u ndërtua, thjeshtë qytetarët janë ata që vuajnë “bërrylat” e politikanëve ndaj njeri tjetrit. Nga ana tjetër për shkak të mungesës së investimeve edhe qytetarët kanë humbur interesin për të udhëtuar me tren, duke zvogëluar çdo ditë e më shumë numrin e personave që zgjedhin të kryejnë udhëtimin me tren, kjo edhe për shkak të mungesës së ofrimit të destinacioneve të ndryshme nga sistemi hekurudhorë. 

Nevoja për rinovimin e sistemit Hekurudhorë

Rinovimi i stacioneve hekurudhore me linjat dhe mjediset përkatëse si sallat, biletaritë, peronet nuk do të kërkonin investime të mëdha. Me një administrim të mirë sheshet e magazinat do të ishin një burim i ndjeshëm të ardhurash, në kundërshtim me atë që ka ndodhur duke i braktisur ato. Por rinovimi i hekurudhave shqiptare kërkon studim të plotë të mbikalimeve të linjës hekurudhore në Shqipëri dhe ndërhyrje emergjente të prishjes së tyre dhe të ndërtimit të mbikalimeve apo nënkalimeve aty ku është e nevojshme. Nëse nuk do shpenzoheshin të gjitha fondet për fushatë elektorale nga partitë politike dhe do të investohej më shumë në sektorët në interes të qytetarëve, edhe sistemi hekurudhorë do të ishte funksional dhe në jetë, për të ofruar shërbimin e vetë. 
Sigal