Suplementi Pena Shqiptare/ Zija Çela: Një drithmë diçka si klithmë…

31
Sigal

Meqë ndodhem vetëm, por dua të ndihem me njerëz, ja një propozim. Veçse në këto çaste hiqeni celularin nga dora. E di, me një klik ju mund të hyni në albumin dixhital të fotove dhe të shihni çfarë keni koleksionuar. Por, kësaj here, le të provojmë teknologjinë tjetër, dhuratën që Zoti na e ka falur bujarisht.

E kështu pra, filloni të përfytyroni një njeri të dashtun, që mund të jetë familjar ose i afërt, por mund të jetë edhe mik ose mike. Plotësojani asaj/atij dalngadalë portretin, duke sjellë në mend çdo tipar e çdo hollësi të fytyrës. Patjetër sytë, sidomos sytë. Mos u nxitoni, u duhet të prisni ca. Nëpërmjet laboratorit trunor, fotografia po fillon t’ju shfaqet pak nga pak, fragment pas fragmenti… Mirëpo ju po merakoseni. E përse ky merak?! Ju shfaqet bardhezi dhe me një si rizë të mjegulluar? Ah, jo, mos fajësoni as filmin, as procesin natyror të stampimit, sepse nuk është mjegull. Është afshi i mallit tuaj që sikur e hukat, i vë tis, e mbështjell, prandaj bufton po atë çast një drithmë në gjak. Po thoni se e ndjetë. Drithmë – drithmë, diçka si klithmë…Por hiç mos u trembni, vjen prej përjetimit emocional, xixa në zemër e zjarrm në damarë, sepse shpirti njerëzor ruan epërsinë e shenjës së vet, shenjës së paarritshme hyjnore, sado të përparojē elektronika dhe inteligjenca artificiale.

Kujdes, ama, vetëm kur të jetë ngopur syri dhe të jeni qetësuar, mund të përfytyroni një tjetër njeri, sepse tashmë ju po formatoni jo në kompjuterin me qarqe të integruara, as në telefonin me kartë, por bash në qenien tuaj Albumin e Kujtesës.

Sa zgjati eksperimenti?

Sado të ketë zgjatur, në fund më vjen të shtoj diçka. Më rren mendja, më falni për mungesën e modestisë, por (ah!) më rren mendja se ndoshta diku dhe ndokush, dhashtë Zoti ndonjëra prej mikeve, mund të më ketë përfytyruar edhe mua. Mos më pyesni nëse e ndjeva. Përfytyrimi i tyre ka përherë butësinë e mëndafshit dhe ndriçimin e kristalit.