Suplementi Pena Shqiptare/ Valter Dauti: Shenjtërim lirie

211
Sigal

Në qytetin tim i përcjellin të vdekurit me saze,

(Të lumturuar se u hipotekuan banesën e fundit!)

Priftërinjtë janë të veshur  të gjithë me të zeza,

( që njerëzit të mos e harrojnë imazhin e djallit!)

Pemë që s’pjellin fruta, mbjellin në trotuaret e vendit tim.

Ndoshta për të thënë që jeta është  shterpë e plotë.

Kokëposhtë janë varur flamujt.( Shqiponjat shijojnë lirinë!?)

ikin njerëzit ikin… humbin lumturisht nëpër botë!

Gracka mjeshtërore iu kanë ngritur lumenjve,

që ëndërrat të grihen morsetash  me krimba.

(Ndoshta kjo është filozofia e artë e të mëdhenjve!)

Të thjeshtët,  heshtin.Tani s’ka as luftë, s’ka as trima!

Në planetin tim tokat e lumtura i shënojnë me kryqe,

(Dhe sigurisht, s’mund të jenë kryqe të vdekurish!)

Të urtët e mëdhenj përkëdhelin gishtat mbi tespije,

Të shtojnë a të flakin një gogël?(Kjo është çështje të mençurish!)

Në planetin tim, në atdheun tim…në qytetin tim,

stinët kafshojnë njëra-tjetrën e grinden si hijena.

E unë të falem Liri! Pa ty asgjë s’do të kishte kuptim!

S’do të ishte njeriu sërish, si një kafshëz në pelena!