Suplementi Pena Shqiptare/ Zija Çela: Në Podgoricë për çmimin “TEUTA”

142
Sigal

Shoqata Rajonale e Shkrimtarëve (Shqipëri, Mali i Zi, Kosovë) organizoi në Podgoricë ceremoninë e Çmimit Letrar “TEUTA”, që jepet për Vepër Jetësore. Po aty, Muzat e Alpeve promovuan edhe romanin “Sat Zooparka” (“Ora e Zooparkut”) të autorit fitues, përkthyer në gjuhën maliziane nga Qazim Muja. Libri është pajisur me parathënie e pasthënie, shënime të kritikës për autorin e përmban gjithashtu Letrën që Rexhep Qosja, fituesi paraardhës i këtij Çmimi, i shkruan fituesit të këtij viti.

Zija Çela i shprehu mirënjohje Bordit Drejtues për vlerësimin e lartë, përkthyesit të romanit, personaliteteve të shquara që bënë vlerësimet e krijimtarisë së tij, si dhe të pranishmëve në sallë, midis të cilëve prozatorë e poetë të njohur.

Arsyetimi për çmimin

Zija Çela, ndoshta shkrimtari më origjinal dhe më profilik i prozës në gjuhën shqipe, përbën një rast unik në letrat tona. Ai shfaqet si një planet letrar krejt më vete, i pakrahasueshëm, i rëndësishëm dhe vetvetja.

Në librat e Zija Çelës ngjarjet mund të ndodhin kurdoherë. Dhe kjo u jep romaneve të autorit një dimension të përtejshëm e të përjetshëm. Me krijimtarinë e tij, Zija Çela provon se letërsia e madhe i shpëton tiranisë së kohës. Kohës kalendarike. Por jo asaj ku rrinë së bashku veprat më të mira të letërsisë e të krijimtarisë shpirtërore, në atë zonë ku qëndron me dinjitet dhe krijimtaria e tij.

Nga parathënia

Zija Çela është prozatori i mjeshtërive metaforike, me një shqetësim të përhershëm për fatin e njeriut bashkëkohës. Nuk është e rastit që romanet e tij janë të populluara me një galeri të madhe karakteresh nga më të ndryshmet. E gjithë krijimtaria e Çelës është një univers, që ka në qendër qenien njerëzore, jo atë të idealizuarin e kulturës së renesanses, por njeriun që na bën të qeshim e të qajmë njëherësh, njeriun që na dhimbset në groteskun e vet Gogolian dhe Kafkian, viktimat e sistemeve të sotme burokratike që përfundojnë me Not with a bang, but a whiper. Dhe ky tip karakteri në opusin letrar të Çelës nuk është vetëm njeriu shqiptar. Është homo universalis, veshur me rrobat e bashkëkohësit shqiptar, ballkanik apo perëndimor.

“Ora e Zooparkut” është roman i sofistikuar. Ashtu si veprat e mëparshme të autorit, ky roman ecën në trarin e vështirë të ekuilibrit mes tragjikes dhe komikes, mes bashkohësisë dhe asaj që vjen prej Don Kishotit dhe Rabeles, me një ngjeshje kreshendo të narracionit dhe nështresave të njëpasnjëshme alegorike. Të ngjan sikur kjo ngjeshje, kjo tërheqje narrative, këto befasime emocionale dhe gjuhësore kanë një burim të përbashkët. Mund të hamendësoj se, teksa shkruante “Ora e Zeoparkut”, autori është ndodhur në një gjendje tjetërsoj, më të zymtë, më të trishtë, në një nga ato gjendjet e trishtim-kllapisë që e afrojnë njeriun me të Vërtetën e thelbit dhe me krijimtarinë e madhe. Një rrëfim ashpërsisht realist, me trajektore gjithë zigzage kohore e hapësinore, por ku retrospektivat duken iluzionisht si vazhdim linear i rrëfimit. Romani “Ora e Zooparkut” është thellësisht modern, pa synuar që të jetë i tillë. Dhe ky është moderniteti i vërtetë. Një modernizëm i paqëllimshëm, që vjen që nga ngjizja fillestare e shkrimësisë së Librit.

Rudolf Marku, Londër, tetor 2022

Nga pashënia

Zija Çela është krijues i një shtrirjeje të gjerë dhe i një ndjeshmërie të spikatur moderne, veprat e tij letrare sjellin frymën e epokës, një frymë e ndjerë nga të rrallët, të privilegjuarit dhe shumë të talentuarit.

Dëshmi e kësaj është sigurisht edhe romani Ora e Zooparkut. Një histori e përditshme bashkëkohore, e treguar lehtësisht, e kapshme, e kuptueshme dhe e arritshme për të gjithë. Në këtë histori bashkëkohësit njohin vetveten, çfarë ëndërrojnë dhe çfarë u ndodh atyre. Jeta e përditshme e ngjyrosur nga magjia. Romani është një emblemë e kohës. Besoj se lexuesit në Mal të Zi do të kënaqen vërtet me librin e përkthyer të një shkrimtari të madh nga Shqipëria fqinje, duke shijuar gjithashtu stilin lozonjar e gjuhën lakonike të autorit, mbi të gjitha, mesazhet universale që vepra dërgon për bashkëkohësit dhe brezat e ardhshëm.

Akademik Miraš Martinovic, Herceg Nov