BSH bënë lojën e qeverisë duke rritur interesin e kredive të cilën do e paguajnë qytetarët e varfër të Shqipërisë

152
Sigal

 

 

Le të marrim rastin e një kredie me vlerë 5 milionë lekë për ta bërë më konkrete: nëse interesi i saj të rritet me 1%, atëherë kësti mujor shtrenjtohet me rreth 4.200 lekë në muaj, ndërsa nëse interesi rritet me 3%, kësti mujor shtrenjtohet me mbi 12 mijë lekë në muaj.

Banka e Shqipërisë gjithnjë e më e shqetësuar për inflacionin, rrit normën bazë në 2.75%. Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë rriti sot normën bazë të interesit me 0.5 pikë përqindje. Kjo ishte rritja e pestë e normës bazë të interesit që prej muajit mars dhe rritja e tretë radhazi në masën 0.5 pikë përqindje. Një rritje kjo që pritet të vijojë deri në 4 apo 4.5% vitin e ardhshëm, për shkak të nevojës për të luftuar inflacionin më të lartë në dy dekada. Politika monetare është dizajnuar në mënyrë të tillë që rritja e interesave nga BSH të përcillet gradualisht dhe në mënyrë indirekte në tregun e depozitave dhe kredive, duke shtyrë qytetarët të kursejnë dhe të përfitojnë interesa më të larta për depozitat dhe duke i detyruar të mendohen dy herë para se të marrin kredi, për shkak se kreditë detyrimisht do të shtrëngohen.

Vetëm se në Shqipëri, një pjesë shumë e madhe e ofertës për kredi nga bankat nuk lidhet drejtpërsëdrejti me normën bazë të interesit të përcaktuar nga BSH, por lidhet me interesin e bonove të thesarit 12 mujore, interes që përcaktohet më së shumti nga kërkesë-oferta e qeverisë për huamarrje për financimin e deficitit buxhetor. Në mënyrë tipike, bankat i ofrojnë qytetarëve dhe bizneseve kredi me formulën Bono Thesari +, gjë që do të thotë se, nëse interesi i kërkuar nga banka është 3%, kësaj i shtohet edhe interesi i bonove të thesarit. Deri së fundmi kjo nuk ka qenë shumë shqetësuese për shkak se bonot e thesarit kishin një interes shumë të ulët. Në shkurt të këtij viti, interesi i ankandit të bonove 12-mujore ishte 1.7%.

Kjo do të thotë se interesat e kredive pritet të shtrenjtohen 2.5 herë më shumë se sa efekti i politikës monetare dhe kjo vjen për shkak se interesat e bonove përcaktohen nga uria e qeverisë për borxh publik.

Vetëm se ndërsa interesi bazë i Bankës së Shqipërisë është rritur nga 1 në 2.25%, interesi i bonove të thesarit 12-mujore është rritur nga 1.7 në 4.75%. Rritja neto është 1.25% në rastin e BSH dhe mbi 3% në rastin e bonove të thesarit. Kjo do të thotë se interesat e kredive pritet të shtrenjtohen 2.5 herë më shumë se sa efekti i politikës monetare dhe kjo vjen për shkak se interesat e bonove përcaktohen nga uria e qeverisë për borxh publik.

Efekti mbi këstet e kredive të klientëve aktualë është dramatik. Le të marrim rastin e një kredie me vlerë 5 milionë lekë për ta bërë më konkrete: nëse interesi i saj të rritet me 1%, atëherë kësti mujor shtrenjtohet me rreth 4.200 lekë në muaj, ndërsa nëse interesi rritet me 3%, kësti mujor shtrenjtohet me mbi 12 mijë lekë në muaj.

Rritja e interesave nga Banka e Shqipërisë është një politikë e papëlqyeshme, por e pashmangshme. Rritja e interesave është e detyrueshme për të zbutur inflacionin dhe këtu nuk ka çfarë të mund të diskutohet. Në rast se shtrëngimi i politikës monetare do të përcillej në masën 100% menjëherë në treg, atëherë familjet që kanë kredi për shtëpi do të pësonin një rritje të faturës; kësti i kredisë 5 milionë lekëshe do të rritej me 5,200 mijë lekë, por jo me 12 mijë lekë. Në çdo rast, mekanizmi i BSH jep ndikim në treg vetëm në mënyrë indirekte dhe e shtrirë në kohë. Me pak fjalë, nëse BSH ndryshon interesin tani, efekti i saj në treg do të përcillet pas gjashtë apo tetë muajsh, kohë gjatë së cilës, qytetarët mund të përshtasin sjelljen e vet konsumatore.

Situata është ndryshe me bonot e thesarit. Në rast se qeveria nuk merr masa që të ulë shpenzimet dhe rrjedhimisht, kërkesën e vet për borxh publik, rritja e interesave, shumëfish në krahasim me interesat e BSH-së, do të ketë një efekt të drejtpërdrejtë dhe të menjëhershëm. Zgjidhja natyrisht qëndron te qeveria, e cila duhet të shkurtojë shpenzimet në mënyrë që të shmangë huamarrjen e tepërt dhe për rrjedhojë, rritjen e tepërt dhe të shpejtë të interesave të bonove të thesarit. Vetëm se një efekt i kundërt me këtë duket se po ndodh. Duke qenë se interesat e titujve të borxhit publik po rriten për të gjitha maturitetet, qeveria duket se po tenton të rrisë huamarrjen afatshkurtër në mënyrë disproporcionale me qëllim që të kursejë nga interesat më të shtrenjta të huamarrjes afatgjatë. Kjo praktikë nga ana e vet pritet të shtrëngojë më shumë kushtet e tregut në bonot 12-mujore, dhe gjithashtu, të shtrenjtojë të gjitha kreditë në lekë, ato që janë dhënë më parë dhe kreditë e reja.

Për qytetarët kredimarrës, vuajtja pritet të zgjasë disa vjet, deri sa inflacioni të zbutet. Por qeveria nga ana e saj ka në dorë që lehtësojë vuajtjet, duke shkurtuar shpenzimet dhe rrjedhimisht nevojën për huamarrje afatshkurtër

.Gjergj Erebara