(Kushtuar Heroit të Popullit Vasil Laçi me rastin e 84 vjetorit të rënies së tij, i cili i bëri atentat Perandorit të Italisë fashiste Viktor Emanueli të lll)
Të drejtë pate dhe ti ,or Mbreti Italisë
ta shihje nga afër, atë pjesë perandorie.
Kurorën e braktisur, në ditën tonë të zisë;
ta patën lënë aty, mbi një fron tradhëtie.
Ti erdhe një ditë pranvere, që bëri ftohtë.
Ç’pate ç’të tha mëndja , që vendose ashtu ?
At’vit pemët s’çelën lule, po derdhën lotë
e ti bashkë me Vërlacin, shëtisje tutje e tëhu.
Kuptohet , koronën si gjithë mbretrit vure;
në at’kokën e vogël të ngjashme si çibuk.
Me shpatën ngjeshur mbas kërbishtjes pa tule
Perandori që vuan, e mezi ngjitet në kolltuk .
Konti i juaj aq entuziast ju pat premtuar;
shqiptarët do t’ju pritnin gjith’ gaz e brohori.
Dinaku pushtues ! Ofrove bashkimin etnik
me ndërrim skllavërie… në tënden perandori .
Ehh ti mbreti xhuxh, jo i gjatë sa e jotja shpatë !
Ata që të dërguan , si nuk t’i thanë zakonet tona ?
Prej një naganti plumbat që dolën vollën flake,
përzier fort me thirrjen” Shqipëria është e jona” !
Thonë se mbasi ” ia hodhe” përdore ironinë.
Mësojeni-the – Të qëllojë djaloshi me kobure !
Po cilin shkurtabiq e kap plumbi në makinë,
paçka se kur zbrite , keq t’u lagën ato poture !
Duçen tënd shastisur keq e kapi ngërçi at’ ditë!
Jo se për mbretin e vet do të ish i shqetësuar,
pesë plumbat mbi të dhuratë për perandorinë;
prej një dore që tregonte luftën tonë…filluar !
E varët djaloshin atentator pa zhurmë e bujë!
Bile kujdesshëm të dya, ia fshehët dhe vet Italisë.
Por jo o mbreti xhuxh më i voglë se vet shpata jote;
kurorën e Skënderbeut, e kemi të Shqipërisë !