Suplementi Pena Shqiptare/ Xhevat Mustafa: Një ëndërr, si të gjitha ëndrrat…

97
Sigal

Fragmenti përmbyllës i romanit të ri, në pritje për botim, me titullin “Dashuri në detin e urrejtjes”, ngjarjet e të cilit zhvillohen në një fshat shqiptaro-serb në Mitrovicën e Veriut, në muajt mars-qershor 1999.

Ishte mesnatë! Edhe pse kishte pirë një gotë të madhe me çaj kamomili, Teuta ishte përpëlitur në krevat për rreth 2 orë. Rreth 10 minuta para mesnatës kishte mundur të flinte. Pas një çasti kishte parë një ëndërr. Mirosllavi ishte kthyer e po trokiste në dritaren e saj. Ajo kishte nguruar disa sekonda t’ia hapte. Kur trokitjet kishin vazhduar ajo ishte ngritur nga krevati dhe kishte shkuar tek dritarja! Përsëri mëdyshja ia kishte bllokuar duart. Trokitjet e reja më të forta e kishin detyruar t’ia hapte dritaren. Ishin vështruar në heshtje për disa sekonda, pa mundur të shikonin tek sytë e njeri-tjetrit mallë të fortë e të sinqertë, që në të vërtetë e ndjenin të dy sfilitës nga përbrenda, në zemra… – Përse erdhe në këtë orë tepër të vonë? – e theu heshtjen Teuta, duke u munduar të dukej sa më e ftohtë, jo si njeri i gjallë, prej mishi e gjaku, me zemër që i rrihte fort, por si një statujë e bronxtë…Apo si ata njerëzit prej bore, që kishin bërë në oborre e fusha, kur ishin fëmijë…- Kuptohet, për ty…- iu përgjigj Mirosllavi. Më fal që të prisha gjumin! Mendova se… – Çfarë kërkon nga unë? – e kishte pyetur përsëri Teuta, duke mos e lënë ta zgjaste fillin e justifikimit. Mirosllavi ishte mëdyshur dhe i kishte ngulur sytë. Teuta nuk kishte mundur ta përballonte vështrimin e tij dhe kishte kthyer kokën tek dera, sikur kishte dëgjuar hapa në korridor… Erdha të të shikoj!- kishte folur ai, pa i hequr sytë e tij të pagjumë nga ato të saj, edhe më shumë të lodhur nga pagjumësia e tejzgjatur. U bë një kohë e gjatë, shumë larg njeri-tjetrit… Për mua këta muaj kanë qenë si vite. Më beso, nuk po e duroja më gjatë mallin për të të takuar… – Vetëm për kaq…? – e kishte pyetur Teuta, duke e bërë Miroslavin të ndjehej ngushtë nga kjo akullsi e fjalëve të saj e të mos mundej t’i përgjigjej menjëherë. – Ti e merr me mend dramën time!- kishte mundur të fliste, në kërkim të ethshëm të fjalëve të duhura, duke harruar se nuk po i shprehte ndonjë gjë të re nga një bisedë e tyre, para se të nisej për në Shqipëri, pas përdhunimit… Nuk mund ta harroj atë që kam parë atë natë…Pastaj, si mund të ndjehem kur të ndodhem përballë me ndonjërin prej atyre “kafshëve” që…të…përdhunuan? Mund të zgërdhihet e të më provokojë edhe më rëndë me fjalë të pista, sa nuk do të mundem të duroj. Ndoshta, edhe mund t’i sulem me shkelma dhe grushta e për ta mbytur me duar, deri sa t’i pushojë zemra.- Po ti a e kupton se sa të vështirë e kam unë që e kam përjetuar masakrimin nga shokët e tu? Kam mbi 3 muaj që mjekohem me doza të forta ilaçesh e nuk bëj çdo natë as 4 orë gjumë, as me qetësues dhe gjumësjellës. Shpesh ua prish gjumin edhe nënës dhe Ardianit me ulërimat e mia, kur mes ëndrrës kujtesa më gremis në humnerën e asaj nate! Ndoshta më kanë dëgjuar edhe tek shtëpia jote? Apo edhe më larg…Kushedi çfarë kanë menduar? – A mund të takohemi nesër tek vendi ynë? – i kishte kërkuar Mirosllavi, i prekur nga fjalët e saj. – Për çfarë do të bisedojmë? – ia kishte prerë si me sopatë Teuta. Mes nesh nuk ka më asgjë që na lidh…! Më mirëkupto, Miro, nuk të fajësoj ty! Edhe ti je viktimë e shtetit tënd dhe e kësaj lufte të çmendur të tij. Ky ishte fati ynë. Dashuria jonë është nën gërmadhat e shtëpisë sime. Në varrin e babait tim. Në atë copë vend ku shokët e tu bënë çfarë deshën me trupin tim! Në atë çast Teuta nuk kishte mundur të përmbante më shumë veten dhe e kishte mbyllur dritaren me forcë, gati në fytyrën e Mirosllavit. Fatmirësisht, po atë çast i ishte grisur edhe ëndrra. Teuta ishte ngritur përgjysmë e kishte ndezur abazhurin. Grila ishte e mbyllur deri në fund. Përtej saj nuk dukej asnjë dritë në rrugë e në shtëpinë përballë. As hëna e as një yll në qiell…Kishte parë një ëndërr, që kishte përfunduar si zakonisht ëndrrat…