KATEGORIA E PARË/ Zëvendëstrajneri Bekim Kuli tregon arsyet e mos arritjes të objektivit për Superiore
Agron KAJA

Një nga skuadrat që në Kategorinë e Parë u nis për kampione, sot e sheh veten përsëri në Kategorinë e Parë. Kjo është Besa e Kavajës, e cila me Mirel Josën në bankinë hyri me pretendime serioze, madje edhe e kryesoi renditjen për disa javë. Por luhatjet gjatë fazës së dytë e zbritën në vëndin e tretë në renditje, në të cilin i mbylli 33 javët e kampionatit. Në analizën e tij, zëvendëstrajneri i Besës Bekim Kuli, për gazetën “Telegraf’ u shpreh mes të tjerave se skuadra e Besës e nisi për kampion këtë kampionat, ndërsa u penalizua nga konjuktura dhe aleanca. “Që në nisje të sezonit, Besa u ndërtua si një skuadër pretendente për tu ngjitur në Superiore. Nga Presidenti Xhat Bizhdili u afruan lojtarë cilësorë, madje edhe trajneri Mirel Josa ishte i një niveli të tillë. Nisja jonë ishte shumë pozitive me disa fitore rresht, ku vetëm në javën e 5-të regjistruam barazim e parë, e kështu filloi zbritja. Por ja u them që në fillimin e kësaj bisede, se konjukturat dhe aleancat që u shfaqën nga disa skuadra, bënë që Besa të zbriste gradualisht nga kryesimi në renditje”, kështu e nisi dje bisedën zëvendëstrajneri i Besës, Bekim Kuli, i cili më pas u shpreh se ndeshjet Play-out ishin të çuditshëm dhe jo në ritmin e kampionatit. “Sepse u ndeshëm në Play-out me një skuadër, e cila në kampionat ishte 26 pikë pas nesh. Duke mos thënë se e nënvleftësuam, në atë ndeshje kishim disa lojtarë, që u kufizuan për shkak dëmtimesh, por edhe morali ishte i tillë që nuk i motivonte më shumë. Ndoshta këtu mund të them se ishte një pikë e dobët për eliminimin tonë, ndoshta edhe ngarkesa që për 9 ditë do luanim tre ndeshje radhazi dha ndikim jo të mirë. Nëse Besa si vëndi i tretë do të ndeshej me vëndin e 8-të të Superiores, kjo ishte më e logjikshme. Kjo skemë e këtij kampionati nuk më duket shumë e logjikshme, nuk e ndihmon cilësinë”. Por Bekim Kuli tregon se Besa nuk është dorëzuar për objektivin e saj për Superiore, sepse historia e kësaj skuadra të madhe atje duhet ta shohë. “Ky dështim nuk na ndalon që në sezonin e ardhshëm të kthehemi më të fortë. Nga Presidenti dhe drejtuesit e klubit janë duke projektuar skuadrën e sezonit tjetër, ku besoj se bazë do jenë disa lojtarë që e mbyllën këtë sezon, duke shtuar edhe blerje që do bëjnë diferencën për ngjitjen në Superiore”, ishte kjo biseda e gazetës “Telegraf” me zëvendëstrajnerin e Besës, Bekim Kuli.
LEGJIONARËT
Kristian Asllani “Lojtar i ndeshjes”, lajm i mirë për Kombëtaren

Mesfushori zikaltër Kristjan Asllani, zhvilloi një paraqitje mjaft të mirë ndaj Veronës, në triumfin 1-0 që Interi arriti në kampionat për javën e 35-të. Dhe për këtë sukses, në fund të sfidës është zgjedhur edhe “Lojtari i Ndeshjes”. Sepse 23-vjeçari shqiptar, mesfushor edhe i Kombëtares sonë, shënoi golin e vetëm të sfidës pas një penalltie të akorduar me VAR që në minutën e 9-të të kësaj ndeshje, ku ai u ngarkua me gjuajtjen nga pika e bardhë e penalltisë. Në fundin e ndeshjes, teksa mesfushori i Kombëtares kuqezi po jepte një deklaratë për “Sport Mediaset”, atij iu afrua shoku i skuadrës, Marko Arnautoviç. Sulmuesi austriak iu afrua, e puthi në kokë dhe më pas u largua duke qeshur. Ky moment është bërë viral në rrjetet sociale. Kjo paraqitje e mirë e tij është edhe një lajm i mirë për Kombëtaren tonë.
“Skuqet” Hysaj, por Lacio fiton
Një pasim për golin që në minutën e parë të ndeshjes Empoli-Lacio 0-1, e bëri Elseid Hysajn protagonist të tri pikëve për skuadrën laciale. Pasi dha pasin e golit që në start, Hysaj ishte një nga më aktivët e Lacios, dhe kjo ngarkesë solli edhe ndëshkimin e tij me dy kartonë, në minutat 66 e 76, duke dalë nga fusha me karton të kuq. Por Lacio ja doli me fitore në transfertë, kundër Adrian Ismajlit, njëherësh edhe qëndërmbrojtës i Kombëtares sonë.
Rei Manaj “hakmerret” me tundje rrjete, Gallatasaraj hesht pas golit

Të shtunën, Rei Manaj ka shënuar kundër Gallatasarajt në sfidën e vlefshme për javën e 32-të të Superligës turke. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare realizoi gol në favor të Sivaspor, pas avantazhit 4-0 që vëndasit kishin krijuar. Manaj tundi rrjetën nga një kënd thuajse i pamundur, ndërsa topi përfundoi mes këmbëve të portierit. Ishte minuta e 33-të, kur erdhi goli i 12-të i tij në këtë kampionat. Por ky gol ka edhe një të veçantë kur kujtojmë se Gallatasaraj e sulmoi disa muaj më parë sulmuesin shqiptar, pas ndërhyrjes së tij ndaj Jillmaz. Madje në dhjetorin e kaluar u kaluan limitet, sepse shumë tifozë kërkonin përjashtimin e tij nga kampionati turk, edhe pse u kërkua falje nga vetë Manajt. Ndërkohë, Gallatasaraj vazhdon i sigurt drejt titullit kampion, ndërsa Sivaspori rrezikon seriozisht mbijetesën në elitë.
Mbyllet Kategoria e Parë e sezonit 2024-2025
Kategoria e Parë mbylli sezonin 2024-2025, ku Pogradeci ishte “pishtari” i fundit deri dje, kur edhe “mposhti” veteveten me një autogol të Hysenllarit në minutën e 90-të të takimit Play-off&Play-out. Humbja e mban Pogradecin në Kategorinë e Parë, ndërkohë që Tirana mbetet në Abissnet Superiore.

KATEGORIA E PARË
Ndeshja Play-off
Të dielën, 4 maj 2025
Tirana-Pogradeci 1-0
Shënues: Hysenllari 90’ (aut)
Pogradeci mbetet në të Parën
RENDITJA NË 33 JAVË
Skuadrat Nd Pikë
1.Vora (Kampion) 33 76
2.Flamurtari 33 75
3.Besa 33 74
4.Burreli 33 58
5.Pogradeci 33 49
6.Apolonia 33 45
7.Lushnja 33 44
8.Korabi 33 41
9.Kastrioti 33 38
10.Kukësi 33 28
11.Valbona 33 16
12.Erzeni 33 11
Gjoka konfirmohet në bankinë, Skënderbeu nis projektin e ri.
Në fundjavën e shkuar, Ernest Gjoka mori një rikonfirmim për të qëndruar në bankinën e Skënderbeut edhe në sezonin 2025-2026, duke qënë se kontrata e tij te skuadra korçare përfundon pikërisht në qershor 2026. Trajneri Gjoka pasoi Ivan Gvozdenoviç në krye të Skënderbeut në fillimin e dhjetorit të kaluar, ku në 21 ndeshje në kampionat arriti 6 fitore, 7 barazime dhe 8 humbje, por 25 pikë nuk rezultuan të mjaftueshme për të qëndruar duke e mbyllur kampionatin në vendin e 9-të. Presidenti Takaj ka deklaruar se tashmë është fokusuar në projektin e ri për rikthimin në elitë.




















