Frank Shkreli: Kryqtari i Fundit, Gjergj Kastrioti Skënderbeu

33
Sigal

Ditar Diplomatik – Autor:  VIRGJIL KULE, Botim i dytë

Nga Frank Shkreli * Ish-Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë*

(Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra në bashkëpunim me Qendrën Kulturore “Nënë Tereza” të Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës” promovoi librin “Kryqtari i Fundit” të diplomatit Virgjil Kule. Promovimi është zhvilluar ditën e Shtunë më 3 maj 2025 ora 11 Am në Qendrën Kulturore “Nënë Tereza” të Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës” në adresën: 361 W Hartsdale Ave, Hartsdale, NY 10530.)

Është gjithmonë kënaqësi të takohemi këtu në sallën “Nënë Tereza” dhe të përshëndes Dom Pjetrin – i cili si gjithmonë ashtu edhe sot i mban dyert e Kishës Zoja e Shkodrës hapur për të gjithë ne – pa dallim feje e krahine – në traditën më të mirë të klerikëve të mëdhej të Kombit Shqiptar, në shërbim të të gjithë shqiptarëve, duke shtyrë përpara veprimtaritë kombëtare e fetare me moton “Për Fe, Atdhe e Përparim”. Falë Dom Pjetrit, në këtë kishë e në këtë qendër të Nënë Terezës, ashtu si sot, të gjithë shqiptarët pa dallim, këtu, gjithmonë kemi gjetur identitetin tonë të përbashkët fetar e kombëtar – ashtu siç na do Gjergj Kastrioti -Skënderbe dhe Nënë Tereza.

Falënderoj gjithashtu Federatën Pan-Shqiptare ‘Vatra’ për bashkpunimin me Qendrën Kulturore “Nënë Tereza” të Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës” në promovimin e librit “Kryqtari i Fundit…” Ju falenderoj për ftesën. Zonja të nderueshme e Zotëri të ndershëm.

Përshëndetjet e mia të gjithë të pranishmëve – urime autorit të librit: “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu – KRYQTARI I FUNDIT”, Z. Virgjil Kule për këtë vepër të rëndësishme historiko-diplomatike për Shqipërinë dhe shqiptarët. Unë nuk jam historian, por kam nderin të jem këtu midis jush, të ndaj me ju disa fjalë në lidhje me rëndësinë e këtij botimi voluminoz të Z. Kule – më shumë nga këndveshtrimi i një gazetari. Si i tillë, e konsideroj këtë promovim një ngjarje me rëndësi bashkohore, mediatike, jo vetëm këtu në Nju Jork, në Amerikën e largët, në Qëndrën e Nënë Terezës të Kisha Katolike Shqiptare, por edhe një ngjarje interesi historik për botën shqiptare në përgjithësi – përtej kësaj hapësire – m’atë anë të Atlantikut.

Në këtë promovim të veprës së tij, Z. Virgjil Kule na bashkon këtu në frymën më kastriotiane për të kujtuar Heroin tonë, Kryetrimin e Kombit dhe veprimtarinë e tij epike diplomatiko-ushtarake, të përgjithmonshmin e Kombit shqiptar Gjergj Kastriotin-Skënderbe. Këtu para bustit të tij në këtë sallë që, njëherazi, mban edhe emrin e Shën Nënë Terezës, ndërsa disa metra prej këtu qëndron monumenti madhështor i Heroit Kombëtar, në oborrin e Kishës Zoja e Shkodrës.

Por siç ka thënë edhe Aleksandër, Kryepeshkopi orthodoks shqiptar për Argjentinën dhe Amerikën Latine, i cili për fat të keq ndërrroi jetë, papritmas, kohët e fundit, “Skënderbeu nuk është vetëm në bronz. Skënderbeu është pjesë e identitetit tonë dhe qenie shqiptare, është pjesë e gjeneve tona”.

Po e përmend këtë se sikur këto dy figura të Kombit, për ne dhe për të huajt, janë të pandashme në historinë e shqiptarëve, megjithse kanë jetuar e vepruar pesë shekuj nga njëri tjetri. Janë, njëkohësisht, edhe shembuj të shkëlqyer si përfaqësues të diasporës.  M’u kujtua një deklaratë e ish-Sekretares së Shtetit, Madeleine Albright kur ishte pyetur se çka dinte ajo për shqiptarët: Albright është përgjigjur se ajo e njihte Shqipërinë dhe shqiptarët nepërmjet Gjergj Kastriotit-Skenderbe dhe Nenë Terezës. Prandaj, nuk besoj të ketë një vend më të përshtatshëm se — para bustit të Heroit kombëtar Gjergj Kastriotit, në Qëndrën Nenë Tereza – për të zhvilluar promovimin e librit: “Gjergj Kastrioti-Skendërbeu – Kryqtari i fundit”, të autorit Virgjil Kule.  Në Kishën e parë Katolike Shqiptare në Amerikë, këtu ku 55-vjetë më parë, si shumë të tjerë, prej këtu edhe unë kam pas fatin të hedh hapat e parë drejtë një jete e karriere të lumtur në këtë vend të bekuar.

Natyrisht, se simbolikat e kanë rëndësinë e vet, por më të rëndësishme janë faktet historike – kur dokumentet flasin të vërtetën, shekuj më vonë, për Kryeheroin Kombëtar të shqiptarëve:  “Për ta berë interpretimin mbi faktet në rrjedhshmërinë e tyre origjinale e ndërtova rrëfimin me kapituj vitesh dhe, brenda çdo viti, me referime ndaj dokumenteve sipas kalendarit të ditëve, javëve ose muajve kur ato janë prodhuar”, shkruan Z. Kule në librin e tij, duke shtuar se “u përftuar kështu për herë të parë një ditar analitik i veprimtarisë politike, diplomatike dhe ushtarake të Gjergj Kastriotit. Rrëfimi mbi bazën e ditarit” shton ai, “më siguroi pastaj narracionin e një historie koherente jo vetëm të veprimit, por kryesisht, të asaj që deri tani ka munguar – të mendimit të Skënderbeut”, pra, që autorit Virgjil Kule, e ka paraqitur me objektivitet të dokumentuar historik, shqiptarin e Madh Gjergj Kastriotin-Skënderbe.

Kjo vepër jo vetëm që e dokumenton me fakte rolin e Gjergj Kastriotit Skënderbe, “në përballjen evropiane të ofensivës osmane”, por, “ky studim e zgjëron hapësirën përtej kufijve të zotërimeve të tij”, duke arritur në përfundimin se Gjergj Kastrioti – Skënderbe, “Nga i pari në mes të barabartëve në Lidhjen lokale të Lezhës” – një akt kulmor i urtisë dhe strategjisë vizionare të tij – dokumentet e interpretuara në këtë vepër, sipas radhës kronologjike – e “vetparaqitën Skënderbeun, natyrshëm, pa ndërhyrje të sforcuar të autorit, si të barabartë, mes më të parëve edhe në plejadën e liderëve kryqtarë më në zë të kohës”. Jo vetëm në Ballkan, por edhe në Evropë.  Autori e siguron lexuesin gjithashtu se vepra e tij mbi “projektin madhështor” të Skënderbeut, është një libër i arsyetimeve të tija, ndonëse duke mbetur “rob” i dokumentit, një rrëfim me pasion dhe objektivitet për shqiptarin e mençur Skënderbe”.

Historiografia shqiptare moderne kishte nevojë për një libër të tillë të mirë-dokumentuar – duke marrë parasyshë burimet e reja të vleshme, por të pazbuluara deri tani, e që kërkuesit shkencorë e historianët si Virgjil Kule kanë në dispozicion, për një vepër si kjo, kushtuar Gjergj Kastriotit – Skënderbe. Për një vepër të shkruar nga një autor shqiptar, me objektivitet, qoftë edhe “rob” i dokumenteve të fakteve historike, siç shprehet autori – aq edhe më mirë, si një çështje me referencë faktologjinë historike.

Sepse historia e Shqipërisë dhe e shqiptarëve, sidomos në periudhën e lavdishme të Gjergj Kastriotit-Skënderbe, por edhe e periudhës së errët të pushtimit turko-osman 500-e sa vjeçar, ajo që është shkruar nga të huajt, mbetet deri në ditët e sotme mjaft e kapërthyer dhe e koklavitur, në një pjesë të madhe të saj. S’do mend, pra, që paraqitja e fakteve dhe e dokumentacionit historik nga autorë shqiptarë si Z. Kule, hedhin dritë mbi të vërtetat e luftërave shekullore të shqiptarëve, në përgjithësi, për liri ndër shekuj. Por, në këtë rast, ky libër, hedh dritë, veçanërisht, mbi veprimtarinë dhe përpjekjet e figurës më të madhe kombëtare, Gjergj Kastrioti-Skënderbe, sidomos nga pikëpamja e veprimtarisë politike e diplomatike të Heroit Kombëtar të shqiptarëve, një kontribut që nuk ishte trajtuar më parë, siç trajtohet nga pikëpamja e një autori shqiptar, siç është Virgjil Kule.

Për këtë, unë si lexues i thjeshtë, i interesuar në histori, por më shumë edhe si admirues i Heroit të Përgjithmonshëm të Kombit shqiptar, e uroj dhe e falënderoj Z. Virgjil për këtë vepër si një kontribut të rëndësishëm historik. Me këtë libër ju e kini paraqitur, bazuar në dokumentacion dhe fakte historike, figurën madhështore të Gjergj Kastriotit-Skënderbe, në “frymën më njerëzore, gjeniale, befasuese, tronditëse, kërshëruese, frymëzuese…por aspak tragjike e pasive sikundër është thënë jo rrallë”, në thonjëza. At Zef Valentini, albanologu i njohur me origjinë italiane dhe autor i veprës së madhe Acta Albaniae Veneta ka shkruar në vitin 1968 se deri atëherë, mund të ishin shkruar rreth 600-libra dhe vepra të tjera, muzikore e drama, mbi Gjergj Kastriotin – Skënderbe. Sot, natyrisht, ky numër duhet të jetë shumë më i madh, ndërkohë që fqinjtë e shqiptarëve në Ballkan dhe të huajt, në përgjithësi, shpesh kanë vazhduar të shkruajnë një histori aspak të vërtetë, qoftë për Gjergj Kastriotin Skënderbe, qoftë për historinë e vërtetë të shqiptarëve. Pa fakte dhe dokumentacion historik të dorës së parë, historianë e studiues të huaj, janë pëpjekur shpesh të mohojnë për interesat e veta gjeopolitike, jo vetëm veprimtarinë diplomatiko-politiko-historike të Heroit tonë Kombëtar, por deri në ditët e sotme, jo vetëm që vazhdojnë të mohojnë origjinën arbëroro-shqiptare të Gjergj Kastriotit-Skënderbe, por edhe vet ekzistencën e Kombit shqiptar si njërit prej kombeve më të vjetra në botë. Atje ku, “në ato shekuj të kaluem, banonte ajo familja e madhe trako-ilire, në namë e në za, në histori të fiseve dhe të kombeve… por që sot ashtë bash ai populli i vogël shqiptar, aq pak i njohun dhe aq zi i qjykuem në Europë…I vjetër sa fosilet, sa stalaktitat e shpellave jehuese të maleve të veta vigane, dhe i lindun të thuesh prej vetë rranjëve të vjetra, ai asht sot zot autokton i pakundërshtueshëm i tokave të veta”. (At Gjergj Fishta në fjalimin mbi të drejtat e shqiptarëve në Konferencën e Paqës, 1919). Këtu, pra qëndron, ndër të tjera, rëndësia e kësaj monografie kronologjike e autorit Virgjil Kule,“Gjergj Kastrioti-Skëndërbeu – Kryqtari i fundit”. Si një vepër me vlerë, e një studiuesi shqiptar, përpiluar, në bazë të një metode shkencore faktesh historike dhe dokumentacioni parësor– një vepër që ndikon pozitivisht në historinë e shqiptarëve, por edhe në rritjen dhe afirmimin e ndërgjegjes kombëtare – aq shumë e nevojshme në këtë periudhë tranzitore të brishtë politike dhe historike, nëpër të cilën po kalon sot Kombi shqiptar.

Është interesant fakti se si historia, përsëritet. Virgjil Kule, me librin “Gjergj Kastrioti-Skëndërbeu – Kryqtari i fundit”, na sjell mbrapa në periudhën e Gjergj Kastriotit-Skënderbe, tek marrëdhëniet e tija me Selinë Shejte – si qendra më e rëndësishme e botës perëndimore, atëherë dhe sot. Ai shkruan për përpjekjet e Gjergj Kastriotit për bashkimin e krerëve të principatave shqiptare në luftën kundër osmanllijve, por thekson gjithashtu diçka, për të cilën ndoshta, shumë prej nesh nuk ishim të vetëdijshëm. Për diplomacinë e Skënderbeut për të “ndërkombtarizuar” luftën kundër turqve dhe për të kërkuar ndihmë nga Perëndimi për mbrojtjen e Krujës dhe të trojeve arbërore. Gjergj Kastrioti-Skënderbe, pra, edhe si babai i ndërkombëtarizimit të çështjes shqiptare në kohën e tij.

Më shumë se 5-shekuj më vonë – në vizitën e parë që Presidenti historik i Kosovës, Dr Ibrahim Rugova ka bërë në Ëashington në tetor, 1989 më kujtohen fjalët e tija se gjëja më e rëndësishme në atë kohë përballë shtypjeve dhe krimeve serbe në Kosovë ishte siç e cilësonte ai: “Ndërkombëtarizimi i çështjes së Kosovës”, që më vonë u bë edhe misioni i tij parësor që më në fund çoi në ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë. Historianët mund të gjykojnë ndryshe, por përpjekjet e Rugovës për “ndërkombtarizmin e çështjes së Kosovës” në shekullin XX, që përfunduan në çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës mund të duken si një kopje e suksesshme e veprimtarisë diplomatike të Gjergj Kastriotit për ndërkombëtarizimin e mbrojtjes së Krujës dhe krahinave të tjera arbërore nga otomanët. Nuk ka dyshim se Ibrahim Rugova e dinte historinë dhe jam i bindur që ai të ketë mësuar nga “gjenialiteti i Gjergj Kastriotit-Skënderbe, si diplomat e politikan”, siç e cilëson atë autori Virgjil Kule, duke vlerësuar aftësitë diplomatike dhe lidhjet e Skënderbeut me Vatikanin dhe me botën e atëhershme “perëndimore”. A nuk është ky një paralelizëm historik midis dy periudhave dhe dy udhëheqësve të mëdhej të Kombit”?!

“Si formula e partneritetit për bashkveprimin me zotërit e principatave shqiptare ashtu edhe ndërkombëtarizimi i problemit të mbrojtjes së Krujës janë dy risi politike për të cilat Gjergj Kastrioti ka autorësi të padiskutueshme. Nga ana tjetër, shpjegimi i hollësishëm i këtyre risive është pasuri ekskluzive e studimit tim. Ato flasin për gjenialitetin e Kastriotit si politikan e diplomat, tipare këto shumë pak të theksuara në shkrimet e deritashme”, është shprehur autori i librit, “Gjergj Kastrioti-Skëndërbeu – Kryqtari i fundit! Gjergj Kastrioti Skënderbe, themelues i shtetit arbëror, bashkues i princave të Arbërit, ndërkombtarizues i çështjes shqiptare si bashkpunues me aleatët perëndimorë të kohës së tij dhe mbrojtës i vlerave iliro-arbërore, shpëtimtari i Evropës e pse jo edhe i qytetërimit evropian dhe krishtërimit, si Kryqtari i fundit! “Çfarë shembulli për mbretër! Çfarë detyre për pasardhësin dhe histori-shkruesin e tij.” (Den Store Castriotto af Albanian kallad Skanderbeg, Stockholm), 1788.

Shtyllat e kalbura të çardakut nuk do t’i mbajnë mohuesit modernë – të mbrendshëm dhe të jashtëm – të figurës dhe veprës së madhe të Gjergj Kastriotit-Skënderbe! Të nderuar të pranishëm, ju falënderoj nga zemra për durimin ndërsa autorit suksese të mëtejshme!