Suplementi Pena Shqiptare/ Xhemi Hajredini: Dua të zbres!

Dua të zbres,

s’mund të jem dëshmitar

NOA

i një përmbytjeje që duartrokitet!

As për rendin mos më pyet,

dështakët shpërblehen me lavdi

e të ndershmit ndalohen së qeni!

Dua të zbres,

në stacionin më të afërt të arsyes,

poshtë një peme ku heshtja ende

nuk e ka humbur kuptimin.

 

Ndalo botën, të lutem,

dua të zbres!

(ka thënë dikur edhe Guy Bedos*)

Kur marria bëhet model

dhe llumi ngjitet në majë,

nuk është arratisje të zbresësh,

por akt i fundit i nderit.

 

Aktor prapavije,

të qesh për të mbijetuar,

kumbar pa zë të jem,

të shoh se si ftohen furrat

e buka llaf goje,

jo faleminderit!

 

Ndaloni botën,

e mos më pyesni, pse!

Njeriu ndonjëherë zbret

për të shpëtuar

nga çasti i prapmë.

Dua të zbres,

jo nga frika,

por nga neveria që pikon

nga tavani i një bote

që shembet pa u dridhur.