Shefi e priti me një buzëqeshje të sajuar si ngërdheshje. Pasi i uroi mirëseardhjen kandidates së re për deputete, e pyeti për shëndetin, shkollimin dhe qëllimin për kontributin që mendonte t’i jepte partisë në pushtet, rilindjes dhe vendit në përgjithësi.
( Tregim)
Ajo erdhi nga diaspora me synimin për t’u bërë deputete e parlamentit shqiptar. Në prezantimet me popullin, që mendonte se do të përfaqësonte, nëse do të fitonte, pa i fshehur arritjet e saj në shtetin europian, ku jetonte, tha se kishte mbaruar shkollimin e lartë, se kishte 2 – 3 mastera dhe jepte mësim si pedagoge në një universitet kryesor të atij shteti. Ishin goxha arritje, dhe është normale që një njeri, me një barrë kaq të rëndë shkollimi, ta vërë stekën lart e më lart për të ardhmen e saj. Duke u bërë deputete, në ëndrrat e saj më të mira, e shihte veten ministre, e pse jo, edhe kryeministre e vendit të origjinës.
Mosha e saj lejonte t’i provonte të gjitha, por vendi i kryeministrit ishte “tokë e xanun” dhe, sipas gjasave, donte, së paku, edhe 30 vjet që të lirohej, sepse ashtu ishin rrethanat. Zonja, mbase nuk e dinte, por duhet ta mësonte këtë dhe shumë gjëra të tjera. Kur e dëgjoi këtë nga një i afërt i saj nuk e besoi, por duke mësuar se si shkonin punët tek ne, dalëngadalë filloi të bindej. Kur i thanë se shefi kishte thënë, kohë më parë, në studjon e një televizioni kombëtar, që largimi i tij nga detyra do të ndodh, vetëm kur t’i dojë menderja atij, kjo ia zbehu disi pritshmëritë. Këtë nuk e kishte dëgjuar as lexuar në asnjë libër, revistë apo gazetë, qoftë edhe në anglisht. Dikush i kishte thënë se as Enver diktatori nuk e kishte thënë kurrë këtë hata të zezë. Aq më tepër tani në demokraci, me demek. Filloi të dyshonte. Nga ato që mendonte e thoshte, dukej sikur s’kishte asnjë informacion për vendlindjen. Edhe pse e donte të majtën, PS – në, rilindjen e pagëzuar përdhunisht nga vetë shefi, ajo ishte e përkushtuar ta përfaqësonte dënjësisht dhe t’i jepte një shtysë zhvillimi vendit të vet sipas modelit që kishte mësuar në shkollë dhe e kishte parë të zbatuar në praktrikë, atje ku kishte kryer studimet. E gjendur përballë njëmijë pikëpyetjesh, vendosi të takonte shefin e madh që të konsultohej dhe të merrte ca këshilla prej tij. Kjo mundësi iu krijua shpejt dhe një ditë u gjend përballë me të.
Shefi e priti me një buzëqeshje të sajuar si ngërdheshje. Pasi i uroi mirëseardhjen kandidates së re për deputete, e pyeti për shëndetin, shkollimin dhe qëllimin për kontributin që mendonte t’i jepte partisë në pushtet, rilindjes dhe vendit në përgjithësi.
-Je e mirëpritur, i tha shefi. Partia ka nevojë për njerëz të shkolluar si ju dhe aq më tepër që vini nga një vend europian shumë i zhvilluar. Kam një kërkesë që duhet të mbetet midis nesh, tha shefi, pasi u sigurua se zonja do t’ia plotësonte.
-Ju premtoj, tha vajza pa u menduar fare.
-Atëherë, më lejoni t’ju pyes, nëse keni pasur nevojë të ndërroni emrin për ndonjë arsye madhore ose, thjeshtë, për kokërr të qejfit?
-Jo, kurrë, u përgjigj kandidatja, pa e ditur, ku donte të dilte shefi.
-Në konfidencë po ju tregoj se kur erdhëm në pushtet, 12 vjet më parë, na duheshin ca kandidatë që kishin bërë krime, dhe se duke ndërruar emrat, i kishin fshehur ato dhe ishin shmangur burgut. Por, për të mbajtur pushtetin gjatë, siç dua unë, duhen edhe horrat, kriminelët, bandat, mafia apo kartelet që ne i quajmë, në mënyrë të përkëdhelur, si “çuna problematikë.” Është si nickname (niknejmë) që i thoni ju në anglisht. Disa prej tyre i bëmë deputet ose kryebashkiakë. Këta dinë të gënjejnë, të vjedhin, të korruptohen dhe në disa raste janë pak imoralë, por ajo që ka rëndësi, duhet edhe kotributi ynë, sepse kemi eksperiencë dhe i mësojmë të fshehin ato që kapin. Më kujtohet në një rast, kur i mblodha çunat dhe po u flisja për këtë temë, formulova kodin me tre shkronja “KÇK” që do të thotë “kap ç’të kapësh”. Dikujt i pëlqeu shumë dhe më propozoi ta kthenim në ligj. Edhe pse nuk e pranova, u thashë të udhëhiqeshin nga ky kod dhe të mendonin gjithmonë për zgjedhjet e ardhshme. Sigurisht, pjesa e luanit më takon mua. Kur dikush nuk tregohet i kujdesshëm, nuk më jep ato që më takojnë nga investimet që bëhen kudo, unë ia rekomandoj SPAK – ut. Dhe ai merret me ta. Ne u kërkojmë kandidatëve për deputet të kenë një sasi parash, më e pakta 5 – 10 milion lekë të vjetra, sepse duhet të blejnë një sasi votash, përveç ndihmave që jep partia dhe bandat me paratë e drogës, që na duhen për të fituar me çdo çmim. Ndryshe nuk fitohet as nuk mbahet pushteti. Kam parasysh Vuçiçin, Erdoganin, Putinin dhe shumë diktatorë të tjerë nga lindja, që rrinë në pushtet me dekada. Pra, sa të kenë jetë. Unë i kam shokë e miq ata. I takoj shpesh dhe marr udhëzime prej tyre. Ata më kanë treguar e mësuar se si veprohet për të qëndruar në pushtet deri vdekje. Po fitove, detyra kryesore është të votosh në parlament ato që them unë. Po u bëre ministre, do të pyesish mua për çdo veprim. Ti merr rrogën pa kokëçarje dhe me nderon mua. Kur bota e sheh sa shumë gra kam ngritur në detyra të larta, më përgëzon, më bën shembull që duhet ndjekur nga çdo kryeministër tjetër. Ndoshta jemi i vetmi vend në Europë që kemi kaq shumë gra ministre, deputete e kryebashkiake. Kjo ma bën drejtimin ose sundimin më të lehtë, pasi ato nuk kanë kundershtime si burrat. Shpesh më akuzojnë se kam ndarë 4 – 5 gra, por kjo nuk do të thotë se nuk i dua gratë, se nuk i respektoj. Unë i dua më shumë se ata që kanë provuar vetëm një grua deri në frymën e fundit. Pra, unë nuk dua vetëm një grua, por dua shumë gra. Dhe kjo më bën krenar. Ne nuk duam opozitë. I kemi përçarë, i kemi blerë, disa, si më me influencë, i kemi burgosur. Ndryshe, nuk do ta kishim mbajtur pushtetin as 6 muaj, sepse kemi pasur vetëm dështime, skandale, vjedhje, korrupsion, padrejtësi, varfëri, papunësi, rroga të ulëta dhe pensione qesharake. Kemi bërë ca reforma të rekomanduara nga Sorosi, por që ngjajnë si shkatërrim, megjithëse na shërbejnë ne. Ne nuk njohim asnjë ligj. Por mbi të gjitha, vendi po shpopullohet, falë politikave të mirëmenduara që kemi ideuar e zbatuar. Të gjithë duan të ikin, sepse këtu ka varfëri, padrejtësi dhe nuk i afrojmë njerëzit sipas meritokracisë. Në një farë mënyre, po ndjekim “luftën e klasave.” Kështu, të pakënaqurit ikin dhe mbeten vetëm “tanët.” Për të gjitha sa thashë, opozita na kritikon, por asnjëherë nuk i kemi pranuar, edhe pse të gjitha qëndrojnë. Gjithmonë, tjetër kemi thënë e tjetër kemi bërë. Se ndryshe do të ishim larguar me turp prej kohësh. Përderisa qëndrojmë në pushtet, pavarësisht çfarë ka ndodhur, jemi krenar. Askush nuk na mposht. Ndërkombëtarët na mbështesin. Kur shfaqin ndonjë dyshim ose pakënaqësi në lidhje me krimin, korrupsionin, mungesën e zgjedhjeve të lira apo integrimin e shumë probleme të tjera, ne u themi: hapni gojën dhe na thoni sa para doni e ta mbyllim këtë muhabet. Dhe kështu, sado mbrapsht që veprojmë, ata u bëjnë marshalla punëve tona. Thonë se kemi bërë përparime të mëdha, se jemi në rrugë të drejtë për t’u integruar brënda 3 apo 5 vjetësh. Kjo na jep krahë që të punojmë në kundershtim me çdo ligj, të bëjmë sikur po kryejmë reforma madhështore. Ja p.sh: arsimin e kemi në shkallën më të ultë në Europë. Ke dëgjuar për PIZA – n? Ajo na nxorri në fund. Droga, krimi dhe shpopullimi janë tre shtyllat mbi të cilat ecim pa u ndalur. Me krimet kemi plotësuar nevojat tona dhe kemi eksportuar, thuajse, në çdo vend të botës. Ne i lëmë të lirë të veprojnë, me përjashtim të atyre që duan të punojnë pa lejen tonë ose nuk kotribuojnë në blerje votash. Kur kapen nga vendet e huaja, ne s’mbajmë përgjegjësi. Para e madhe qarkullon tek ne. Prandaj u zhvlerësua euroja, dollari, paundi e çdo monedhë tjetër e huaj. Ne jemi qëndra e Europës për shpërndarje e furnizim droge brënda kontinentit dhe përtej. Kemi portin e Durrësit që pret e përcjell mijëra ton kokainë, heroinë, hashash e çdo lloj droge tjetër. Unë kam shumë për të treguar, por po e mbyll me kaq sepse jemi në fushatë. Ne si parti, duhet të fitojmë me çdo çmim. Uroj të fitoni edhe ju, i uroi asaj me hipokrizi! Falemnderit që na u bashkuat, që na keni pëlqyer dhe na vjen mirë që pranoni kushtet dhe mjedisin tonë, të cilin e quajmë “Xhungël.”
Kjo bisedë le të mbetet midis nesh…
Vajza u ndie keq, por nuk deshi ta thoshte. Ishte e kotë. Ajo kuptoi se kishte ardhur në vendin, partinë dhe kohën e gabuar. E zhgënjyer dhe me njëmijë pikëpyetje në kokë, e vazhdoi fushatën deri në ditën e fundit, por pa para dhe pa një të kaluar të errët nuk kishte asnjë mundësi të fitonte. Uroj ta ketë kuptuar se partia socialiste alias rilindja nuk ka nevojë për njerëz të shkolluar. Ajo preferon njerëz me të kaluar të errët, siç tha shefi. Shkolla blihet dhe e vetmja detyrë mbetet të sigurojnë sa më shumë votues, me mënyra arriviste.



















