Suplementi Pena Shqiptare/ Mirela Leka Xhava: Fjalët që i mbuluan fletët

Në një dhomë të vogël, të ndriçuar vetëm nga një dritare e ngushtë, një sirtar i pluhurosur qëndronte në një qoshe, duke pritur të hapej. Era, një grua me sy të ndritur dhe shpirt kureshtar, afrohet ngadalë drejt tij. Zemra i rrihte fort, ndërsa duart i dridheshin paksa. Ishte momenti që ajo kishte shmangur për vite me radhë, momenti për të përballur të shkuarën e saj krijuese. Era ndjeu një përzierje të frikës dhe dëshirës që i vërshoi në trup, si një pëllumb i vogël, që përpiqet të çukisë thërmijat, por frika e bën të fluturojë papritmas. Me një frymëmarrje të thellë, ajo e zgjati dorën dhe preku sirtarin. Pluhuri u ngrit në ajër dhe ajo u ndal për një moment, duke ndjerë aromën e viteve të shkuara. Kur më në fund e hapi sirtarin, ajo pa letra të vjetra, të zverdhura tashmë, ditarë të mbuluar me shkrime , gazeta ku ishin botuar krijimet e saj, librin e parë me poezi. Gërmat, bashkëtingëlloret, togfjalëshat, rimat dhe mendimet e saj të dikurshme ishin aty, duke pritur të rilindnin. Poshtë tyre gjeti një pasqyrë të vogël të rrumbullakët mbyllur me kapak të bardhë. Iu duk se po përballej me kohën e largët, kur ishte kureshtare se si do të dukej me rudha më vonë. Tani i shihte të vizatuara lehtas në ballë dhe cepat e syve. Sa do të donte ta shihte veten në moshën kur e kishte mbyllur aty në sirtar. U ndje e fajësuar për heshtjen e gjatë. Era filloi të lexonte një nga letrat. Ishte një letër që ajo i kishte shkruar vetes kur ishte vetëm një vajzë e re, plot me ëndrra dhe dëshira për të ardhmen. Ndërsa lexonte, ajo ndjeu si zemra e saj të ngrohej dhe një lot i rrëshqiti faqeve. Ajo e kuptoi se kishte ardhur koha për të hapur jo vetëm sirtarin fizik, por edhe atë të shpirtit të saj, për t’u rilidhur me vetveten dhe për të përballur çdo frikë që e kishte mbajtur prapa. Kjo ishte vetëm fillimi i një udhëtimi të ri për Erën, një udhëtim që do ta çonte drejt zbulimeve të mëdha dhe një rilindjeje të shpirtit të saj. Ishte një mbrëmje e qetë vere kur Era u ul në tavolinën e saj të punës, me një fletore të re dhe një stilolaps të artë që i kishte dhuruar e bija për ditëlindje. Jashtë, cicërimat e zogjve dhe fëshfërima e gjetheve krijonin një simfoni të ëmbël, ndërsa ajri i freskët hynte nga dritarja e hapur. Ajo filloi të shkruajë gati çdo ditë dhe fjalët rridhnin lirshëm, sikur një burim i fshehur brenda saj kishte shpërthyer papritur. Poezitë ishin më të bukura dhe më të thella se më parë. Ishte si të kishte gjetur zërin e saj të vërtetë. Një ditë, teksa po shfletonte një nga poezitë e saj të reja, Era vendosi t’i dërgojë disa nga krijimet e saj një reviste të njohur letrare. Mezi priste përgjigjen, dhe kur më në fund erdhi, ishte një ftesë për të marrë pjesë në një mbrëmje poetike që do të organizohej në qytet. Mbrëmja e poetëve u mbajt në një amfiteatër të vjetër, të ndriçuar me qirinj dhe me një atmosferë magjike. Era u ngjit në skenë me zemrën që i rrihte fort, por me një besim të ri në veten e saj. Lexoi poezitë me një pasion dhe ndjenjë që preku çdo zemër të pranishme. Kur përfundoi, publiku e duartrokiti, dhe ajo u ndje e lumtur. Në fund të mbrëmjes, ndërsa po largohej nga amfiteatri, një burrë i moshuar iu afrua. Ai e përgëzoi për performancën dhe i tha se poezitë e saj kishin një fuqi të veçantë dhe të rrallë. Ai i ofroi të botojë një përmbledhje të re me poezitë e saj, një mundësi që Era e pranoi me emocion dhe mirënjohje. Disa muaj më vonë, libri i saj i ri doli në treg dhe u prit me shumë entuziazëm. Poezia e saj preku zemrat e shumë njerëzve, dhe Era u ndje më e plotë dhe më e lumtur se kurrë më parë. Ajo e dinte se kishte gjetur Itakën e saj, vendin ku poezia dhe shpirti i saj ishin të lirë të fluturonin së bashku. Në një mëngjes të qetë pranvere, teksa po shijonte kafen në kopshtin e saj, Era mori mesazh nga një lexuese, që i tregonte se poezitë e saj i kishin pëlqyer dhe gjente veten në to. Ajo qeshi dhe ndjeu një ngrohtësi të madhe në zemër. Ishte momenti kur ajo kuptoi se magjia e vërtetë e poezisë nuk ishte vetëm në fjalët, por në aftësinë e tyre për të lidhur zemrat dhe shpirtërat e njerëzve. Era vazhdoi të shkruajë, duke ndarë dhimbjen dhe gëzimin, ëndrrat dhe zhgënjimet e saj. Poezia ishte bërë pjesë e pandashme e jetës së saj, dhe ajo e dinte se do të vazhdonte të shkruante për sa kohë që të kishte frymë. Dhe kështu, fundi magjik i udhëtimit të saj ishte në fakt një fillim i ri, një udhëtim i përjetshëm në botën e magjisë së fjalëve dhe ndjenjave.

 

Sigal