Suplementi Pena Shqiptare/ Agim Bajrami: Ka disa ditë!

878
Sigal

Ka disa ditë, që shirat vijnë vërdallë
Por qielli prapë, pa ngjyrë ngjason
Tërmetet bien nga gjashtë ballë
Dhe toka frikshëm drithëron.

 

Ka disa ditë, që sa hap derën,
Do ndesh gjithmonë të njëjtën vapë,
Ajo gjithmonë më kujton verën
Që pas më ndiqka në çdo hap.

 

Ka disa ditë që brenda gjoksit
Ndjej një si zhurmë, që nuk shpjegohet
Të tillë zhurmë e bën veç rëra
A shkretëtira kur afrohet.

 

Ka disa ditë që sytë e tu
Mund t’i shikoj veç në kujtime
Ti u largove krejt papritur
Dhe kurrë s’më dhe për këtë shpjegime.

 

Ka disa ditë, që ditën time
Një makth si bisht e ndjek nga pas
Unë me të dy pa u ndjerë përzihem
Sa nuk di më, kujt i përkas?