Pëllumb Gorica : Ohri i grabitur i shqiptarëve

 

Shpirti gdhend në emocione magjinë e bukurive, që sjellin kënaqësi edhe më tepër kur shfaqen befasuese para syve.

NOA

Pamja piktoreske e liqenit të Ohrit nanuriste me një qetësi Perëndie.

Të eturit për tokë e ujërave e copëzuan atë. Belbëzon e s’duron dot, kur dy shtete mbështillen rreth tij.

Buzë liqenit shëtitja u udhëhoq në shtrirjen e tij kilometrike. Diçka e rrallë, e veçantë, ideale.

Valët e liqenit vijnë e ikin, shkumëzojnë në breg si gulçima protestash e kthehen pas në theqafje.

Përhapin pasqyrime mbi gjithçka: mbi rrugët, pemët, ndërtimet, njerëzit…

Syri të rrok rrëke turistësh, nëpër rrugicat me lloj – lloj dyqanesh suvenire dhe ornamente, butikë, restorante e kafenera me alfabet cirilik, të dy mbetje lagjesh shqiptare, të pazarit me një zejtari autentike.

E sheh lashtësinë në strukturat e mahnitshme të një kodre tepër piktoreske, me magjinë e bukurisë natyrore dhuruar nga zoti. Aty ngrihet Teatri i lashtë i ndërtuar në periudhën helenistike 200 para Krishtit.

Kishat të lënë përshtypje me përsosmërinë e tyre arkitekturore. Qyteti i Ohrit kishte në mesjetë 365 kisha. Qyteti mbiquhej “Jeruzalemi i Evropës” për këtë arsye. Në kishën e Shën Klementit, që është më shumë se një mrekulli arkitekturore, vështron mjeshtrinë e shqiptarit Progon Zguro për gruan e vet Evdhoqi (motër e Perandorit të Bizantit).

Nga dritaret e larta drita që hynte në kishë bënte të vezullonin në ngjyrë të artë statujat e objektet, që ishin të shumta.

Ulemi në një bar – kafe, në hyrje të Qendrës Historike, të nxitur jo aq për komoditetin dhe shërbimin e sjellshëm, sesa për emrin “Kadmo”, i cili të bën të mendosh se aty buzë liqenit mijëravjeçar jehuan kohërat e errëta të Historisë, kur bëmat e heronjve të saj ruhen në kujtesë e trashëgohen brez pas brezi.

Sytë sikur luhaten sa nga vezullimet në pasqyrën e liqenit shumëshekullor nga njëra anë dhe nga skenat e pikturuara në tavanin e “Kadmos”, ku dallohet qartë se nuk janë ilustrime të rëndomta, por skena mitologjike me heronj e dragoj.

Në liqen ndryshojnë ngjyrat befasisht, në dritë dielli, në hije; në mbrëmje, në dritën e hënës: herë në gurkali, herë në bojëqielli, herë në blunë e thellë.

Barkat lundrojnë si qinda pikla ngjyra- ngjyra në liqen, të shoqëruara nga një potere mjelmash sipër ujërave, të cilat gjithë finesë të krahëve të tyre dhe retë e bardha që kalërojnë qiellit të mbushin deri në plotësi.

Përballë liqenit, pa marrë udhë kah qytetit të vjetër, ngjitemi rrugicave të (Çinari) mes vargut të shtëpive, të ndërtuara në brinjë të njëra – tjetrës, si një krah i hedhur sup mbi sup, ku banojnë shqiptarët.

Të tërheq vëmendjen një rrap shumëvjeçar me trung të trashë e kurorë të madhe gjelbërimi.

Në majën e kodrës, dominon kalaja e Samoilit, që i shton pamjen mahnitëse qytetit.

Sundimtari bullgar Samoili i shtyu Bizantinët në jug të Ballkanit duke lënë shumë toponime sllave. Perandoria e parë bullgare, për një periudhë të shkurtër 20 vjeçare, pati Ohrin për kryeqytet.

Kur prek muret e larta të kalasë, përfshihesh nga emocione të jashtëzakonshme dhe futesh në labirinthet e ngjarjeve antike, aq më shumë të pathënat e të vërtetat.

Kalaja i përket shekullit IV (Para Krishtit) por restaurimi, tashmë me ndjesinë e krijimit të madhështisë, të shfaqet sikur është ndërtuar edhe një herë nga e para me një veshje të papërshtatshme.

Zëra dhe kumte që sikur tingëllojnë në vringëllimat e shpatave, rëndesave dhe parzmoreve: shkëlqimin e stemave. Të duket se këtu takon mbretin ilir, Bardhylin, apo të birin, Klitin, me vështrimin krenar, përhumbur diku dhe luftëtarët ilirë që, me flakë drite, zbardhnin fortesën e Enkeleasve dhe Desaretëve.

                Ohri i grabitur i shqiptarëve

Është e natyrshme dëshira për të njohur historinë e Ohrit, të mësosh për vazhdimësinë e jetës dhe ngjarjeve përshtyplënëse në kohëra. Por, sado që bëhesh kureshtar, pezmatohesh nga lashtësia e zbehur ilire.

Të dhënat historike janë baza e gjenezës dhe, kur heshtet për të vërtetat e deformohen ato, duke i shkruar me interesa nacionaliste, natyrisht fshihet shkëlqimi i shndritshëm i Ilirisë.
Ngjeshur mes heshtjeve, të pështjelluara pas perdeve të errëta, dallgë pushtuese janë përplasur pamëshirshëm në trupin e tij, saqë asnjë rreze dielli nuk po i bën dritë.

Nga stepat, lukunitë e ardhacakëve, si retë që zezonin qiellin e kaltër të tij, në fushata të shenjta zgjeroheshin (në shekuj) duke gëlltitur kësisoj trojet e Ilirisë së Lashtë, kulturën e historinë e saj, për të sjellë ndryshime të kufinjve: me shtete artificiale.

Pluhuri i harresës duket sikur i ka mbuluar vlerat e këtij qyteti.

Ohri ka një histori të larmishme, me dëshmi të pakundërshtueshme që vërtetojnë lashtësinë tonë, për të cilët studiuesit, me qartësinë e tyre, kanë ndriçuar thesaret e gjenezës sonë (ilire) si një certifikatë e moçme e këtyre trojeve. Koha, ngjarjet, luftërat dhe padrejtësitë e Evropës kanë lënë gjurmë, që të jemi sot i vetmi vend në botë që kufizohemi nga vetvetja.

Ohri quhej Liknida (që do të thoshte Liqeni i Dritës). Meqënëse andej lind drita, lind Dielli.

Vërtet që ka një shkëlqim ky liqen.

Emrin e tij të lashtë e gjejmë në dokumente, në legjenda, histori, tregime udhëtarësh evropianë dhe në harta, qysh prej kohës së Romakëve të Lashtë: në hartat e Jul Çezarit.

Aty kanë jetuar fiset ilire (Enkeleasit dhe Desaretët).

Më vonë ardhacakët sllavë ia ndërruan emrin dhe e quajtën Ohrida, që rrjedh nga fjala sllave “vohrid” (shqip në breg).

Ohri është quajtur edhe Ahras dhe këtë e vërtetojnë drunjtë e shumtë të Ahut.

Ohri në shekuj ka qënë vatër e atdhetarizmit. Aty kanë lindur, jetuar e luftuar burra të zot. E vërteta e tyre, sido që të ketë qënë, duhet paraqitur ashtu siç është.

Kanë jetuar Ilirët e fisit të Enkelenjve (Mbretëria e Parë Ilire, në shek. VIII P. K), që kishin si totem gjarprin.

Bullgarët e pushtuan për herë të parë këtë vend në vitin 867 dhe e shndërruan në kryeqytetin e Sllavëve.

Ohri ishte qendër e principatës arbërore të Gropajve: e shtrirë nga Dibra, Struga, Ohri, deri në Pogradec.

Historianët sllavo -maqedonas, me kryeneçësinë e tyre, i kanë mohuar figurat e kësaj familjeje princërore në kohëra si: Andrea Gropa, Pal Gropa, Zaharija Gropa (një nga bashkëluftëtarët e Gjergj Kastriotit) që në shekujt XIII – XIV ishin sundimtarë të tij.

Gropajt shpallën si kryeqytet Ohrin, prenë monedhat e veta. Stema e Gropajve, e zbuluar në Maqellarë të Dibrës, paraqet një Shqiponjë dykrenare të rrethuar nga gjarpri (totemi mitologjik Iliro – Pellazg).

Është interesante të përmendim se Ohri u bë simbol i qëndresës kundër Osmanëve dhe atje janë zhvilluar luftime të ashpra në kohën e Gjergj Kastriotit.

Pas vdekjes së Gjergj Kastriotit e ripushtimit turk, një pjesë e tyre u larguan në krahina të tjera.

Ohri është i njohur në Rilindjen Kombëtare Shqiptare, si vendlindja e figurave të Pavarësisë si të Dervish Himës, Hamdi bej Ohrit, Zyhdi bej Ohrit, protagonistë në kohën, kur roli i tyre ishte aktiv.

Veçse, fatkeqësisht, si mjaft territore të tjera ai mbeti jashtë kufinjve të tokës shqiptare më 1912, i banuar me shumicë nga shqiptarë. Tashmë, banorët shqiptarë të Ohrit, edhe pse pakicë, si shkak i rrjedhojave që ofroi fillim shekulli XX dhe luftrat grabitqare ndaj territoreve shqiptare, duke krijuar mbi to megashtete, të cilët nuk janë gjë tjetër veçse disa bashkime artificiale.

Në fillim të Shekullit të Kaluar shovinistët sllavo – maqedonas, me metodat e dhunshme, shpërngulën dhe ndoqën nga vatrat e tyre popullsinë autoktone shqiptare:

Një genocid i ndjekjes së mbi 400 000 banorëve të pambrojtur për në Turqi e më tej.

renohen me trashëgiminë shekullore, e cila është lënë në harresë, si një këngë e pashkruar në pentagramin e Historisë.

Sipas Edit Durhamit, në vitin 1904 ishte një qytet i populluar gjegjësisht nga shqiptarë.

Të njëjtat raprezalje ndodhën në Ohër gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe, pas vitit 1945, me politikën e famkeqit Rankoviç për spastrimin etnik.

Pas shembjes së “parajsës Tito” komuniste së bashku me të gjitha gënjeshtrat me të cilat u është shpërlarë truri, u krijua shteti artificial i Maqedonisë, mbi truallin e shqiptarëve.

Marrveshja e Ohrit midis liderëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe përfaqësuesve të qeverisë maqedonase, në gusht të vitit 2001, ishte një tjetër ngjarje në historinë e Ohrit:

Kishte lëvizje protagonistësh, të mbërthyer në ngërçin e pazgjithshëm, ku roli i kësaj marrëveshjeje, me arbitër Ndërkombëtarët, e humbi vlerën dhe për shumë vite la shijen e hidhur të mosrealizimit.

Jetojnë këtu, në këtë bukuri që ka falë Natyra… por të trishtuar prej padrejtësive të kohës, shtypjes e diskriminimit nga pushtuesit, u është mohuar e vërteta e Historisë.  Sepse reliket e historisë së lashtë të qytetit që flasin Shqip po fshihen nga kujtesa.

 

      Shën Naumi, manastiri që na kujton historinë e trishtë shqiptare           

Bregu përgjatë liqenit, i rrethuar nga gjelbërimi, të kujton një udhëtim në Cote d’Azur.

Kalojmë afër rezidencës së Titos, të zhytur mes pishave dhe shelgjeve me “këmbët” në liqen, që ishte një Parajsë e vërtetë.

.

Po kur kalon rrugicave mbetesh i magjepsur duke vështruar mijëra njerëz të dyndur në baret dhe restorantet e shumta, sa mezi gjeje vend të ulesh, as nëpër nën hijet e pemëve buzë ujit; ushqenin mjelmat, patat, rosat e fazanët bishtëgjatë, sodisnin varkat që rrëshkasin lehtë mbi ujërat kristal në një qetësi Perëndie.

Një tufë mjelmash jepnin një shfaqje fluturimesh.

Më tej, fazanë teksa të shikonin, me atë kokën e vockël…

Të dukej vetja sikur je në përrallat e Andersenit.

Në rrëzë të një peizazhi të gjelbëruar, prej ujërave të liqenit, me një qetësi Perëndie nëpër gëlqerorët e malit të Thatë, merr rrjedhë lumi Drin.

…Një bari i vogël nga Shën – Naumi punonte te një prift buzë liqeneve të Prespës, të cilët kanë lidhje nëntoksore ujërash të kristaltë, ushqyese për liqenin e Ohrit.

Bariu, nëpërmjet këtyre ujërave, që rrithnin përmes plasaritjeve karstike poshtë Malit të Thatë, i dërgonte familjes së vet të varfër çdo javë nga një qengj, të cilin e fuste në një thes dhe i ati i priste te Liqeni i Ohrit, aty në Shën – Naum.

Një ditë prifti dyshon dhe e pyet pse po pakësohej bagëtia.

Bariu i përgjigjet se ndoshta i sulmojnë kafshët e egra në mal.

Por prifti e ruan dhe sheh mënyrën e dërgimit të qengjit.

Kur vjen java tjetër, ai e vret bariun dhe e fut në thes trupin e tij, në vend të qengjit, duke e hedhur në ujrat nëntokësorë.

Të afërmit e djalit prisnin qengjin e radhës, por gjetën trupin e djalit.

Që nga ajo kohë ky vend ka mbetur i shenjtë.

Ritet, lutjet, avujt e temjanit dhe qirinjve që digjen, e kanë kthyer në adhurim e peligrinazh për mijëra vizitorë.

Manastiri i Shën Naumit ishte një Kishë Katolike Shqiptare me emin “Kisha e Shën Mëhillit”. Është një nga manastirët më të mëdhenj të Ballkanit. Por atje thuhet se është varrosur edhe Sari Salltiku.

Aty kishte shërbyer si prift Naumi (mbrojtësi i liqenit), i cili vdiq i devotshëm si katolik gjatë shekullit X.

Kur e pushtuan Bullgarët në Shekullin XIII e kthyen në Kishë Ortodokse.

Më vonë Manastiri u dogj bashkë me bibliotekën, për të zhdukur çdo gjurmë iliro – arbërore – katolike.

Te statuja e Shën Naumit të dhënat ishin shkruar në Gjuhën Maqedonase.

Shën – Naumi ishte tokë Shqiptare, që duhet ta shkruanin historikun e tij edhe në Shqip.

U futëm në manastir:

Në shesh një fazan i bukur. Ishte mospërfillës me ecjen e ngadaltë. Asqë e ngrinte kokën. Thuajse përreth tij asgjë nuk ekzistonte.

U mundova t’i bëja shoqëri duke i folur Shqip.

– Dëgjo, more djalë…

Kthej kokën: Pranë nesh një i moshuar, i veshur bukur. Më foli Shqip:

– Fazani është mësuar me robërinë. Nuk ka gjë më të keqe kur mësohesh me robërinë, qoftë edhe shpend. Më keq për njerëzit, apo popujt…

M’u kujtua Ahmet Zogu kur e shiti Shën – Naumin, Vermoshin dhe një ishull në Prespën e Madhe, të dhëna dhuratë për dasmën e kryeministrit serb Nikolla Pashiq…
***