Suplementi Pena Shqiptare/ Vullnet Mato: Te varri i nënës në Limjon

20
Sigal

 

 

Nënë, kam ardhur,

te varri yt, në Limjon!

Çohu, më prit

krahëhapur, me mall!

Më puth,

ashtu si dallga e detit Jon,

puth bregun shkëmbor,

që ke përballë!

Sa herë vija për pushime,

në muaj behari,

thoshe:

“Të kam pritur gjithë vitin te pragu,

dhe në vdeksha,

për ty do çohem nga varri!”

Ja ku jam, çohu,

se kam ardhur së largu!

Zgjohu nga gjumi,

pranë këtij deti me zhurmë!

Këtu era e Otrantos,

të godet brinjët me tërbim!

Çohu! U bë shumë kohë,

që po fle gjumë,

mezi pres, të të puth faqet,

me përmallim.

Çohu!

Si Ajkuna, e legjendës kreshnike,

të më presësh,

si Omerin tënd të largët!

Më gëzo shpirtin,

me buzëqeshjen fisnike,

zemrës së përgjëruar,

m’i shëro plagët!

Ti rrite shtatë fëmijë,

me duart mbi tegela,

arnove mballomat

e varfanjakëve të botës.

Më mbeti merak,

jetove me lakra të egra,

Çohu, të shijosh,

gjellët më të shtrenjta të kohës!

S’i harroj kurrë,

ato mëngjese të zgjimit,

kur të zinte gjumi,

mbi makinën qepëse…

Gdhije gjithë natën,

për qindarkat e fitimit…

Zgjohu, e ke fjetur,

pagjumësinë e atyre netëve!

Kjo varrezë,

ka shpirtra të kohës së shtrembër,

fantazmat e tyre i ke rreth varrit,

ku të çuan para kohe…

Çohu, moj nënë Thëllëza,

me më të bukurin emër,

të rrosh zonjë e madhe,

në odat e sotme komode!…