Suplementi Pena Shqiptare/ Bashkim Koçi: “Universiteti i blertë”

450
Sigal

Ashtu si për çdo fushë tjetër të shkencës, artit e kulturës, edhe për pedagogët e  bujqësisë ka qenë “Koha e të Mëdhenjëve”.

Janë dy autorë, Prof. Hulusi Hako dhe specialisti i mirënjohur  Spasse Thanasi,  të cilët guxuan dhe morën përsipër të shkruajnë një libër të veçantë për udhën, nga ngjizja e deri më sot, të Institutit  të Lartë Bujqësor, sot Universiteti  Bujqësor i Tiranës. Titulli është i mirëgjetur: “Universiteti i blertë”. Them “guxuan” sepse të shkruash për një institucion të lartë arsimor, i cili e ka historinë e formimit e të rritjes me shumë të përpieta, që do të thotë t’i futesh “detit në këmbë” dhe të marësh mbi vete përsipër përgjegjësi për të pasqyruar me vërtetësi punën e dhjetra gjeneratash pedagogësh e punonjësish shkencorë,  të cilët kontribuan e kontribojnë për përgatitjen e specialistëve me arsim të lartë të bujqësisë, por edhe të kordinuar këtë me veprimtari kërkimore-shkencore.

Në librin “Universiteti i blertë” lexuesi përballet me histori të pazakontë të njerëzve të ditur, me kurajo specialistësh “të çmendur”, të cilët gjejnë forca për të fantazuar e zbatuar rrugë të pashkelura, për të ngritur e vënë në punë veprimtarinë e një shkolle të lartë, e para e këtij formati e niveli në Shqipëri. Sipas mendimit tim ajo çka pasqyrohet në librin “Universiteti i blertë”, detajet që përshkruhen me aq vërtetësi e hollësi, të cilat kanë ndodhur këtu 70 vjet më parë, janë vlera të çmuara për brezat, por në mënyrë të veçantë për moshat e reja që nuk kanë informacionin e duhur për rrugën e vështirë, të paimagjinueshme të ngritjes të shkollave të larta në vendin tonë. Fjalavjen ndonjë student i Universitetit Bujqësor, i cili ndjek studimet sot në kushte komode, krejt normale si në çdo vend të botës, nuk e di që shkolla ku ai përgatitet i ka hedhur themelet diku në Laprakë, në një godinë të sajuar për të strehuar dhe krijuar kushte minimale  43 studentëve të parë të ardhur nga e gjithë vendi. Universiteti, sa për ta ditur, u trasferua aty ku është sot në shtator të vitit 1956. Studenti i sotëm nuk e di, gjithashtu, që mjediset për të zhvilluar mësim, për të krijuar kushte normale për të ushqyer e strehuar studentët, u përballuan me punë vullnetare nga personeli drejtues e akademik i porsaemëruar. Ky fakt, gati I pabesueshëm, na duket një çudi, apo jo?! Por në libër ka të dhëna të tjera që të befasojnë. Në ditën e çeljes të Institiutit Bujqësor, në 1 Nëntor të vitit 1951, morën pjesë figura të larta të arsimit e të shkencës si Aleksandër Xhuvani, Kahreman Ylli, Bedri Spahiu, Zia Këlliçi, Pirro Dodbiba, e që ky i fundit do të caktohej drejtori i parë i shkollës së lartë shqiptare, (emërtimi Rektor u miratua 10 vjet më vonë, në vitin akademik 1961-1962). Autorët e librit janë treguar të saktë dhe të përgjegjshëm për çka i servirin lexuesit kur sjellin emrat dhe hollësi të tjera për pedagogët e parë të Iniversitetit të Lartë Bujqësor, të cilët ishin dhe mbeten ende figura të ndritura të shkencës bujqësore shqiptare. Pedagogë si Vasfi Samim Visoka, Aleko Xoxe, Rabert Papajani, Nos Nosi, Bajazit Shehu, Tare Çelo, Dhimitër Bogdani, Masar Dervishi, Selami Toro, Piro Angjeli, Vasil Tagari e shumë të tjerë, zor si i vijnë më shkollës për përgatitjen e specialistëve të lartë të bujqësisë. Nuk dua të jem mohues i arritjeve të periudhave të mëvonëshme e të sotme, por, me sa kam informacion, ata vite, ashtu si për çdo fushë tjetër të shkencës, artit e kulturës, ka qënë “Koha e të Mëdhenjëve”.

Në libër nuk tregohet vetëm historiku i Universitetit Bujqësor, por në një farë mënyre shpaloset e gjithë platforma e kujdesit për arsimimin dhe paisjen me kulturën e duhur të kuadrove dhe punonjësve që mereshin direkt me kultivimin e bimëve bujqësore. Ndoshta është e tepërt që në këtë esse të sillen shifra e fakte që justifikojnë punën e madhe të bërë në vite për modernizimin e bujqësisë, por ndonjë prej tyre edhe duhet selektuar sepse vetëm kështu mund të nderohet e të respektohet mundi i atyre që sakrifikuan shumë për të bekuarën bujqësi, por edhe për të nxjerrë zbuluar këta të sotmit, të cilët bujqësinë e njohin në tavolinat e mbushur plot me produkte të ardhura deri aty nga krahët e të tjerëve. Shqiptarët duhet të dinë se në vitin 1960 kemi patur vetëm 5 shkolla të mesme bujqësore në mbarë vëndin, ndërsa në vitin 1990, sapo filluan proceset demokratike funksiononin plot 343 shkolla të mesme profesionale me profil bujqësor. Po tani? Lexuesi  duhet t’i përgjigjet vetë kësaj pyetjeje.  Realiteti është dëshpërues e që na shkakton dhimbje të madhe, por edhe ngarkesë shpirtërore për të ndëshkuar të gjithë klasën politike  e cila i ka shumë borxhe bujqësisë.  Në librin “Universiteti i blertë” vetëm shpalosja e të dhënave me shifra e grafikë mjaftojnë për të bërë krahasimin ku ishim dhe ku jemi me arritjet në bujqësi. Në këtë këndvështrim, pra duke konsideruar  arsimimin si investimin më të mirë për përparimin dhe modernizimin e bujqësisë, grafikët e paraqitur në faqet e librit për të sjellë  ndryshimet në vite, flasin shumë, madje janë befasues. Nëse Instituti i Lartë Bujqësor i hapi dyert në nëntor të vitit 1951 vetëm për 43 studentë,  nga të cilët 21 filluan studimet për agronomë e 22 për zooveterinërë, në vitin 1991 numri i studentve arriti në 4231. Sot është një realitet krejt tjetër: vetëm gjysma e kësaj shifre.

“Universiteti i blertë” është libër që sjell mjaft informacion si të jetë një enciklopedi e vërtetë. Çdo detaj që sillet nga autorët përbën histori, nëmos një libër  më vete. Një lexues  i vemendshëm besoj se ndjehet mirë kur njihet me punën e madhe, të guximshme dhe të vendosur  të njerëzve të ditur të fushës së bujqësisë, të cilët nuk u trembën apo të tërhiqshin  përpara kërkesave të kohës për ndryshime të thella në teknologji e mentalitet e njerëzve. Madje vetëdijësimi për këto kërkesa, mbarti një besim që nuk mund të arrihej në ndonjë mënyrë tjetër. Besoj se është ky investim njerëzor që nga ky universitet të kenë dalë shkencëtarë nga më të zotët, të cilët kanë arritur të përfaqësojnë denjësisht breza të tërë studentësh. Në auditorët e këtij Instituti famëmadh u përgatitën e iu dorzuan prodhimit të gjërë emërmëdhenjtë Ahmet Osja, Hysen Çobani, Hysen Laçej, Adem Salillari, Andrea Shundi, Enver Isufi, Haki Kola e shumë e shumë të tjerë të cilët kanë lënë gjurmë në muret e betonta të bujqësisë shqiptare. Unë, shkruesi i këtyre radhëve, si produkt i “Universitetit të blertë”, ndjehem mirë që gjatë viteve në faklutetin e agronomisë  kam patur  Rektor të diturit  Gaqo Tashko dhe Akademik Mentor Përmetin. Meqë në libër përmenden me dhjetra emra pedagogësh, të cilët kanë shërbyer si mësimdhënës  me plot pasion në Universitetin Bujqësor, gjej rastin t’i kujtoj me përulje  të thellë përpara kujtimit të pedagogëve të mi, për ata që më dhanë mësim për 5 vjet me radhë (1966-1971), duke filluar me Dekanin Skënder Xhiku, dhe profesorët Aleko Xoxe, Robert Papajani, Teki Tartari, Drita Stafa, Hulusi Hako, Edibe Ohri, Shyqyri Spaho, Qefqep Kambo, Nos Nosi, Avni Oktrova, Nevruz Kafazi, Muharrem Pengili, Petraq Sotiri, Temo Mandili, Alaudin Frashëri, Donika Mirdita, Fisnik Peza, Viron Pollo, Xhevdet Harbuli dhe disa të tjerë që na jepnin punët në praktikë dhe laborator. Pas një gjysmë shekulli ndjehem i privilegjuar që u përgatita e u kulturova nga “kudhra” e këtyre personaliteteve të mëdhenj të arsimit bujqësor.

Epikuri (341-270 pes), filozof i urtë i Greqisë së lashtë na përciell këshillën e cila është ende aktuale: “Kush s’e mban mend të mirën e kaluar, është i vjetër që sot.” Duke lexuar librin “Universiteti i blertë” më krijohet bindja se autorët, Prof. Hulusi Hako dhe Spasse Thanasi meritojnë falnderim e mirënjohje të çdo lexuesi sepse aty e kaluara e shkollës së lartë për përgatitjen e specialistëve  është sjellë ashtu si ka qenë, është lavdëruar për të zgjuar të ardhmen. Por ata që duhet të ndjehen mirë me veten dhe me këtë institucionin të lartë arsimor, janë pedagogët dhe të gjithë ata mijra studentë, të cilët studjuan për t’u bërë specialistë të bujqësisë dhe arritën të përfitonin diplomën “Madein ILB”. Nëse marrim nga ky altar i së kaluarës të Institutit të Lartë Bujqësor, zjarrin dhe jo hirin, gjë të cilën dy autorët e “Universiteti i blertë” e kanë realizuar në mënyrën më të mirë të mundëshme, le të shërbejë edhe si shembull nxitës  për vitin e ardhshëm,  Nëntorin e vitit 2021, në 70 vjetorin e krijimit të Universitetit Bujqësor të Tiranës, për të na sjellë edhe një “sivëlla” tjetër të “Universitetit të blertë”.