Suplementi Pena Shqiptare/ Vladimir  Shyti:  Një  shëtitje në  Durrës

386
Sigal

Ata ecnin së bashku, plaku më flokët e thinjur dhe kaçurrel, me duar delikate dhe bjondi me trajta të kulluara, me sytë blu dhe bel të ngushtë. Të dy pothuaj njëlloj të gjatë dhe njëlloj të hollë, njëri në adoleshencë, tjetri në pragun e pleqërisë. Ecnin përgjatë mureve të banesave ngritur anës kanalit të madh që çante ish kënetën e qytetit përmes e mbushur me ndyrësira, bridhnin me këpucët e lehta, me këmisha bojëhiri dhe blu me kopsa sedefi të mbërthyera deri në rripin e mezit. Oborret që sodisnin ishin të mbuluara me streha eterniti që bënin hije m’u në zemër të verës. Përreth tyre tapicierë, me gojën e mbushur me thumba, ndreqnin mobilje të vjetra, ku dhe prisnin klientë të rrënuar. Këpucarë, që shkynin me darë tabane dhe sandale për të mballosur më pas me shoje. Tregtarë të vegjël që lëvdonin mallrat e tyre industriale dhe ata perime-frutore. Fëmijë që silleshin qark tryezave, duke iu lutur prindërve, që t’u blenin lodrat e tyre të preferuara, që dikush hante ndonjë dackë, kush këmbëngulte. Pleq të ulur rreth një shtylle, të cilët tregonin bëmat e tyre jetësore dhe shanin e mallkonin qeverinë për pensionet qesharake. Më tutje në sikron shtriheshin pallate me fasada shumëngjyrshe dhe, anës trotuarve markete me shumëllojshmëri të artikujve, ku dilnin me torba plot pak njerëz të veshur bukur sipas stinës. Dyzina familje jetonin pirg njera pas tjetrës përtej kanalit, që përhapte mbi to një aromë mbytëse të qelbur; llumi verës kutërbon pisllëkun, ndryshku brente hekurin, kripa gërryente gurin, skamja njeriun në këtë vend me njerëz të ardhur nga viset e ndryshme të vendit tonë. Ata u ndalën në një kafene ndërtuar nën hijen e një shelgu shumëvjeçar që shushërinte lehtë nën flladin e lehtë dhe gumëzhinte nga zogjtë dhe gjinkallat dembele. Porositën kafe dhe ujë të ftohtë.  Nga një portë banese disa metra larg lokalit, dikush sapo kishte hedhur lëtyrat e një legeni dhe uji bojëhiri e i trashë vraponte mbi tokë në currila të vegjël.  -Ja,-tha plaku -fytyra e fatit tonë. Ne, domethënë ju edhe unë jemi njëlloj si këto rrëke të vogla, por jo me ujë të kthjellët, por rrëke me ujë të pisët e të ndenjur, që sjell me vete mbeturinat e shekujve, që gjarpërojnë nëpër pluhur, pa u përzier me të e duke vizatuar gjeografinë e tyre të vogël e sterile, shterpë, që pastaj shkojmë për të përfunduar nuk dihet se ku, pa i sjellë dobi askujt. Kjo nuk ka pike rëndësie, aq më tepër për mua që jam një burrë i vjetër në moshë, ndërsa, sa për ju… Ai ngriti sytë e tij, ngarkuar me shprehje pyetëse tërë trishtim, mbi të riun, sa ky ndjeu emocion. -Vallë… si mund ta them?…A i ndjeni ju gjithë këta njerëz përreth nesh, -shtoi i thyeri në moshë, -të gjithë këta fëmijë që vuajnë mjerimin. Rënia e ngadalshme e kësaj banese të vjetër na emocion më tepër sesa rënia njerëzore. Unë shoh mizerjen ku jetojnë njerëzit, por unë, po ashtu, e shikoj qartë që nuk mund të bëjë asgjë për ta, përveçse i mëshiroj ngapak dhe kthej shumë shpejt kokën matanë. Nga ana tjetër, mëshira nuk është ndoshta veçse një shfajsim, ndërkohë që na pëlqen të zbavitemi me pamje piktoreske. Ndërsa këtu nuk ka lumturi, sepse mbisundon varfëria, këtu mbizotëron pamja e natyrës mizerabël.  -Përse duhet të kërkojmë ndjesë për gjërat që nuk kemi përgjegjësi? -pyeti i riu dhe pa marrë përgjigje vijoi:-Qeveria Ramës dhe qeveritë e shkuara janë marrë veç me ndërtime të ndryshme dhe, asnjëherë me ngritjen e ekonomisë shqiptare. -Ju flisni kësisoj, sepse jeni vetëm njëzet vjeç, biri im. Më pas keni për ta parë, që do të lindë nevoja e shfajsimit. Sa për qeverinë, keni të drejtë, prioritetin e ka drejtuar nga veprat ndërtimore, pasi andej vijnë të ardhura të larta monetare, ku u siguron atyre mirëqenien e vet, duke harruar popullin e gjërë që jeton në skamje e mjerim. -Edhe në programin e ardhshëm dëgjuam veç për ndreqjen e infrastrukturës.  -Edhe ato duhen, por nuk vlejnë para mjerimit të njerzëve të thjeshtë,-ranë në një mendim bashkëbiseduesit  Pastaj,u drejtuan nga sheshi në qendër të qytetit, ku aroma e jodit që vinte nga deti depërtonte nga të çarat e kalasë,dhe u jepte një ndjesi të veçantë banorëve durrsakë. Te arena e gladiatorëve rrëzë mureve të kalasë shekullore ndalën hapat. Një copë mur mbuluar nga ferrat u zinte pamjen, bënë më tutje. Këmbët e një harku gjysmë i prishur si dhe skeleti i një çatie të rrënuar në qiell të hapur fshiheshin nga një kopsht i hazdisur. Shkallaret mbi arenë mbushur me shkurre e trëndafila të egër, vënde-vënde kaçube krijuar nga dora e natyrës. Më tutje arenës kolona të thyera ngatërroheshin e përdridheshin sa andej-këtej. Pastaj, kaptuan portën harkore të kalasë e u varën poshtë, ku betoni mbizotëronte anë e mbanë shetitores dhe nuk dihej se ku mbarote tej në thellësi të qytetit. Diku,në afërsi të torrës dalloheshin shenjat e një gërmimi arkeologjik, ku edhe aty përbindëshi beton ishte i pranishëm. Dhe njerëzia pinin kafe në bar-bufetë përmbi gurët e varreve dhe të bazelikave qindravjeçare. Një dekor arkaik që nuk ishte në karakterin durrsak,sa vizitorët zunë të ironizojnë shumë gjëra nga ky qytet që lidhte botën e jashtme me Shqipërinë kuq e zi,e cila kishte humbur në ngjyrën gri në të hirtë të betonit. Megjithatë i moshuari e shtyu bjondin e ri të vazhdonin vizitën, duke shëtitur për të admiruar qytetin, të cilin ai e njihte dhe gjërat më imtime dhe skutat e fshehta duke i zbuluar të riut vendin ku kishte lindur.