Suplementi Pena Shqiptare/ Virgjil Kule: Vuajtja e ëmbël e artistit

563
Sigal

Të merresh me art, të lesh gjurma të shpirtit e mendjes tënde në pentagram, gur, kanavace, film, foto a fletë të bardha shkrimi është mënyra më efikase për të sfiduar paparashikueshmëritë e botës tonë shoqërore…. ato që disa i quajnë pabesi të jetës. Dikush mund të jetë shumë pranë teje, por vjen një ditë, i thua a të thotë diçka që nuk vjen pas oreksit dhe marrëdhënia prishet. Marrëdhënia me artin nuk prishet kurrë. Sepse arti është i parashikueshëm nga intuita e autorit, besnik ndaj pasionit të krijuesit. Atij i dihen kulmet, kthesat, gurët miliare, shtigjet e lehta dhe ato të rrezikshme, i dihen shtigjet e lavdisë dhe shtigjet që çojnë drejt zhgënjimit e dështimit. Kur Bethoveni hodhi një Si maxhor në pentagram, ajo mbeti aty përgjithmonë. Edhe kur Fidia i Greqisë së Lashtë gdhendi një skulpturë, ajo ndonëse e ciflosur nga kohërat, e mbarti shpirtin e tij deri në ditët tona. Arti të qetëson pikërisht se është i parashikueshëm, ka ligje, ka rregulla. Kur merresh me art pushtohesh nga një ndjesi harmonie të brendshme. Çdo gjë, çdo veprim, ka rradhën e vet. Gjithë përpjekja është ta përcaktosh qartë e saktë atë radhë. Këtë përpjekje gabimisht disa e quajnë vuajtje. Artisti vuan, të thonë. Dhe e lenë me aq. Pa shkuar më tej. Pa shtuar se, nëse nganjëherë flitet për vuajtje ajo është një vuajtje e ëmbël, një vuajtje dhe një turbullim që vijnë thjesht nga padurimi për ta parë e shijuar veprën që po merr formë. Në thelb është mungesa e durimit për të plotësuar me kujdes rradhën e gjërave. Sepse arti është harmoni, rregull, disipline. Por është shpërblyes,  kur vepra del në dritë, “vuajtja” shpërblehet bujarisht me dialogun e këndshëm dhe unik që zë fill midis saj dhe artistit. Pa e kuptuar artisti ka shumëfishuar veten. Por kjo vetja tjetër e tij është më e përsosur sepse ajo është rikrijuar me harmoninë që diktojnë ligjet e artit. Pasurohet, lartesohet, pafajesohet  si fëmijë. Reagimi i parë i artistit ndaj veprës së tij nuk përfshin asnjë analizë intelektuale. Para saj ai merr pikërisht pozicionin e fëmijës së talentuar, fëmijës gjeni, që projekton nota muzikore apo penelata të mahnitshme pa qenë i vetëdijshëm për strukturën kompozicionale në tërësinë e saj, pa u shqetësuar për domethëniet filozofike, mesazhet sociale dhe artistike që mbart vepra e tij. Për të gjitha këto çdo autor ndërgjegjësohet më pas, por sado t’ia lavdërojnë krijimin, artisti i vërtetë, sidomos artisti që e ka parë edhe anën gri e pa vezullim të medaljes së suksesit, do ta shkëmbente çdo analizë e çdo diskutim me një çast të vetëm rikthimi në atmosferën naive të dialogut fillestar me veprën e tij. E pamundur. Gjasat janë që dialogu të përsëritet vetëm në veprën pasardhëse. Por deri atëherë duhet kohë. Dhe fat !