Kanabilizimi është kurth, pabesi ndaj shqiptarëve dhe dëshmi e kapitullimit të ekonomisë dhe e shtetit ligjor

414
Sigal

Prof. Dr. Lush SUSAJ

Kanabizimi është dëshmia e kapitullimit të ekonomisë dhe shtetit ligjor

Kanabizimi është kurth dhe pabesi ndaj shqiptarëve

Vetëm dje dhe sot (19 dhe 20 Maj 2020), në një operacion të policisë së shtetit në Kukës dhe disa rajone të tjera, janë arrestuar mbi 40 banorë të akuzuar për fidanë  dhe kultivim të kanabisit.  E gjithë kjo sjellje duket si një kurth dhe pabesi ndaj njerëzve të varfër, të mashtruar e të painformuar të Kukësit, Fierit, Vlorës dhe gjithë Shqipërisë. Në këtë mënyrë, burgjet e Shqipërisë janë të mbipopulluara me të mashtruarit dhe viktimat e pafajshme të një politike dhe shteti të kriminalizuar në mashtrime, korrupsion dhe trafiqe të paligjshme. Nga njëra anë, drejtuesit e institucioneve bëjnë demagogji mbi kanabizimin, duke e paraqitur atë si një fenomen dhe mënyrë për të luftuar papunësinë dhe varfërinë. Ndërsa nga ana tjetër, prej më shumë se 30 vitesh, e kanë stimuluar dhe lejuar qarkullimin e lirë të farave dhe fidanëve, si dhe mbjelljen, korrjen, shpërndarjen dhe trafikimin e drogës përmes grupeve kriminale që qëndrojnë sa më afër politikës dhe institucioneve të nxira nga krimi, ligësia dhe korrupsioni. Lufta ndaj kultivimit të drogës dhe trafiqeve të paligjshme në Shqipëri, nuk është asgjë më shumë se sa fasadë dhe demagogji sofiste që po shkatërron mundësinë e reformimit dhe integrimit Euoro-Atlantik të shtetit dhe të ekonomisë shqiptare. Në të gjitha rastet, preja e parë e paligjshmërisë dhe përplasjes së bandave të kanabizimit, janë imazhi i Shqipërisë, bashkë me rininë dhe banorët e mashtruar e të përfshirë pabesisht në të tilla veprimtari. Shqipëria i ka provuar dhe vazhdon që të provojë pasojat e rënda të kanabizimit të fushave, maleve dhe të banesave (kultivimi në kushtet e dritës artificiale). Nuk ka familje që nuk e ka parë e provuar mënyrën se si është katandisur rinia shqiptare në dembelizëm, në stres, në dhunë, në injorancë, në vjedhje, në vrasje e në burgje për interesat e ngushta të klaneve kriminale, që pasi u japin farat dhe fidanët, në momentin që ndonjëri nuk paguan taksën e korrupsionit, parcelat e tij prishen dhe skllevërit e mashtruar e gjejnë veten përballë plumbave, ose në rastin më të mirë pas hekurave të burgut. Ditët po kalojnë dhe mjergulla e kanabizimit po përhapet shumë shpejt duke përgatitur një situatë edhe më të rëndë se ajo që kemi parë e përjetuar në vitet 2016-2018, nga ku u shtuan si kurrë më parë azilkërkuesit, të burgosurit e deri dhe vrasjet dhe zhdukja e kufomave. Shqiptarët, si kurrë më parë, duhet të qëndrojnë e të mbrojnë fëmijët, familjet dhe pronat e tyre nga kanabizimi që predikojnë e që realisht duan të arrijnë çunat e “rilindjes”. Kanabizimi në kushtet e mungesës së shtetit ligjor, është kriminalizimi dhe pabesia më e madhe ndaj shtetit dhe shoqërisë shqiptare. Askush nuk duhet të mashtrohet e as të besojë në fasadën dhe propagandën e neveritshme që po zhvillohet mbi kanabizimin që ka marrë përmasa dekurajuese. Njerëzit duhet të kuptojnë faktin që midis kanabisit mjekësor dhe kanabisit kriminal e degjenerues që çunat e partive kanë përhapur e kultivuar në vite, nuk ka asnjë lidhje.

Kanabizimi është një histori e njohur e dështimit të shtetit dhe ekonomisë

Kultivimi i kanabisit dhe hashashit në Shqipëri, nuk është një fenomen i ri e as i panjohur më parë. Kanabisi (Cananabis sativa L) dhe Hashashi (Papaver somniferum L), janë ndër kulturat më të vjetra e më të përdorura si bimë fibroze (për fijet) dhe si bimë narkotike e vajore (vaj që sigurohet nga përpunimi i farave). Kanabisi përdoret për gjethet dhe lulet, nga të cilat përfitohen preparate farmaceutike me përdorim të gjerë në mjekësi. Ndërsa farat që përmbajnë 30-35% vaj, kanë përdorim të madh në industrinë kimike të bojrave të vernikut, të cilat përfitohen nga shtrydhja e nxehtë e farave. Origjina e këtyre kulturave është nga rajonet midis Detit Kaspik, Himalajave dhe Siberisë ku rriten në gjendje të egër. Përpara vitit 1944, në Shqipëri janë mbjellë e përdorur thjesht për qëllimet dhe nevojat e ngushta shtëpiake. Ndërsa kultivimi i parë i kërpit për qëllime fitimi, duket që ka filluar në rrethin e Durrësit në vitin 1956. Dështimi i shtetit komunist të asaj kohe, rënia e madhe e ekonomisë shqiptare, në mënyrë të veçantë pas prishjes me Kinën, duket që e detyroi qeverisjen klanore e konspirative të diktaturës që të hidhej në kultivimin e kanabisit dhe hashashit për qëllime fitimi. Në vitet 1974-1976, Shqipëria e ka filluar këtë aktivitet me rreth 1000 ha të mbjella në rajonet Durrës, Lushnje, Shkodër dhe Malsi e Madhe. Në ditët më të mira të tregut dhe kontrabandës, kjo sipërfaqe thuhet që ka arritur deri në 3500 ha, nga rreth 9000 ha që në atë kohë synonin të arrinin klanet kriminale të diktaturës.

E njëjta gjë është përsëritur edhe në këto 30 vitet e neodiktaturës dhe qeverisjeve klanore e kakistokratike, të njohura për mungesën e gjatë të funksionimit të shtetit ligjor.

Në mënyrë shumë të gabuar, në vend të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik e shoqëror të vendit, edhe qeverisjet e këtyre 30 viteve, zgjodhën rrugën e paligjshmërisë dhe të degradimit të thellë shoqëror, politik dhe institucional, duke arritur deri tek idetë kaotike mbi kanabizimin, me gjasme po legalizojmë kanabisin farmaceutik. Legalizimi i kanabisit, jo vetëm që nuk i zgjidh problemet e punësimit, shpopullimit, kriminalitetit, braktisjes së shkollave, etj., përkundrazi, i thellon edhe më shumë plagët tona sociale e shoqërore.

Propaganda mbi fitimin e 500 milion euro/vit, është mashtrim dhe pamundësi

Tezat mbi përfitimin e mbi 500 milion euro/vit nga kanabizimi, janë të pasakta e pa asnjë bazë shkencore. Kujtoj faktin që deri në vitin 1990, për të gjithë specialistët dhe punonjësit e bujqësisë, kultivimi, përdorimi dhe efektiviteti i këtyre kulturave ka qenë një tematikë e mirënjohur dhe e mirëtrajtuar në tekstet dhe në programet mësimore të shkollave të mesme dhe të universiteteve. Këtu e ka bazën fakti që kanabisi shqiptar, i rritur e prodhuar në kushte natyrale, edhe në këto 30 vite ka qenë konkurues dhe ndër më të kërkuarit në tregje. Edhe në kushtet e këtij realiteti të njohur klimatik, tokësor e teknologjik, Shqipëria, jo vetëm që nuk ka përfituar, përkundrazi ka humbur e do të humbasë sa herë që do të guxojë të largohet nga zhvillimi i qëndrueshëm e të rrëshqasë në rrugën e gabuar të zhvillimit kaotik e kriminal të vendit. Kanabizimi është një dukuri e njohur dhe e provuar si shkatërrimtare për bletarinë, për pasojë edhe të polenizimit natyror të kulturave bujqësore. Njëkohësisht është provuar se kanabizimi shkatërron edhe mbarështrimin natyral të lopës (gjedhit) dhe të vreshtave. Për më keq, kanabizimi shkatërron edhe edukimin e nxënësve në shkollat fillore e 9 vjeçare. Që të gjithë jemi dëshmitarë të klasave me nga 2-3 nxenës, pasi shumica e tyre shkojnë për të vjelë e për të qethur boçet e kanabisit me një pagë prej 2000-3000 lek/kg.  Është koha për të bërë analiza më të thella e më të plota të fenomeneve dhe reformave, përndryshe pasojat mbi natyrën, ekonominë dhe gjithë jetën shoqërore, do të jenë gjithnjë e më të rënda. Sipas analizës së njëanshme të çunave të vendimarrjes, që me sa duket mendojnë vetëm për përfitimet e tyre, kanabizimi do të sjellë 500 milion euro/vit përfitime. Ndërsa për Shqipërinë dhe shoqërinë shqiptare, bilanci duhet të bëhet duke marrë në konsideratë edhe goditjen e rëndë që merr prodhimi bujqësor e blegtoral, duke shkaktuar kështu rritjen e importeve bujqësore e blegtorale dhe reduktimin e mëtejshëm të eksporteve. Në këtë mënyrë, dëmi ekonomik i Shqipërisë nga kanabizimi, do të ishte mbi 5 herë më i lartë se sa fitimi që propagandojnë apo që marrin çunat.

Shteti duhet ta analizojë në mënyrë komplekse e të detajuar këtë fenomen, që të mund të informojë me vërtetësi publikun dhe popullsinë e lodhur nga mashtrimet dhe retorika bajate.

Në këtë drejtim, Faik Konica (Albania 16, 15-30 korrik 1898), ka shkruar: “Ata që do donin t’i ngopnin shqiptarët me retorikë, në vend të urojnë zhvillimin intelektual të tyre, japin provën më të qartë të armiqësisë së tyre ndaj shqiptarëve”.

Në këtë mënyrë, gjithkush do ta kuptonte që kanabizimi (që me sa duket fshihet pas demagogjisë së legalizimit të kërpit) dhe trafiqet e paligjshme, nuk kanë dhe nuk mund të kenë asnjë lidhje me interesin tonë kombëtar e shoqëror. Përkundrazi, edhe ky prodhim i tokës dhe djersës shqiptare, njëlloj si edhe nga prodhimi i naftës, i minierave, i çimentos, i bimëve mjekësore, energjisë, etj, do të përfundojë në duart e kompanive të huaja dhe klaneve ndërkombëtare të trafikut të lëndëve narkotike. Ndërsa për Shqipërinë dhe shqiptarët do të mbetet vetëm puna sezonale dhe e keqpaguar prej 75-90 ditësh/vit, si dhe sherret dhe pasojat sociale që burojnë nga keqpërdorimi i tokës, i ujit të ujitjes, i kullotave natyrore, etj. Ajo që më shqetëson më shumë në këtë situatë është nënshtrimi dhe heshtja e turpshme e administratës dhe pseudoelitës, përballë demagogjisë dhe sofizmit që synon të paraqesë sapunin për djathë dhe drogën për kërp industrial e mjekësor.

Unë jam i sigurt në faktin që kanabizimi dhe trafiqet e paligjshme, nuk kanë asnjë dobi në drejtim të zhvillimit të qëndrueshëm të Shqipërisë, përkundrazi i kontribuojnë shkatërrimit të mëtejshëm të ekonomisë, të natyrës dhe të kohezionit shoqëror e politik të shqiptarëve.