Unë s’u takoj ca poetëve të kohës së shkuar,
fshehur aty, pas vargjesh të lëbyrta dashurie.
Më mjafton zemra, për t’i kuptuar e vlerësuar
si shpirtra lirie,
apo ledhatarë të një kohëmbetje inercie.
Unë s’u takoj poetëve të kohës së mëkatit,
gjersa, edhe vetëm një prej tyre të mbetet!
Udhëtar i asaj anieje pa busull,
mbetur në mëshirë të fatit.
S’u takoj më as zhelanëve modernë,
as pashallarëve të rinj.
Ndaj zëri s’më mungon e s’dyshoj
se Zoti do t’ma marrë këtë rrëfim
për ceitnot në dashur!
Zgjohem brenda një ëndrre, çdo mëngjes
e rrotull më vjen zemërimi.
Po kurrë s’mund të jem një indiferent i pashpresë,
ndonëse çdo ditë po më humbet durimi.
Se s’jam njeri me mendje fikse,
s’i takoj kohës së delirit të shkëlqimit të rremë,
demokracisë postkomuniste.
Atëherë… Mos, vallë, i takoj kohës së shtërngatës,
shkruar mbi kallot e pëllëmbëve me të zezë?
Mos pëllëmbët m’i ka gërryer
frenimi i mandrinos turneve të natës,
dhe rob i asaj kohe dashkam viteve të mbesë?…
Por… jo…
S’i kam takuar kurrë gënjeshtrës.
Sa më trishton mungesa e dashurisë për njeriun!
Po sinqerisht, më bën të qesh hidhur trishtimi,
ndaj s’do të lodhem kurrë t’u ul perdet e teatrit-kohë
spektatorëve të shastisur
pas projektorësh e trukesh aktrimi.
Jam ky që jam!
Po s’bëj pjesë n’atë kohë,
që t’i mësonte të gjitha prapësitë,
veç asaj, të qenit njeri.
Të mbesja pjesë e turmës doja,
paqen aty ta kërkoja,
pa ëndërruar kurrë të bëhesha gjeni.
Ndaj
S’u takoj as atyre që bota i quan asketër.
Një ditë s’e kam ndërruar numrin e celularit.
E në më telefonofshi,
bëjeni këtë thjesht:
Me dashurinë e madhe
të një kohe, që më s’hesht.




















