Suplementi Pena Shqiptare/ Vangjush Saro: Qyteti dhe betoni

Po ‘këndon’ Betoni ditë e natë një këngë;

merr frymë Qyteti përherë e më rëndë.

Sigal

“Pse nuk fle?” I thotë një Dru i vetmuar.

“Dhe gjumin të tjerët ta kanë në duar?”

 

DY QENTË…

Një Qen rruge dhe një Qen shtëpie,

u takuan një copë herë në një hije.

Zu të tallej Qeni i shtëpisë:

“Ç’ je kaq i shëmtuar dhe kaq pis?

Pa shikomë mua si shkëlqej,

thua se kam miq nja dhjetë diej…”

Foli Tjetri, si të derdhte lotë:

“A mos vallë, kjo është merita jote?!”

 

DRENUSHA

Atë ditë harboi shumë Drenusha;

dhe e humbi rrugën ndër gëmusha.

Iu qep Hiena: “Rri tek unë!

Hamë pakëz darkë edhe… gjumë.”

Pak më vonë,

më sfidues, Çakalli:

“Je me mua, për kënd s’të merr malli!”

Ishte zënë ngushtë Drenush’ e ngratë,

ndërsa muzgu sillte frikë dhe natë.

E pa veten nuse nëpër ëndërr:

vuuu muzika,

por nuk kishte dhëndër…

 

 

ZOÇKA

Zoçka e pakët,

topolake,

filloi të ndiqte pas me ëndje,

një shpend që fluturonte lart…

Por shpejt u lodh dhe ktheu mendje.

Qëndroi bash te një gëmushë,

që ishte pranë një plevice;

aty zu shoqëri të ngushtë

me Harabelin sa një gisht.

Sa bukur ndanë asaj plevice!

Dhe mizat ishin me shumicë…

 

NJERIU dhe HIJA

Hija në muzg është e gjatë

edhe njeriu,

që s’e ha thatë,

i flet asaj kinse me ton:

“Se mos merr kot moj,

më dëgjon?

Jam unë pa je ti. Tutkune!”

“Vërtet, ia pret ajo, por ti s’je unë!”

Tash tjetri kërkon fjalën për më tej;

por dita është ngrysur me gjithsej…